Dogana referon në SPAK një rast të dyshuar mashtrimi me dokumente të falsifikuara, njofton edhe OLAF

TIRANË, 29 korrik /ATSH/ Administrata Doganore ka referuar në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) një rast të dyshuar që lidhet me përdorimin e dokumenteve të falsifikuara, të paraqitura si të lëshuara nga autoritetet shqiptare, për kryerjen e operacioneve fiktive të zhdoganimit dhe eksportit nga vendet e Bashkimit Europian.
Lajmi u bë i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, i cili theksoi se rasti është kallëzuar pranë SPAK, ndërsa është vënë në dijeni edhe Zyra Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), me qëllim bashkëpunimin në hetimin e kësaj veprimtarie të dyshuar të paligjshme.
Sipas Bejës, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara që paraqiten si dokumente zyrtare shqiptare përbën një shkelje të rëndë që cenon integritetin e sistemit doganor dhe interesat financiare të Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
“Për këtë rast, përveç referimit në SPAK, Dogana Shqiptare ka njoftuar edhe Zyrën Europiane Kundër Mashtrimit (OLAF), me qëllim bashkëpunimin institucional për hetimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme”, u shpreh Beja.
Drejtori i Përgjithshëm i Doganave nënvizoi se administrata doganore mbetet e angazhuar në luftën kundër mashtrimeve dhe çdo forme të paligjshmërisë, në bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit.
“Dogana Shqiptare mbetet e angazhuar për të përmbushur me përgjegjësi misionin e saj ligjzbatues, duke luftuar çdo formë të paligjshmërisë në mbrojtje të interesave financiare të Republikës së Shqipërisë dhe të Bashkimit Europian”, deklaroi Beja.
/e.xh/a.f/