E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qarku Fier, PS: Nuk njohim zgjedhjet e 28 qershorit

Këshilli Socialist i Qarkut të Fierit, mbështeti dje rezolutën e miratuar pak kohë më parë nga Asambleja Kombëtare


TIRANË - Socialistet e Qarkut të Fierit i thonë po rezolutës së miratuar pak kohë më parë nga Asambleja Kombëtare e PS-së.


Ata janë në një zë, se zgjedhjet e 28 qershorit nuk përmbushën standardet, dhe mbështesin me po aq forcë objektivin kryesor të PS-së për të bërë deri në fund transparencën e procesit zgjedhor, me të gjithë instrumentet ligjorë e kushtetues.


Këshilli Socialist i rrethit Fier, pasi diskutoi probleme të ndryshme organizative, shprehu dhe njëherë mbështetjen e tij për vendimin e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste.


"Jemi dëshmitarë të dështimit të gjithë procesit të zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më dt. 28 qershor 2009. Dështimi, manipulimi dhe delegjimiteti i tyre u realizua nga qeveria në detyrë e Sali Berishës, e cila ka përgjegjësinë ligjore, politike dhe historike, për mosplotësimin e standardeve.


Nuk u arritën standardet në një moment shumë të rëndësishëm për stadet e zhvillimit të vendit tonë, duke bërë një hap prapa dhe duke vazhduar ritualin e mundësive të humbura. Këto zgjedhje shprehin një realitet të deformuar të vullnetit të socialistëve dhe të të gjithë shqiptarëve",- thuhet në vendimin e Këshillit Socialist të rrethit Fier.


Sipas sekretarit të Këshillit Socialist, Xhevit Dushi, i cili bëri publik edhe vendimin e kësaj strukture, socialistët e Fierit nuk mund të mbështesin një rezultat zgjedhor, që në tërësinë e tij nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar, dhe që paraqet një gjendje kritike të demokracisë në vend.


"Këshilli Socialist i rrethit Fier mbështet çdo përpjekje dhe nismë të Partisë Socialiste për realizimin e transparencës së plotë të procesit zgjedhor, me të gjitha mjetet demokratike dhe ligjore.


Vendimi i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste mbështetet nga ana jonë, pasi shpreh gjithë realitetin e procesit zgjedhor, shqetësimin tonë, të elektoratit socialist dhe më gjerë.


Ky vendim i jep mundësinë opinionit shqiptar dhe atij ndërkombëtar të njihet me vlerësimin dhe qëndrimin e Partisë Socialiste, partisë më të madhe në vend, për gjithë procesin zgjedhor",- thuhet në vendimin e këtij këshilli.


Në këtë mënyrë, struktura më e lartë e PS-së në nivel qarku (ku përfshihen edhe delegatët), do të paraqesë në kongresin e 29 gushtit të njëjtin qëndrim, duke mbështetur versionin zyrtar të kësaj force lidhur me zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Pak kohë më parë, edhe Këshilli Socialist i rrethit Berat mbështeti rezolutën e Asamblesë Kombëtare të PS-së për zgjedhjet e 28 qershorit.


Pas një takimi të zhvilluar, ky këshill ndau të njëjtin qëndrim me asamblenë, sa i përket faktit se zgjedhjet e 28 qershorit prodhuan një rezultat, që nuk pasqyron vullnetin e popullit shqiptar. Madje, Këshilli Socialist i rrethit Berat propozoi mosmarrjen pjesë të grupit parlamentar të kësaj partie në Kuvendin e ardhshëm.


Asambleja Kombëtare e PS-së i ka konsideruar zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi e humbur për të përmbushur në një moment kyç standardet demokratike evropiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor e të rezultatit të tij. Vendimi i Asamblesë Kombëtare të PS-së pritet të votohet në kongresin e 29 gushtit.

Asambleja Kombëtare e PS-së vendosi:


T'i konsiderojë zgjedhjet e 28 qershorit një mundësi e humbur për të përmbushur në një moment kyç të historisë sonë bashkëkohore standardet demokratike evropiane dhe aspiratat e popullit shqiptar për zgjedhje të lira e të ndershme, duke bërë përgjegjëse qeverinë e Sali Berishës për deformimin e qëllimshëm të procesit zgjedhor e të rezultatit të tij.


Ta vlerësoje rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshëm, si një shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi dhe korrupsioni elektoral para, gjatë dhe pas 28 qershorit.


Të konsiderojë me legjitimitet thellësisht të cunguar çdo produkt institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t'i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Kuvendit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit.


Të distancohet hapur nga çdo rrugë e përpjekje për t'i imponuar Partisë Socialiste, opozitës në tërësi e opinionit publik, miratimin pa kushte të një rezultati zgjedhor, që nuk shpreh vullnetin e lirë të popullit shqiptar dhe të nxisë komunikimin intensiv të kësaj force të madhe politike me qytetarët shqiptarë e komunitetin ndërkombëtar për gjendjen kritike të demokracisë në vend.


Të afirmojë vullnetin e palëkundur të Partisë Socialiste për të bërë deri në fund transparencën e plotë të procesit zgjedhor, me të gjithë instrumentet ligjorë e kushtetues, të shprehë predispozitën e plotë të forcës sonë politike për të përdorur çdo mjet demokratik për këtë qëllim, si dhe të bëjë publikisht të qartë angazhimin tonë për një opozitë pa kompromis, me një qeveri pa mandat politikisht legjitim.


Malaj: Jemi në krizë, qeveria të marrë masa

TIRANË - Partia Socialiste parashikon muaj të vështirë për ekonominë shqiptare. Anëtari i kryesisë së PS-së dhe ish-ministri i Financave, Arben Malaj, deklaroi dje se janë të shumtë elementet, që tregojnë se në Shqipëri ka krizë ekonomike.


Për këtë arsye, Malaj i sugjeron qeverisë që të përgatisë një plan masash, për të zbutur pasojat e krizës dhe se shpenzimet e mëdha buxhetore nuk ndihmojnë në përballimin e kësaj situate. "Ka mungesë transparence të të dhënave të buxhetit për të ardhurat dhe shpenzimet.


Vitet e fundit, ne dimë që është punuar me një nivel të lartë të deficitit buxhetor, qeveria paguan kosto më të larta për paratë që investon në ekonomi, pasi është shumë e lartë kostoja e borxhit të marrë nga qeveria.


Duket se qeveria shqiptare akoma nuk ka transparencën e nevojshme me publikun për të parë përmasat e shqetësimit që ka sjellë kriza në vend. Qeveria nuk pranon asnjë këshillë apo konstatim që bëjnë ekspertë vendas dhe të huaj dhe injorimi i krizës nga ana e qeverisë tregon papërgjegjshmëri",- tha Malaj.


Për këtë arsye, ai kërkon nga qeveria të pranojë ekzistencën e krizës globale në ekonominë shqiptare dhe të marrë masa për përballimin e saj. Prej kohësh, PS-ja ka paralajmëruar një situatë të vështirë të ekonomisë në vend.


Sipas ekspertëve të PS-së, sektorët e ekonomisë, në gjysmën e parë të vitit 2009 kanë punuar më pak se vitin e kaluar. Po sipas të dhënave që ka ofruar herë pas here kjo forcë politike, në sektorin e industrisë, sipërmarrësit nuk po shfrytëzojnë gati 40 % të kapaciteteve të tyre prodhuese.


Edhe sektori i ndërtimit, sipas tyre, po punon nën stres, sepse po shfrytëzon vetëm 63% të kapaciteteve. Prodhimi agroindustrial, po ashtu, ka rënë me 7%, shenja këto që tregojnë qartë për një situatë të vështirë ekonomike në vend.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›