Do betohet si eurodeputet, Beleri nga Rinasi: Të drejtën time do ta kërkoj deri në Strasburg

“Drejtësia vepron me dy standarde”, kështu ka deklaruar Fredi Beleri nga aeroporti i Rinasit, pak para udhëtimit drejt Athinës, e më pas drejt Strasburgut ku do të marrë pjesë në mbledhjen e Parlamentit Europian e ku do të betohet edhe si eurodeputet.
Ndërsa falënderoi Drejtorinë e Përgjithshmë të Burgjeve e cila pranoi kërkesën e tij për betim, Beleri shtroi pyetjen se përse nuk u ndoq e njëjta procedurë edhe në rastin e betimit të tij për Bashkinë e Himarës.
“Dua të falënderoj drejtorinë e burgjeve. Ishte vendim në kuadër të ligjit. Natyrshëm lind pyetja, përse kjo gjë kaq e thjeshtë nuk u bë për të marrë mandatin e kryetarit të Bashkisë?
Po iki drejt Athinës, nesër do jem në Strasburg për të marrë pjesë në mbledhjen e parë të PE. Atje ka vendime të rëndësishme.
Për mua ka patur dy standarde, vazhdojnë akoma nga ana e drejtësisë këto dy standarde”, u shpreh Beleri.
Pyetur nëse do të ankimojë vendimin e Apelit e cila e dënoi me 2 vite heqje lirie, Beleri garantoi se nëse të drejtën e tij nuk do ia japë drejtësia shqiptare, do e gjejë në Strasburg.
Sakaq, në lidhje me zgjedhjet e 4 gushtit për Bashkinë e Himarës, Beleri shprehu bindjen se qytetarët do të dinë të japin përgjigjet e tyre me votë.
“Herët a vonë, dëshira e sovranit respektohet. më 4 gusht himariotët do japin një përgjigje dhe dëshira e tyre do pasqyrohet në rezultatin e zgjedhjeve.
Do ankimoj në të gjitha hallkat e drejtësisë shqiptare dhe po nuk e gjeta të drejtën, do shkoj deri në Starsburg”, u shpreh ai.
Beleri la mëngjesin e sotëm (15 korrik) ambientet e burgut të Fierit pas kërkesës për betim si eurodeputet.
Beleri do të ketë kohë deri në orën 16:00 të 20 korrikut për t’u rikthyer për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Beleri është dënuar nga Apeli i GJKKO-së me 2 vjet heqje lirie me akuzën e korrupsionit zgjedhor, pasi u arrestua nga policia dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit 2023.
Që nga çasti i prangosjes e në vijimësi, Beleri ka kundërshtuar akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj tij, duke e konsideruar këtë një proces politik dhe ka apeluar vendimin. Por edhe Gjykata e Posaçme e Apelit ka vendosur ta lërë në qeli.
Në javën e parë të qershorit, Beleri u zgjodh deputet i Parlamentit Europian me rreth 237 mijë vota, duke u renditur i katërti në listën me 7 fitues që garuan nën siglën e partisë në pushtet në Greqi, “Demokracia e Re”.
/rtsh.al/