E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat aplikojnë çmime reference dy herë më të larta për frutatNga TemaÇmimet e referencës janë duke u shndërruar pa ndalur në pengesën më të madhe për bizneset, por edhe për konsumatorët e thjeshtë. Në të gjitha doganat e vendit vazhdojnë të apliko

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Doganat aplikojnë çmime reference dy herë më të larta për frutatNga Tema

Çmimet e referencës janë duke u shndërruar pa ndalur në pengesën më të madhe për bizneset, por edhe për konsumatorët e thjeshtë. Në të gjitha doganat e vendit vazhdojnë të aplikohen çmime reference për mallrat e importuara dhe nuk merret aspak në konsideratë çmimi real, me të cilin janë blerë këto mallra.

Kështu, në doganat e vendit importuesit janë të detyruar të paguajnë çmim më të lartë për zhdoganimin e mallit se sa do të duhet të paguanin në të vërtetë. Të dhënat zyrtare bënë me dije dje se importi i frutave është ndër më të dëmtuarit nga çmimet e referencës.

Në tregun e huaj një kilogram mandarina blihet për 0,2 euro, ndërkohë dogana nuk i merr parasysh faturat ku deklarohet ky çmim, por llogarit çmimin gjysmë euro. Për rrushin, dogana llogarit çmimin një euro, ndërkohë që në fakt ai blihet në tregun e huaj, e kryesisht në Maqedoni për gjysmë euro.

Në fakt për të gjitha mallrat që vijnë nga importi doganat përdorin çmime të referencës dhe kjo gjë ka nisur që para katër vitesh. Në përpjekje, siç u tha atëherë, për të ndaluar abuzimet, qeveria vendosi të përdorë çmime reference. Kjo do të thotë që qeveria e di se sa është një çmimi i një malli në tregun e huaj dhe nuk pranon që dikush mund ta blejë më lirë, dhe ajo e llogarit tatimin në bazën e vlerës që ajo ka caktuar.

Për gjatë gjithë këtyre viteve ka pasur debate, pasi shumë tregtarë dhe biznese janë ankuar, duke akuzuar madje dhe për dëmtim të konkurrencës apo për privilegje ndaj bizneseve të caktuara. Drejtoria e Doganave thotë se ajo i mban çmimet e referencës në përputhje me çmimet reale, por kjo në fakt nuk mund të jetë kurrë e vërtetë, pasi çmimet lëvizin dhe nga ana tjetër bëhet fjalë për biznes, ku në mes ka marrëveshje tregtie. Drejtoria e Doganave është përpjekur që t’i ndryshojë referencat shpesh, në mënyrë që t’i përgjigjet lëvizjes së çmimeve në treg.

Arsyeja pse mbahen çmimet e referencës në dogana ka të bëjë me pafuqinë e administratës për të përballuar planet e mbledhjes së të ardhurave dhe kjo është gjetur si një masë e mirë për të mbledhur më shumë taksa. Referencat mund të kishin kuptim, në rast se në dogana do të mbërrinte mall pa faturë, gjë që nuk mund të ndodhë realisht. Në rastin kur malli vjen me faturë çmimesh nga importi, thjesht duhet të paguhet tatimi në bazë të vlerës së blerjes dhe jo të asaj që kërkon administrata doganore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›