Dobjani: Të ndryshohen pensionet e ushtarakëve
Ligji i ri i miratuar nga qeveria për sigurimet shoqërore suplementare për punonjësit e policisë së shtetit konsiderohet me frymë antikushtetuese nga Avokati i Popullit. Pas ankesave të marra nga sindikata e policisë dhe nga punonjës të saj, ky institucion ka analizuar ligjin e ri dhe ka evidentuar se ai cënon rëndë disa të drejta të kësaj kategorie.
Avokati i Popullit e ka dërguar çështjen në Gjykatën Kushtetuese dhe i kërkon këtij institutioni të pezullojë menjëherë ligjin deri në marrjen e një vendimi nga Gjykata, si dhe shfuqizimin e disa neneve të tij. Sipas tij, këto nene janë të papajtueshme me Kushtetutën, sepse cënojnë të drejtat ekonomiko-financiare të punonjësve të Policisë së Shtetit, të përfituara me aktet normative të mëparshme.
"Ne gjykojmë se dispozitat e këtij ligji cënojnë rëndë një nga parimet e rëndësishme të ndërtimit dhe funksionimit të shtetit të së drejtës, atë të sigurisë juridike, për të drejtat e fituara dhe të besimit të qytetarëve te shteti, parim që është sanksionuar në nenin 4 të Kushtetutës tonë.
Ky parim mund të preket vetëm në raste përjashtimore, kur është fjala për të mbrojtur një interes publik. Në këtë rast nuk ndodhemi në kushte të tilla, sepse nuk kemi asnjë interes publik të cënuar nga përfitimet e mëparshme të punonjësve të Policisë së Shtetit",- thuhet në kërkesën dërguar Gjykatës Kushtetuese nga Avokati i Popullit.
Ky institucion shprehet se ligji i ri përkeqëson disa kritere përfitimi, duke i përkeqësuar ato dje dhe mohon ose cënon disa të drejta të përfituara më parë me ligj, megjithëse kushtet e subjekteve përfituese mbeten të pandryshueshme. Gjithashtu, sipas Avokatit të Popullit, ligji i ri barazon në trajtim punonjësit e Policisë së Shtetit me ushtarakët etj, ndërkohë që ata nuk kanë kushte pune e vështirësie të njëjta.
"Ai diskriminon hapur ata punonjës që janë dënuar duke ju dhënë një dënim tjetër kryesor, të pa caktuar me ligj",- deklaron ky institucion. Sipas Avokatit të Popullit, dispozitat e tij nuk respektojnë kërkesat kushtetuese për mbrojtjen e të drejtave të fituara, por cënojnë pozitën juridike të punonjësve të Policisë së Shtetit në detyrë, në pension të parakohshëm dhe të atyre që përfitojnë pension suplementar duke prekur nevojat jetike të tyre.
"Ligji i mëparshëm nr. 8661, datë 18.09.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit" dhe ligjit nr. 9749, dt. 04.06.2007 "Për Policinë e Shtetit" kishin përcaktuar një pozitë ekonomiko-financiare më të favorshme"-, thuhet në kërkesën e tij.