E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të shkojmë në Bruksel edhe pas dëmshpërblimit

Ish-të përndjekurit këmbëngulin te protesta para selisë së Parlamentit Europian dhe kërkesa për azil politik.


Nga 511 ish-të përndjekur të listave që shpall qeveria vetëm 50 vetë janë gjallë për të përfituar dëmshpërblimin e prapambetur të 2008-ës, ndërkohë që nuk është dhënë kësti i 2009-2010-ës.


Nuk do të tërhiqen në kërkesat e tyre dhe protestat që po planifikojnë të bëjnë deri pranë Parlamentit Europian në Bruksel, ashtu si premtuan pak ditë më parë në faqet e gazetës 'Shekulli'.


Edhe pas vendimit të qeverisë për kompensimin e pjesshëm të ish-të përndjekurve, që në fakt për ta është vetëm njëri këst i prapambetur i vitit 2008 dhe vetëm 50 ish-të përndjekur janë gjallë për ta shijuar atë.


Kështu shprehet Xhaferr Agaraj, kryetari i Shoqatës së Rehabilitimit për Drejtësi dhe Dinjitet. 82-vjeç dhe me 13 vjet burg politik mbi shpinë, edhe sot është aktiv sikurse në gjithë këto vite në kërkimin e të drejtave të tij dhe ish-të burgosurve të tjerë politikë.


Pas pjesëmarrjes në grevën e urisë dhe kërkesave të njëpasnjëshme për të drejtat kushtetuese të ish-të përndjekurve, Xhaferr Agaraj është edhe nismëtar në organizimin e protestave drejt Brukselit dhe në një intervistë shpjegon shkoqur 'ortekun' e vuajtjeve të tyre në njëzet vitet e postkomunizmit shqiptar.


Zoti Agaraj! Pikërisht këto ditë në faqet e gazetës "Shekulli" shoqata që ju drejtoni dhe ju personalisht treguat se për herë të parë po ndërmerrni një hap të pazakontë: do të protestoni në Bruksel, edhe duke kërkuar azil politik apo duke u futur në grevë urie atje, si përgjigje ndaj keqtrajtimit tuaj jo vetëm në komunizëm, por edhe në njëzet vitet postkomunizëm.


Pakënaqësia ka si arsye kryesore dëmshpërblimin e pamarrë ekonomik të burgut politik, por jo vetëm këtë. Ndërkohë, pikërisht dje, gazetat publikuan vendimin e shpejtuar të qeverisë për të dëmshpërblyer 511 ish-të përndjekur, me sa duket të sensibilizuar për të shuar revoltën tuaj të pazakontë në Bruksel.


Deri ku ndiheni të shpërblyer nga ky vendim?


Vendimi i djeshëm përfshin dhënien e këstit të parë të prapambetur, që duhet të ishte dhënë që në vitin 2008. Domethënë jepet me dy vjet vonesë. Dhe pretendohet të përfundojë së dhëni në shkurt të 2011.


Ndërkohë që nuk është marrë kësti i 2009-ës. E tani që u dha një këst, kushedi pas sa vjetësh do jepen këstet e tjera!! Gjithashtu, 2 miliardë lekët që ka shpallur qeveria në media për të na i dhënë ne, janë lekë të vjetra, që do të thotë 200 milionë lekë të reja, 1/10 e shumës së pretenduar.


Por e shpallin në lekë të vjetra për t'u dukur shumë. Kur ne u futëm në grevë urie në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria premtoi t'u jepte lekë atyre që janë gjallë, por në listat që janë publikuar nuk janë gjallë as 50 vetë prej tyre.


Ndërkohë, familjarët e atyre që nuk jetojnë, nuk janë përzgjedhur me ligj. Ka prej tyre që nuk kanë pasur pasoja, sepse i kanë mohuar të afërmit e burgosur. Dhënia kështu pa asnjë lloj përzgjedhjeje duket sikur bëhet për vota elektorale.

Dukeni sërish të pakënaqur. Nuk jeni frenuar sadopak nga ky vendim qeveritar për të vijuar protestat në Bruksel?


Aspak. Nuk ka ndryshuar asgjë. Dhe vajtja jonë nuk është hakmarrje, por një zhvillim politik paqësor, bazuar mbi Kushtetutën dhe Ligjin. Eshtë indeferenca e politikës shqiptare për t'u ulur dhe folur me ne shtruar, që na detyron ta kërkojmë të drejtën përtej vendit tonë.


Çfarë jeni duke bërë rreth organizimit të protestës së pazakontë?


Ish-të dënuar politikë që jetojnë në Francë, Belgjikë, Gjermani janë duke u marrë me kërkimin e lejes nga policia e Brukselit për të zhvilluar grevën tonë paqësore.


Dhe ka ndryshuar diçka në afatet që parashikonit për ta zhvilluar atë deri në fund të vitit 2010?


Nuk ka ndryshuar gjë. Mendojmë ta realizojmë brenda 2010-ës.

Në ç'mënyrë i perceptoni si fatkeqe për ju edhe njëzet vitet pas rënies së komunizmit dhe shkaqet e grumbulluara që po ju nxjerrin 'nga dera e shtëpisë' për të trokituar në dyert europiane?


Një nga shkaqet kryesore është trajtimi ekonomik që na është bërë ne në këto vite. Trajtimi moral varet edhe nga ai ekonomik. Nëse nëpërkëmbesh ekonomikisht, je nëpërkëmbur edhe moralisht. Megjithëse jemi shprehur këto ditë në faqet tuaja edhe për ish-inkuzitorët tanë që sot janë ende në pushtet.


Dhe kjo është një tjetër brengë po aq e madhe jona. Edhe Ismail Kadare në një intervistë të tij pak a shumë thotë: "Nëse ka opozitë të vërtetë në Shqipëri, ajo është e ish-të përndjekurve politikë".


Ju afërmendsh duhet të jeni edhe pro hapjes së dosjeve?


Po. Jemi për hapjen e dosjeve. Së paku ata që na torturuan ne me mënyra çnjerëzore fizikisht, shpirtërisht, duhet të heqin dorë nga drejtimi i vendit. Ne duam të shkojmë në Europë, por me dinjitet, jo me ata që na kanë torturuar dhe vrarë.


Por t'i rikthehemi kronologjisë së këtyre 20 viteve dhe problemit të moskompensimit financiar të vuajtjeve tona. Menjëherë në vitin tashmë të largët 1991, konkretisht 30.09.1991 kur u miratua Ligji 7514, ne fituam pafajësinë.


Dhe nga ky moment lindi e drejta për kompensimin financiar për pafajësinë tonë. Dy vjet më vonë, në datën 29.07.1993, në unanimitet të plotë nga 250 deputetë u miratua Statusi i të Përndjekurit Politik. Në të u përcaktua edhe pagesa e pafajësisë, që do të thoshte 120.000 lekë të reja dëmshpërblim për çdo vit burg. Gjë që ne na kënaqi.


Por sa pa u vënë në jetë ky ligj, qeveria Meksi e PD-së nxori vendimin që pagesa të jepej jo në lekë, por në letra me vlerë. Kjo u kundërshtua nga ne ndaj hymë në grevë urie, pikërisht në gusht të vitit 1994.


Por me përkrahjen e ish-të dënuarve militantë të PD-së, u ndërhy për shuarjen e grevës së urisë dhe për përçarjen e shoqatës së ish-të përndjekurve. Që nga ky moment kërkesat për të drejtat tona u zbehën për sa kohë ishte në pushtet PD.


Dhe erdhi PS...


Po. Kur erdhi PS-ja në pushtet, të përndjekurit, tashmë të nxitur dhe mbështetur nga PD-ja, si mish për top, rinisën protestat për të njëjtat kërkesa.


Kërkonim një rikompensim në total prej 20.4 miliardë lekësh, nga të cilat u zbrit vlera e letrave me vlerë që ishin shpërndarë deri në atë moment dhe mbetën për t'u kompensuar 168 miliardë lekë. Një faturë që qeveria socialiste e quajti 'të papërballueshme'.


Ndërkohë PD-ja dhe kryetari i saj zoti Sali Berisha na premtoi që kur të vinte përsëri në pushtet do ta likuidonte një shumë të tillë. Ne jemi demokratë në shpirt dhe nuk kemi asnjë teserë partie, por na premtoi. Por edhe pse ne e mbështetëm riardhjen në pushtet të PD-së, kjo do të përbënte zhgënjimin tonë të radhës.


U miratua Ligji Nr. 9831, datë 12.11.2007. Fatura jonë financiare me anë të këtij ligji do të reduktohej në 10% të asaj që ne kërkonim, dmth 1.6 miliardë lekë. Dhe këtë ligj e hartuan edhe përfaqësues të pseudoshoqatave, që hiqen si ish-të burgosur politikë, por që nuk kanë qenë të tillë. Ne na janë dhënë letra me vlerë që u emetuan me 120.000 lekë të reja në vit. Por po të indeksohet vlera e vitit 1993 sot do të ishin jo 120.000, por 1 milion e 200 mijë në vit.


Pasi doli ky ligj, në vitin 1995 doli edhe Kodi Penal, ku përcaktohet sa është kompensimi për dënimin tonë të padrejtë. Me nenin 57 të këtij Kodi mori dëmshpërblim Ramiz Alia, Fatos Nano, Aranit Çela. Atyre nuk iu dhanë letra me vlerë, por morën para direkt në bankë. Ne që kemi vuajtur pikën e zezë, të keqtrajtuar fizikisht, moralisht, na japin letra me vlerë.


I kanë shitur apo më shumë i kanë pa shitur letrat me vlerë ish-të përndjekurit?


Pjesa më e madhe e këtyre letrave iu ka mbetur pa shitur. Disa ish-të persekutuar nga varfëria ato i shitën me 0.4% të vlerës. E mos flasim për 'Anglo-Adriatikën' që përpara afro 10 vjetësh ishte si një firmë piramidale për letrat me vlerë, ku dolën të gjithë të humbur.


Gjithsej sa para në dorë keni marrë ju apo secili nga ju gjatë njëzet vjetëve pasi dolët nga burgjet komuniste?


Mund t'i pyesësh të gjithë ish-të persekutuarit një për një. Kush kishte bërë deri në 10 vjet burg ka marrë 100 mijë lekë në dorë. Dhe kush kishte mbi 10 vjet burg ka marrë 200 mijë lekë. Dhe asnjë lek më shumë se sa kaq.


Pensionet tona vërtiten ashtu si të gjithë shqiptarëve të tjerë; 13.000-14.000 lekë/muaj, ndërkohë që ata që na persekutuan janë ende hetues, avokatë, të pasur dhe me poste.


Me ne po veprohet si me asnjë qytetar normal apo zyrtar të korruptuar që akuzohet apo burgoset dhe më pas fiton pafajësinë dhe merr dëmshpërblimin menjëherë. Ne dihet se ç'vuajtje e tortura kemi kaluar, por nuk na jepet si të tjerëve. Kjo është padrejtësi e pabesueshme.


Çfarë konkretisht i kërkoni qeverisë shqiptare për herë të fundit sot përpara se të niseni drejt asaj europiane?


I kërkojmë shtetit dëmshpërblim hetuesie dhe burgu sipas Kodit Penal dhe Kushtetutës. Ne akoma nuk kemi marrë këstet që na janë premtuar që do marrim pak nga pak çdo vit brenda 8 vjetëve. Këstin e 2010-ës na thanë do ta merrni në 2011, por me përmbytjet që ndodhën në Shkodër, as kemi besim se do t'i marrim.


Plus ne jemi një specie në zhdukje. Bashkëvuajtësit tanë po fiken dita-ditës. Iu është shkurtuar jeta nga vuajtjet. Nga 6000 që ishim në 1991, kemi mbetur 1800 ish-të burgosur.


Nuk mund të presim 8 vjet për të marrë çfarë na takon. Gjithashtu, duam që për ata që nuk i kanë përdorur letrat me vlerë, t'ia kthejnë ato shtetit dhe shteti të na i konvertojë me lekë.


Gjergj Ndreca:

"Heqja e vizave, jemi të lirë vetëm pas 70 vjetësh"

"Për herë të parë do takojmë engjëjt, se ne jemi njerëz që flasim nga varri, edhe pse disave që nuk na duan po u vjen keq që nuk na e prenë dot gjuhën.", thotë ish-i burgosuri politik, Gjergj Ndreca. Po cilët janë engjëjt që mund të ëndërrojë një ish-i persekutuar?


Janë edhe njerëz që kanë emrin Tanja Fajon, i parë si ëngjëll sepse bëri të mundur vizat për shqiptarët dhe lidhjen e tyre me Europën, apo José Manuel Barroso. "Kemi respekt dhe besim te Barroso, se kemi parë se si ka mirëpritur dhe trajtuar kombe të tëra", thotë Gjergj Ndreca.


Për të, data 15 dhjetor e ikjes në Europë pa viza është data e Çlirimit të ish-të persekutuarve pas 70 vjetësh vuajtje si në komunizëm, e si në 'neokomunizëm', siç e emërtojnë shpesh ata periudhën e fundit në atdheun e tyre.


"Nuk jemi aq të egër siç duan të na paraqesin. Ne nuk i kemi bërë keq kujt. Vetëm na kanë bërë keq. Ne e duam vendin tonë dhe do i themi Europës: "Jemi shqiptarë autoktonë, jemi krenaria e kombit.


Duam të jetojmë me dinjitet në atdheun tonë, por a ka Shqipëri për ne, kur shokët tanë janë bërë të mbledhin kanaçe për të mbijetuar dhe nuk janë ata të standardeve që paraqet qeveria jonë duke gënjyer?


Nëse Baroso do të na kishte takuar në Qafë të Barit dhe do të shihte se si njerëzit që na thyen kurrizin dikur e na torturuan, janë ulur sot në poltrone të larta të vendit, si do të ndihej vallë?"...mbyll me një pyetje retorike ish-i burgosuri politik Gjergj Ndreca.


 

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›