E Enjte, 5 Nëntor 2026

Dje e harruar, sot në Libohovë turistët hedhin valle mbi qilimin e gurtë të Rilindjes Urbane

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ndau këtë mbrëmje pamje nga qendra e qytetit të Libohovës, e mbushur plot me turistë të huaj e pushues vendas, teksa solli në vëmendje se jo shumë vite më parë kjo qytezë ishte e harruar.

“Kur kam shkuar për herë të parë në Libohovë, si kryetar i opozitës, ishte si një nga shumë qytezat e Shqipërisë që “i kishte harruar edhe Zoti”, me kishën e mahnitshme që po binte në vetmi, rrugën kryesore ku asfalti dukej si lëkurë e shqyer krokodili, shtëpitë si fantazma nën muret e murrme të kalasë së heshtur të Shanishasë dhe njerëzit si hije nëpër diell”, u shpreh Rama.

Rama kujton se të flisje për një të ardhme me turizëm e për turistë të huaj që do të ngjiteshin deri aty ku edhe gurët kishin marrë rrugën teposhtë, ishte si të premtoje zbritjen e marsianëve me mushka fluturuese për të shijuar natyrën, traditat dhe ushqimet e Libohovës.

Sot, thotë Rama, nuk janë marsianët po janë turistë nga të katër anët e botës dhe vizitorë që jo vetëm ngjiten në qytezën e veçantë, për të shijuar bukurinë magjepsëse të kishës së restauruar, historinë, natyrën dhe mikpritjen libohovite, po edhe për të hedhur valle në mbrëmje mbi qilimin e gurtë të Rilindjes Urbane, që pret përditë miq të rinj, aty ku deri dje vetëm përcilleshin përmes gropave e pluhurit të mbeturit që shkonin për në banesën e fundit.

Libohova është një qytezë në juglindje të Gjirokastrës, që shtrihet mes luginës së Zagorisë dhe Pogonit, të njohura për bukuritë e tyre natyrore dhe ujërat e ftohtë dhe të kristaltë.

Qyteti i Libohovës dhe Zagoria janë destinacioni ideal për të gjithë ata që janë të interesuar për histori, legjenda apo objekte kulti, për ata që e duan natyrën dhe dëshirojnë të shijojnë gatime tradicionale.

Një pjesë e studiuesve mendojnë se qyteti daton rreth shekullit VII para Krishtit.

/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›