Skema Kombëtare 2026, mbi 6 609 pagesa të autorizuara për fermerët

TIRANË, 29 shtator /ATSH/ Mbi 6 609 pagesa për fermerët përfitues nga Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 janë autorizuar dhe kanë kaluar në Thesarin e Shtetit, në pritje të transferimit në llogaritë bankare të fermerëve.
Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural (AZHBR) njoftoi se procesi i pagesave vijon me ritëm të plotë, ndërsa po punohet për autorizimin e të gjitha pagesave për përfituesit e skemës.
Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi 2026 ka regjistruar 42 728 aplikime nga fermerë në të gjithë vendin dhe fondi i planifikuar për skemën është 5,2 miliardë lekë.
Skema përfshin 12 masa mbështetëse, 9 prej të cilave janë masa direkte dhe 3 masa investimi, duke mbuluar fusha si blegtoria, bletaria, fermat organike, mekanizimi i bujqësisë, ndërtimi dhe rikonstruksioni i staneve, si dhe mbështetja për fermerët e rinj.
Sipas AZHBR-së, procesi i pagesave do të vijojë deri në autorizimin e plotë të përfitimeve për fermerët e kualifikuar.

/e.xh/r.e/a.f/