E Shtunë, 31 Tetor 2026

Do t’ia dalim në veri

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, është e vetëdijshme se nuk do t’i kenë të lehtë organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në veri, por është shprehur e bindur se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit do të rezultojnë me sukses. Ajo ka thënë se brenda tre-katër ditëve do të arrihet marrëveshja me OSBE-në për ta ndihmuar procesin e zgjedhjeve në veri.
“Për KQZ-në natyrisht se organizimi dhe mbajtja e zgjedhjeve në veri janë sfida, por besoj se me ndihmën e OSBE-së do të kemi zgjedhje të suksesshme dhe do t’ia dalim”, ka thënë Daka.

Ajo ka thënë në intervistën për “Epokën e re” se qytetarët serbë në veri nuk kanë arsye të mos dalin në zgjedhje pasi është krijuar një klimë e mirë me arritjen e marrëveshjes në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve fqinjësore.

“Besoj shumë që qytetarët e pjesës veriore të Kosovës do të dalin në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit. Po ashtu, mendoj se është një klimë e mirë, sidomos pas arritjes së marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka deklaruar Daka.

Daka u ka bërë thirrje subjekteve politike ta respektojnë ligjin dhe të kenë parasysh se mbarëvajtja e zgjedhjeve varet edhe prej tyre.

“Përgjegjësia për manipulimet eventuale bie mbi subjektet politike, kurse për gabimet teknike barra mund t’i bie KQZ-së, sepse KQZ-ja është organi i cili teknikisht i organizon zgjedhjet. Me këtë rast u bëj thirrje të gjitha partive politike që ta respektojnë ligjin, të vetëdijesohen dhe të kenë parasysh që zgjedhjet varen edhe prej tyre”, është shprehur Daka. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›