Banorë në mjerim!

Banorë të qendrave turistike Shirokë e Zogaj veçse me praninë e ujit, mungesën e energjisë elektrike, duhet të përballen tashmë edhe me uljen e madhe të temperaturave. Furtuna e së enjtes i ka trembur edhe më shumë banorët.
"Menduam se ky ishte fundi. Nuk kishim parë ndonjëherë liqen të tillë, dallgë kaq të mëdha. Ishte e tmerrshme"
SHKODËR - Ulja e temperaturave i ka përballur banorët e përmbytur me të tjera vështirësi. Ata që janë ende në banesat e tyre dhe që nuk kanë energji elektrike, përveç ujit të pranishëm në shtëpi tani duhet të përballen dhe me të ftohtët. Ndonëse niveli i ujit ka pësuar rënie, përsëri në qytet e Nënshkodër lëvizet me varka.
Një ndër qendrat turistike më të njohura, Shiroka e Zogaj, dy lagje këto të qytetit të Shkodrës në brigjet e liqenit me të njëjtin emër, thuajse janë shkatërruar. Banesat janë lart dhe nga banorët e këtyre zonave mësohet se disi kanë mundur të shpëtojnë, por bizneset dhe ndërtimet poshtë janë shkatërruar plotësisht.
Në Shirokë e Zogaj shkohet vetëm me varkë, ndërsa nga banorë të këtyre lagjeve mësohet se furtuna e të enjtes mbrëma ka çuar dallgë të papara ndonjëherë në liqen dhe këto kanë dëmtuar dhe disa shtëpi në mal, pa folur për rrugën që është gërryer e prishur në disa vende.
"Menduam se ky ishte fundi. Nuk kishim parë ndonjëherë liqen të tillë, dallgë kaq të mëdha. Ishte e tmerrshme",- tregon një peshkatar nga Shiroka, i cili ka mbërritur me varkën e tij në qytet për të blerë ushqime. Dëmet në biznes janë edhe më të mëdha po të kihet parasysh fakti se në këtë zonë janë me dhjetëra lokale që janë frekuentuar në çdo stinë të vitit.
Ishulli i Velipojës
Por stuhia e së enjtes mbrëma ka dëmtuar dhe bizneset në zonën e Plazhit në Velipojë duke i hedhur në det dhe ndarë në pjesë lokalet e kësaj zone, kryesisht tek Viluni. Velipoja vazhdon të jetë një ishull dhe komunikimi bëhet vetëm me varka ose nga deti. Në fshatin Rrjoll është dëmtuar ura e ndërtuar në tetor që e lidhte këtë fshat me Plazhin dhe pjesën tjetër të komunës.
Banorë të zonës tregojnë se pjesë të urës janë gjetur disa qindra metra më tej në det, nga peshkarexhat që kanë sjellë ndihma nga deti për banorët e evakuuar. Mësohet se ato i kanë lënë diku, por nuk janë marrë për t'u ruajtur në mënyrë që të shërbejnë për riparimin e urës. Përveç pamundësisë së komunikimit, banorët e Rrjollit, por dhe të Baksit të Vjetër janë pa energji elektrike.
Por banorët e këtyre fshatrave të izoluar përballen dhe me mungesë të energjisë elektrike, ku sipas banorëve vetëm në një natë dritat ikin e vijnë 6 herë. Kjo sipas tyre ndodh dhe për faktin se rrjeti elektrik është tepër i amortizuar dhe në të nuk ndërhyhet. Mëngjesin e së shtunës është çarë argjintura e Vilunit, por ata që kanë qenë pranë saj, kanë ndërhyrë fuqishëm për mbylljen e së çarës rreth 50 metra.
Ushtria dhe firmat private të ndihmuara dhe nga komuniteti kanë bërë të mundur evitimin e çarjes së mëtejshme të argjinaturës së Vilunit, e cila do të kishte pasoja për furnizimin me ujë e energji elektrike të banorëve të Lezhës.
Specialisti: Të ndërhyhet
Gjovalin Zekaj, banor i Velipojës dhe specialist i pyjeve dhe mjedisit, thotë për gazetën "Shekulli" se është e domosdoshme të ndërhyhet me thellim të grykës së vjetër të Vilunit. Sipas Zekajt, pjesa më e madhe e ujit kalon në kanalet dhe më pas në lagunë dhe në det. "Dy kanalet tek ura e pare dhe e dytë në Baks të Ri marrin ujin nga ai i Mërtemzës dhe e derdhin tek Viluni.
Por gryka e Vilunit është ngushtuar dhe për këtë duhet të ndërhyhet me draga që të thellohet. Kjo që ka ndodhur sivjet, nuk ka ndodhur prej së paku 150 vitesh. Janë rreth 200 metra nga derdhja e kanalit të hidrovorit deri në grykën e Vilunit tek të cilat duhet ndërhyrë që të bëhet thellimi dhe uji të shkarkohet në det normalisht.
Gryka e Vilunit është ngushtuar e mbyllur së tepërmi nga depozitimet e inerteve dhe nga hidrovori që thith bashkë me ujin dhe materiale të tjera dhe i derdh këtu. Kjo vërtetohet nga fakti që në vitet '70-'80 nëpër këtë grykë kanë kaluar normalisht peshkarexhat, në vitin 2000 kjo grykë ishte rreth 50 m e gjërë dhe 3 m e thellë.
Kur gryka ka qenë e pambushur, ka qenë më e madhe sipërfaqja e shkarkimit të ujërave në det. Pra, shteti duhet të ndërhyjë me draga për ta zgjeruar grykëderdhjen tek Viluni dhe të rrisë mundësinë e shkarkimeve.
Një tjetër problem që lidhet ndoshta me të ardhmen, por që duhet pasur parasysh pasi minimizon efektet e përmbytjeve të mundshme të cilat nuk po dihet se kur ndodhin, është dhe rruga që do të ndërtohet nga Baksi i Ri deri në Rrjoll. Kjo rrugë ka filluar, por u ndërpre nga përmbytjet.
Është plotësisht e mundshme që kjo rrugë të ndërtohet e lartë dhe të shërbejë edhe si argjinaturë mbrojtëse, pra si bend. Është rreth 2 km e gjatë nga Baksi i Ri deri tek Kroi i Kadushit dhe po të bëhet e lartë rreth 3 metra, shërben dhe si mbrojtje për fshatrat e Gadushit, Baksit të Ri", përfundon Zekaj.
Jetesë në varkë
Banorët e Dajçit të cilëve u janë mbytur banesat janë evakuuar më së shumti tek të afërmit e tyre. Agim Isaja nga fshati Mushan ka marrë me vete atë çfarë ka mundur të shpëtojë për t'u vendosur në fshatin Trush. Së bashku me bashkëshorten, ajo çfarë ka mundur të shpëtojë janë vetëm disa batanije dhe thasë. "Mbaroi gjithçka, shtëpia e jetesa.
Ka mbi 1 metër ujë dhe për 7 ditë kemi jetuar bashkë me gruan në varkë. Aty jemi errur e zbardhur, pasi në shtëpi ka ujë. Kam pasur një pulari të vogël me rreth 500 copë pula, 300 i mori uji, 200 munda t'i dërgoj tek vëllezërit e gruas në Melgushë. Në shtëpi ka mbaruar gjithçka dhe uji është 1 metër mbi divanë. Shkuam dhe e pamë dhe me atë çfarë ka shpëtuar, po ikim.
Kam pasur dhe një serë të vogël të ngritur para tre muajsh, ku kisha mbjellë spinaq e perime tjera të dimrit, por edhe ajo mbaroi. E gjithë pasuria ime është ky grusht rrobash që kam me vete.
Dëmin nuk mund ta vlerësosh dot, pasi vlerësimi ynë nuk merret parasysh. Shteti duhet të vijë e ta bëjë këtë. Kjo përmbytje nuk është si në janar. Asaj të janarit ia bëmë hallall. Ku me e marrë të ishte aq, por ja që është shumë më keq dhe nuk ka ndodhur asnjëherë kështu.
Nuk kemi ku të flejmë por do shkojmë tek të afërmit. Për punë nuk bëhemi as në shtator, jo që nuk po i dihet këtyre përmbytjeve, vetëm kur shohim ujin që na mbulon e nuk lë kohë të bëjmë asgjë",- shprehet Agim Isaja nga fshati Mushan i Dajçit.
Të hënën nis mësimi në disa shkolla
SHKODËR - Mësimi në shkollat e Shkodrës që nuk kanë probleme me ujin do të fillojë të hënën. Kjo është pohuar nga shtabi i emergjencës pas propozimit të ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj.
Ato shkolla që nuk kanë probleme përmbytjeje, dhe ku mund të bëhet transporti i mësuesve, mësimi do të rifillojë të hënën. Këto shkolla të arsimit parauniversitar janë në qytet dhe në komuna, pasi jo në të gjitha fshatrat ka probleme përmbytjeje. Gjatë këtyre ditëve pushim, mësuesit kanë bërë planifikimin e ngjeshjes së temave dhe plotësimit të programit mësimor.
DAR në Shkodër, nisur dhe nga përvoja e fituar në muajin janar, ka planifikuar dhe programuar rikuperimin e orëve të humbura për çdo ditë kur nuk është bërë mësim. Megjithatë, mësimi do të vazhdojë të jetë i pamundur në shkollat që janë të përmbytura deri në largimin e ujit dhe përgatitjen e ambienteve për të bërë mësim.
Topalli: Situata jashtëzakonisht e rëndë
SHKODËR - Topalli ka vizituar të shtunën hyrjen e qytetit ku ka pasur një tërheqje uji rreth 500 m dhe rënie të nivelit të tij, si dhe ka inspektuar qendrën e paketimit të ndihmave ushqimore për familjet e përmbytura. "Megjithëse ka një ulje modeste të largimit të ujit të liqenit nga rrugët e qytetit duke kaluar sot edhe njëherë në hyrje të Shkodrës, është një situatë jashtëzakonisht e rëndë.
Liqeni ka dëmtuar të gjitha dyert, xhamat e dritareve, të lokaleve, dyqaneve në pazarin e vjetër, e në hyrje të qytetit. Është një gjendje e trishtuar, shtuar kësaj dhe uljen e temperaturave, që e bën më të rëndë dhe më të komplikuar situatën",- u shpreh Topalli e cila pas kësaj ricitoi sulmet ndaj liderit të opozitës.
Të evakuuarit që janë të akomoduar në konviktet e shkollave Industriale dhe të Muzikës janë vizituar dhe nga Teuta Topi. Në ditën e mëparshme ishin Liri Berisha dhe Jozefina Topalli që vizituan dy konviktet e tjera ku janë të evakuuarit, ato të shkollës pyjore dhe të gjuhëve të huaja.