E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do të vijojnë studimet mbi gjuhën

Gazeta Shqip

Këshilli Ndërakademik

Pas dy ditësh diskutimesh, Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe përmes një njoftimi për shtyp, ka bërë të ditur propozimet e dala nga kjo mbledhje. Në këtë mbledhje u diskutua dhe u bënë propozime për disa çështje të tjera të drejtshkrimit të zanoreve e të bashkëtingëlloreve në shqipen standarde, si në disa fjalë që kanë zanore ë të patheksuar a të theksuar, togje zanoresh oo, ii, uu, bashkëtingëllore j/nj dhe zanore i, bashkëtingëllore r/rr, l/ll, bashkëtingëllore të shurdhëta a të zëshme, bashkëtingëllore dyshe dh, th, sh, xh, zh, nj, gj. Veç këtyre, u diskutuan edhe disa çështje që lidhen me përdorimin e shkronjave të mëdha. Për diskutimin e këtyre çështjeve, Këshillit iu paraqit një material i përgatitur më parë nga dy grupet e gjuhëtarëve specialistë për drejtshkrimin, që funksionojnë pranë këtij Këshilli në Tiranë e në Prishtinë. Pas studimit të çështjeve, çdo anëtar i grupeve ka paraqitur mendimet dhe argumentet e veta për ndryshimet e mundshme, të cilat, pasi janë shkrirë në një material të vetëm, janë diskutuar gjerësisht në grup. Në materialin përfundimtar për Këshillin janë përfshirë ato çështje, që kanë pasur argumentim shkencor të plotë e më të përgjithshëm, bashkë me argumentet, kundërargumentet e kundërshtimet e anëtarëve të grupeve, thuhet në njoftim. Diskutimet në Këshill duket se janë përqendruar në disa çështje konkrete të drejtshkrimit, që nuk cenojnë bazën e nuk prekin sistemin e shqipes standarde. U dhanë mendime e u bënë propozime për njësimin e rasteve të njëjta me zgjidhje të dyfishtë në drejtshkrimin e sotëm, si gjatë fleksionit, ashtu edhe gjatë formimit të fjalëve, për mënjanimin a pakësimin e mundshëm e të dobishëm të përjashtimeve, për thjeshtimin e mëtejshëm të ndonjë rregulle të drejtshkrimit në pajtim me gjendjen e sotme të shqipes standarde etj. Diskutimet qenë të hapëta, me argumente shkencore dhe me frymë bashkëpunuese për ti shërbyer gjuhës sonë të përbashkët, për të gjetur zgjidhje më të mira që lehtësojnë zotërimin e përdorimin e drejtë të saj, thuhet në njoftim. Duket se akademikët kanë pranuar se çështjet e drejtshkrimit janë të ndërlikuara dhe kërkojnë më tepër studim. Në mbledhje u theksua se disa çështje të tilla të drejtshkrimit janë të gjera dhe të ndërlikuara dhe kërkojnë studim të mëtejshëm, pra, mbetet detyrë e gjuhëtarëve dhe e institucioneve shkencore përkatëse që merren me gjuhën shqipe, të thellojnë studimet që ndihmojnë edhe për zgjidhjen më të mirë të problemeve të ndryshme të drejtshkrimit të shqipes standarde, thuhet në njoftim. Propozimet për zgjidhjet konkrete do tu përcillen tani dy Akademive, asaj të Shkencave të Shqipërisë dhe të Kosovës. Çështje të tjera të drejtshkrimit, të fushës së morfologjisë e të sintaksës ose që lidhen me gjuhën amtare në shkollë, me përdorimin e saj në publicistikë etj., do të shqyrtohen në mbledhjet e ardhshme të Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, thuhet në njoftim. Më 16 prill 2013, u mblodh në Tiranë Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, organ i themeluar nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (më 2004), me autoritet shkencor për shqyrtimin e çështjeve që lidhen me zhvillimin, përsosjen e përdorimin e shqipes standarde. Kjo është mbledhja e tretë e Këshillit që mbahet në Tiranë gjatë viteve 2012-2013. Në mbledhjen e parë, më 7 mars 2012, u diskutua, u nxorën përfundime dhe u bënë propozime për çështje të leksikut, të terminologjisë dhe të anglicizmave në shqipen e sotme standarde. Në mbledhjen e dytë, më 27 qershor 2012, u diskutua rreth disa rasteve të drejtshkrimit të zanores ë të patheksuar në shqipen standarde. Mbledhja e radhës e Këshillit është vendosur të mbahet në Prishtinë.

Do të vijojnë studimet mbi gjuhën burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›