E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat: Mbi dy milionë euro transaksione të dyshimta përmes “tax free”, dy raste në Prokurori

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Mbi dy milionë euro në transaksione të dyshimta të kryera përmes skemës “tax free” janë evidentuar nga administrata doganore shqiptare, në kuadër të një procesi verifikimi të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet doganore italiane.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bëri të ditur se verifikimet lidhen me periudhën janar 2022 – korrik 2025 dhe kanë në fokus mbi një mijë faturime individuale, të ndara në dy raste, me vlerë totale rreth 2,02 milionë euro.

Sipas Doganave, rasti i parë përfshin transaksione në vlerën rreth 988 684 euro, ndërsa rasti i dytë rreth 1 033 338 euro.

Hetimi është zhvilluar në bashkëpunim me administratën doganore italiane, ADM – Direzione Antifrode e Controlli, si dhe me institucionet e tjera ligjzbatuese në vend, në kuadër të shkëmbimit të informacionit mbi transaksionet e dyshimta.

Nga analiza e të dhënave janë evidentuar një frekuencë e lartë transaksionesh, mospërputhje në destinacionin e mallrave dhe mungesë e burimeve të ligjshme të të ardhurave që do të justifikonin nivelin e blerjeve.

Sipas të dhënave të administratës doganore, në disa raste janë konstatuar mesatarisht rreth 13 fatura në muaj, ndërsa janë evidentuar edhe grupime prej 9 deri në 11 faturash brenda një dite të vetme.

Skema e dyshuar lidhet me blerjen e mallrave në Itali, deklarimin e tyre për përdorim personal dhe përfitimin e rimbursimit të TVSH-së përmes sistemeve “tax free”. Sipas hetimit, një pjesë e mallrave dyshohet se janë futur më pas në Shqipëri për qëllime tregtare, pa kryer procedurat e detyrueshme të deklarimit të importit.

Materialet paraprake dhe gjetjet e hetimit i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e procedurave përkatëse.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave theksoi se do të vijojë bashkëpunimin me administratat homologe ndërkombëtare dhe institucionet ligjzbatuese, me fokus mbrojtjen e interesave financiare dhe luftën kundër evazionit doganor dhe formave të tjera të paligjshmërisë.

/e.xh/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›