“Do kthehem në Shqipëri”, Rama komentuesit: Nuk iu del keq asnjëherë, sidomos atyre që investojnë në fshat

TIRANË- Gjatë diskutimit me ndjekësit në rubrikën “Sy m’Sy”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u shpreh se të gjithë ata që kthehen nga jashtë dhe investojnë në fshat do të kenë shumë përfitime.
Ai theksoi se rruga europiane dhe konsolidimi i Shqipërisë po vijon me ritme të shpejta.
“Ata që kthehen me thënë të drejtën nuk iu del keq asnjëherë, sidomos atyre që investojnë në fshat.Në vazhdim do bëhet edhe më shumë, do bëhet edhe më mirë dhe jo sepse duhet thënë kjo por sepse kështu do të ndodhë pasi do të ulemi në tryezën e Bashkimit Europian dhe më në fund, më në fund të gjithë shqiptarët do ta kenë një ulëse atje ku do të shkruhet Albania, dakord? Jemi afër aty me Belgjikën, Albania-Belgium e me radhë. Ai flamuri ynë që për shkak të A-së do jetë i pari, flamuri kuq e zi i pari e pastaj do të vijojnë flamujt e tjerë. Kjo është ana e fasadës, siç do thonin disa, se mua më dini që i kam qejf pak fasadat, por fasada në fakt tregon dhe brendinë sepse imagjinoni sikur të gjitha gratë dhe vajzat e qytetit të dilnin në mëngjes të pakrehura, të pa veshura siç duhet, sikur të gjithë burrat të mos merreshin më me mjekrën e me mustaqet, se çfarë do bëhej në këtë vend apo në çdo qytet. Fasadë është ajo, fasadë, por ndërkohë kur të vijë ai moment do të thotë që do të kemi bërë të gjitha ato gjëra që duhen që Europën, mënyrën sesi funksionon një shtet europian ta kemi këtu dhe kjo nuk është çështje dhjetëra vitesh, kjo është çështje disa vitesh, brenda këtij dhjetë-vjeçari.”, tha ai./abcnews.al