E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokati: Ku shkelen të drejtat e punonjësve

Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese jepen tetë argumentet mbi cënimin e të drejtave

Një nga problemet që ka nxjerrë në pah Avokati i Popullit në ligjin e ri "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit", sipas të cilit cënohet rëndë e drejta për përfitime suplementare është rritja e kohës së vjetërsisë në shërbim për efekt të përllogaritjes së përfitimeve.


Element tjetër, që sipas këtij institucioni cënon rëndë të drejtat e kësaj shtrese është ulja e masës së pagës referuese, e cila është bazë për llogaritjen e përfitimeve nga ligji. "Sipas nenit 4 të ligjit të ri, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.


Ndërsa sipas nenit 5, gërma "b" të ligjit të mëparshëm, paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit",- thuhet në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese.


Pikë tjetër që sipas Avokatit cënon rëndë të drejtat e punonjësve të Policisë së Shtetit është ulja e kohës maksimale të trajtimit me pagesë kalimtare. Avokati i Popullit thotë së sipas nenit 12, pika 3, ajo është bërë deri në 24 muaj, ndërsa sipas nenit 6 të ligjit të mëparshëm, koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare ishte deri në tre vjet.


"Është shtyrë koha për fillimin e trajtimit financiar me pagesë kalimtare të punonjësve të policisë. Sipas nenin 12 të ligjit të ri, pikat 1 e 2, pagesa kalimtare fillon pas dy muajsh nga koha që ai nxirret në rezervë apo lirim d.m.th. në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim.


Ndërsa sipas nenit 6 të ligjit të mëparshëm, trajtimi financiar me pagesë kalimtare fillonte nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare d.m.th. menjëherë pas nxjerrjes në rezervë apo lirim.",- është një nga elementët e tjerë që sipas këtij institucioni cënon rëndë të drejtat e këtyre punonjësve.


Duke u bazuar në këto fakte, Avokati i Popullit deklaron se disa dispozita të ligjit nr. 10142, dt. 15.05.2009 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e të punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë" vijnë në kundërshtim të hapur me frymën e Kushtetutës dhe disa vendime të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, duke shkelur hapur të drejtat kushtetuese dhe ligjore të punonjesve të Policisë së Shtetit të cilat ata i kanë përfituar më parë.

Cënimet:

1. Është rritur koha e vjetërsisë në shërbim për efekt të përllogaritjes së përfitimeve. Sipas nenit 3, pika 3 e ligjit të ri, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë. Ndërsa sipas nenit 5, gërma "a" të ligjit të mëparshëm, në çdo rast, periudha 6 muaj e 1 ditë quhet vit i plotë.

2. Është ulur masa e pagës referuese, e cila është bazë për llogaritjen e përfitimeve nga ligji. Sipas nenit 4 të ligjit të ri, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.


Ndërsa sipas nenit 5, gërma "b" të ligjit të mëparshëm, paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit.


3. Është shtyrë koha për fillimin e trajtimit financiar me pagesë kalimtare të punonjësve të policisë. Sipas nenin 12 të ligjit të ri, pikat 1 e 2, pagesa kalimtare fillon pas dy muajsh nga koha që ai nxirret në rezervë apo lirim d.m.th. në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim. Ndërsa sipas nenit 6 të ligjit të mëparshëm, trajtimi financiar me pagesë kalimtare fillonte nga data e ndërprerjes së marrdhënieve financiare d.m.th. menjëherë pas nxjerrjes në rezervë apo lirim.


4. Është ulur koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare. Sipas nenit 12 të tij, pika 3, ajo është bërë deri në 24 muaj (dy vjet), ndërsa sipas nenit 6 të ligjit të mëparshëm, koha maksimale e trajtimit me pagesë kalimtare ishte deri në tre vjet.


5. Është ulur masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi. Sipas nenit 14, pika 1 e ligjit të ri, pensioni i parakohshëm për personat që plotësojnë kushtet e përfitimit, është 50 % e pagës mesatare referuese mujore.


Ndërsa sipas nenit 12 të ligjit të mëparshëm ajo ishte 50 % e pagës referuese, që sipas nenit 5, gërma "b" të ligjit të mëparshëm, paga referuese është paga bazë mujore së bashku me shtesat me karakter të përhershëm, që përfitonte punonjësi në çastin e ndërprerjes së karrierës, por jo më e vogël se paga që ka përfituar në muajin e fundit kalendarik të shërbimit.


6. Është hequr përfitimi për shpenzimet e varrimit dhe ndihma e menjëhershme për pjesëtarët e familjes së punonjësit të policisë që nuk është në detyrë në rast vdekje. Sipas nenit 22 të ligjit të ri, këtë të drejtë e përfitojnë pjesëtarët e familjes së punonjësit të policisë që humb jetën në detyrë apo për shkak të detyrës, d.m.th. kur ai është në detyrë (punë).


Ndërsa sipas nenit 11 të ligjit të mëparshëm, këtë të drejtë e përfitonin jo vetëm familjarët e punonjësit të policisë aktivë, por edhe familjarët e punonjësit të policisë në dispozicion, të pezulluar, me pagesë kalimtare, në pension, student, kursant ose ushtar.


7. Sipas nenit 27 të ligjit të ri, nuk përfitojnë nga ky ligj ushtarakët e nxjerrë në lirim, për shkak se janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë me burgim, për krime të kryera me dashje.


Përjashtimi i kësaj kategorie (ushtarakët e dënuar me burgim) për të përfituar nga ky ligj është diskriminues, nuk është i drejtë dhe kushtetues sepse bie ndesh me qëllimin e vetë ligjit.


Kuptohet qartë se të gjitha subjektet përfituese nga ky ligj iu garantohen këto përfitime suplementare për shkak të vështirësive të punës e profesionit, rreziqeve të mundshme, të privimit nga shumë të drejta që gëzojnë kategoritë e tjera të punonjësve, si dhe për shkak se gjatë kohës që ata janë aktivë paguajnë kontribut shtesë në masën 2% të pagës referuese.


Përfitimi në këtë rast nuk jepet si shpërblim për "punë të mirë", "për ndershmëri" dhe "për figurë morale të mirë", sepse për demostrimin në punë të këtyre cilësive, jepen dhe aplikohen në mënyrë individuale stimuj materialë dhe moralë për punonjësit.


Pra përderisa edhe personat e dënuar me burgim për krime me dashje kanë punuar në të njëjta kushte dhe kanë paguar nga paga e tyre kontribut shtesë njëlloj sikurse kolegët e tyre, për rrjedhojë edhe ata duhet të përfitojnë nga ky ligj.


Ata, për shkak krimit të kryer nuk mund të rikthehen në vendin e punës dhe të punojnë pas dënimit të tyre në këto struktura, por nuk mund të privohen nga të drejtat social-ekonomike të garantuara nga disa akte normative si:


a) Neni 18/1 i Kushtetutës tonë, sipas te cilit, të gjithë janë të barabartë para ligjit, si dhe me nenin 49/2, sipas të cilit, të punësuarit kanë të drejtën e mbrojtjes shoqërore të punës.


b) Nenin 1 i "Deklaratës universale të të drejtave të njeriut", miratuar dhe shpallur nga Asambleja e Përgjithshme me Rezolutën e saj 217 A, të 10 dhjetorit 1948, në të cilën përcaktohet se: "Të gjitha qëniet njerëzore lindin të lira e të barabarta nga pikëpamja e dinjitetit dhe e të drejtave".


Gjithashtu, është me rëndësi t'ju bëjmë me dije se një mohim i të njëjtës natyrë të kësaj të drejte ka patur edhe ligji nr. 8087, dt. 13.03.1996 "Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë, të ushtarakëve të Ministrisë së Rendit Publik dhe të Shërbimit Informativ Shtetëror", ndryshuar me ligjin nr. 8521, dt. 30.07.1999.


Sipas këtij ligji nuk përfitonin këto të drejta ushtarakët e liruar me motivacionin "për braktisje detyre". Mirëpo me rekomandimin e Avokatit të Popullit, Kuvendi i Republikës së Shqipërise, me ligjin nr. 8948, dt. 03.10.2002, bëri ndryshimin në nenin 19/1 të ligjit të cituar më sipër, duke hequr shprehjen "për braktisje detyre" dhe shtuar një paragraf, i cili i jep fuqi prapavepruese kësaj dispozite.


Heqjen nga ligji të dispozitave përjashtuese nga përfitimi i të drejtave shoqërore suplementare ne e kemi patur objekt të punës tonë edhe vitin e kaluar, lidhur me nenin 21 të ligjit nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit".


Sipas kësaj dispozite, nuk përfitonin të ardhura suplementare punonjësit e policisë të përjashtuar nga policia për braktisje të detyrës ose që janë dënuar me burg nga gjykata me vendim të formës së prerë.


Meqënëse kishte kaluar afati për t'u drejtuar Gjykatës Kushtetuese, ne i bëmë rekomandim Kuvendit për shfuqizimin e kësaj dispozite. Mirëpo megjithse me ne u bashkua edhe një grup prej 12 deputetësh që paraqiti projektligjin, Kuvendi nuk arriti ta merrte në shqyrtim atë.


8. Në nenin 29 të ligjit të ri është parashikuar rillogaritja e pensioneve të parakohshme për vjetërsi shërbimi dhe pensionet suplementare të caktuar me ligjin nr. 8661, datë 18.9.2000 "Për sigurimin shoqëror suplementar të punonjësve të Policisë së Shtetit".


Kjo dispozitë iu mohon në mënyrë të hapur të drejtat e njohura dhe përfituara nga ligji i mëparshëm apo nga vendimet e gjykatave për një numër të konsiderueshëm të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët janë nxjerrë në lirim për shkak të reformës në Policinë e Shtetit dhe trajtohen me pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, me pension suplementar apo me vendime gjyqësore.


Në bazë të nenit 142/3 të Kushtetutës, organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore. Ndërkohë kujtojmë se në asnjë akt normativ që ka fuqi në Republikën e Shqipërisë nuk është parashikuar që vendimet gjyqësore të shfuqizohen me ligj. Ato mund të ndryshohen dhe shfuqizohen vetëm nga gjykatat më të larta.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›