Dje, lamtumira e fundit 4 policëve të vrarë
TIRANË - Trupat e katër policëve të rënë në detyrë dy ditë më parë, gjatë një aksioni për kapjen e të kërkuarit Dritan Dajti, nga dje prehen në varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Familjarë, të afërm, miq, kolegë dhe autoritetet më të larta të shtetit ishin të pranishëm në ceremoninë e përcjelljes për në banesën e fundit të Dëshmorëve të Atdheut, Fatos Xhani, Altin Dizdari, Kastriot Feskaj dhe Saimir Duçkollari.
Ata janë përcjellë për në banesën e fundit, pasi u zhvilluan homazhet për nder të tyre në Pallatin e Kongreseve. Në orën 12:00 të mesditës së djeshme, flamuri kombëtar, në të gjitha institucionet shtetërore është ulur në gjysmështizë, ndërsa është mbajtur edhe një minutë heshtje.
Ceremonia në nderim të 4 Dëshmorëve, nisi në orën 11:30, me homazhet që u zhvilluan për mbi një orë e gjysmë në hollin e Pallatit të Kongreseve.
Qindra qytetarë, të afërm dhe miq, zhvilluan homazhe para trupave të pajetë të 4 policëve të rënë në detyrë. Homazhe kanë zhvilluar edhe krerët e lartë të shtetit dhe të politikës.
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, kreu i LSI-së, Ilir Meta, dhe vetë kreu i qeverisë, Sali Berisha, u shprehën ngushëllimet e tyre familjarëve, miqve dhe të afërmve të policëve.
Topi: Vrasja e policëve, akti më tragjik ndër vite
TIRANË - Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, ka kërkuar dje nga institucionet e specializuara, që të bëjnë zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë të ndodhur dy ditë më parë në Durrës, ku humbën jetën 4 policë.
"Do të nxisja me shumë forcë të gjithë institucionet e specializuara që të bëjnë sa më shpejt zbardhjen e plotë të këtij momenti tragjik, për të dhënë edhe një herë mesazhin e fortë, që duhet të vijë nga çdo institucion, për vendosjen kudo të ligjit, në çdo lloj strukture të shtetit shqiptar",- tha dje Topi.
Presidenti i Republikës e konsideroi ngjarjen e rëndë si një nga aktet më tragjike, që është përjetuar ndër vite."Sot, padyshim ka një ndjenjë të dyfishtë, sikurse e thashë, një dhimbje pafund, por edhe një vlerësim të madh për këta njerëz, që përballen në çdo moment me krimin, i cili në disa raste është dhe mjaft i sofistikuar.
Unë dëshiroj, ripërsëris dhe rishpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet dhe padyshim që shpreh solidaritetin tim të plotë për forcat e rendit, për të gjithë ata që punojnë në çdo sekondë të njëzet e katër orëshit për vendosjen e rendit në çdo qelizë të vendit tonë",- tha Topi. Më pas, kreu i shtetit shqiptar mori pjesë në përcjelljen për në banesën e fundit me të gjitha nderimet shtetërore të katër "Dëshmorëve të Atdheut".
Berisha: Ngjarja do të marrë ndëshkimin më të madh
TIRANË - Kryeministri Sali Berisha zhvilloi dje homazhe para trupave të katër punonjësve të policisë. "Ata ranë në një operacion ndaj njërit prej kriminelëve më të rrezikshëm të Shqipërisë dhe jo vetëm, sepse Dritan Dajti ishte një kërcënim i madh.
Me rrjetet kriminale që drejtonte brenda dhe jashtë vendit, ai përbënte një kërcënim permanent për rendin dhe sigurinë",- u shpreh Berisha, gjatë një prononcimi për mediat.
Duke e konsideruar humbjen e jetës së 4 policëve, si një ngjarje të rëndë dhe të dhimbshme, Kryeministri Berisha u shpreh se ky krim i shëmtuar do të marrë ndëshkimin më të madh.
"Ky krim i shëmtuar i një bande kriminale, e cila do të marrë ndëshkimin më të madh nga organet e drejtësisë, kam bindjen më të thellë se nuk do të cenojë aspak vendosmërinë e forcave tona të rendit për t'u dhënë kriminelëve dhe krimit të organizuar përgjigjen me tolerancë zero, sikundër deri më sot",- tha ai.
Për këtë arsye, Berisha është përpjekur të përcjellë mbështetjen e qeverisë shqiptare ndaj forcave të rendit në luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar.
Topalli: Mbështes policinë në luftën kundër krimit
TIRANË - Pas homazheve në nderim të policeve të rënë, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, la një shënim në librin e ngushëllimeve të hapur për këtë ceremoni mortore. Më pas, ajo u shpreh për mediat se katër policët ishin heronjtë e Shqipërisë.
"Sot, më shumë se kurrë, të gjithë shqiptarët janë bashkë. Dua t'u shpreh dhe një herë ngushëllimet më të thella familjeve, nënave të tyre, bashkëshorteve të tyre; dhimbjen më të madhe fëmijëve të tyre.
Ishin djemtë tanë, ishin të rinj, djemtë më të mirë, njëri më i mirë se tjetri, dhe në të njëjtën kohë dua të shpreh mbështetjen dhe solidaritetin më të madh të Policisë së Shtetit, që dhe kësaj radhe, me sakrificën e saj, dëshmoi më shumë se kurrë se është e vendosur në luftën kundër krimit",- tha dje Topalli. Më pas, ajo mori pjesë në ceremoninë mortore të katër policëve të vrarë, në Varrezat e Dëshmorëve.