"Nëse kutitë mbahen forcërisht të mbyllura, do kërkojmë me forcë largimin e qeverisë"Nga Edi RamaSot jemi në këtë bulevard të Dëshmorëve të Kombit më të shumtë se kurrë, sepse sot më shumë se kurrë duam të tregojmë që e duam Shqipërinë si gjithë Evro
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
"Nëse kutitë mbahen forcërisht të mbyllura, do kërkojmë me forcë largimin e qeverisë"Nga Edi RamaSot jemi në këtë bulevard të Dëshmorëve të Kombit më të shumtë se kurrë, sepse sot më shumë se kurrë duam të tregojmë që e duam Shqipërinë si gjithë Evropa.
Sot më shumë se kurrë duam të provojmë se liria e votës dhe e drejta për numërimin e ndershëm të saj, janë për ne një liri dhe e drejtë që nuk blihet, nuk shitet, nuk negociohet.
Sot më shumë se kurrë duam të refuzojmë vazhdimin e historisë së zgjedhjeve pa standarde evropiane në Shqipëri, që zgjasin historinë e qeverisjeve pa standarde evropiane për Shqipërinë, që zvarrisin shqiptarët në rrugët e një jete pa standarde evropiane brenda Shqipërisë.
Kjo nuk është një luftë për pushtet, po një betejë për dinjitet.
Një betejë për drejtësi.
Një betejë për liri e të drejta njerëzore, që nuk na i jep dhuratë dhe as na i merr dot peng pushteti i radhës. Një betejë për demokraci në jetën shqiptare që duhet të ketë në qendër qytetarin, jo pushtetarin.
Sot më shumë se kurrë ne kundërshtojmë që shteti i të gjithëve të jetë mjet përfitimi në duart e disave.
***
Sali Berisha u ankua mbrëmë nga kutia e mbyllur e parlamentit se unë po e shaj, duke shpifur për të e për njerëzit e familjes së tij.
E pavërtetë!
Kurrë s’më ka shkuar ndërmend të merrem me jetën personale e me njerëzit e familjes së kujtdo qoftë, as të kundërshtarit politik. Këtë Sali Berisha e ka bërë gjithë jetën e tij si një stalinist i pandreqshëm.
E ka bërë në kohën e diktaturës komuniste, kur ka arritur deri edhe të persekutojë personalisht e të internojë një familje të pafajshme.
E ka bërë edhe më vonë e deri në ditët tona, kur është marrë me gratë, vajzat, djemtë, motrat, nipërit, mbesat, kushërinjtë e çdo kundërshtari që i ka dalë përpara, i madh apo i vogël.
E ka bërë gjithmonë duke e kthyer politikën në një teatër të shpifur sharjesh e fyerjesh pambarim.
Unë vetëm kam thënë dhe e them e do ta them përsëri, me forcën më të madhe, që interesat ekonomike e financiare të Familjes së Sali Berishës po diktojnë qeverisjen e vendit më shumë sesa interesat publike e qytetare të njerëzve të këtij vendi.
***
Të gjithë janë dëshmitarë të degradimit të përditshëm të kësaj qeverisjeje në një aktivitet fitimprurës për Familjen në Pushtet.
Konfliktet e rënda të pronësisë që janë zhvilluar në sytë e publikut kohët e fundit, janë vetëm pjesëza të shkëputura të batërdisë që është bërë e bëhet, larg syve të publikut, në llagëmet e pushtetit familjar të Sali Berishës, me pronat e Shqipërisë e të gjithë shqiptarëve.
Lejomëni të kthehem një çast mbrapa në historinë e përzishme të kthimit e kompensimit të pronës në Shqipëri.
Dikur, në vitin e largët 1995, u përgatit një projektligj që synonte të kalonte në pronësi të banorëve tokën bujqësore që u ishte dhënë në përdorim.
Madje pak më vonë, mu në nisje të fushatës zgjedhore, presidenti i asaj kohe, Saliu i Parë, përgatiti një dekret, që saktësonte sasinë e tokës që do t’u jepej në pronësi njerëzve në zonat me përparësi turizmin - si për shembull zona e Orikumit, ku ka shpërthyer sot një konflikt që interesat e Familjes në Pushtet e kanë mbjellë së fundmi përgjatë gjithë vijës bregdetare, nga Velipoja poshtë në Konispol, dhe rrezikon të dalë në sipërfaqe si një konflikt i madh shoqëror.
Për familjet me mbi 6 anëtarë u ligjërua asokohe se sipërfaqja e kthyer do të ishte deri në 1500 metra katrorë.
Ky ishte Saliu i Parë, jepte gjithçka për pushtetin. Ndërsa Saliu i Dytë e do pushtetin për të marrë gjithçka.
Në një projektligj të ri, që sapo ka mbërritur në Kuvendin e zgjedhjeve të grabitura të 28 qershorit, ato 1500 metra tokë që s’u regjistruan kurrë në pronësi të njerëzve, janë katandisur vetëm 500 metra.
Batërdia me pronën, me pronarët e vjetër, me pronarët e rinj a me shtetin pronar qoftë, ka arritur sot një pikë, ku jo vetëm s’e merr më vesh i pari të dytin, po ku shteti është kthyer me plot vetëdije në një makineri falsifikimi për qëllimet e Familjes në Pushtet.
***
Me lekët e shqiptarëve, me taksat e tyre, Sali Berisha zhvilloi fushatën më hileqare elektorale në kurriz të këtij populli, nga tuneli i Kalimashit që u shemb prej makutërisë për pará të paligjshme e pushtet të pamerituar, te rrugët e ujësjellësit e fshatrave, që pas inaugurimit elektoral janë katandisur në gropa për fshatin e për buxhetin e shtetit.
Shteti s’ka lekë të paguajë vazhdimin e punimeve të filluara kudo kuturu për fushatë, ndërkohë që kompanitë e punëve publike, të zhytura në borxhe, po shkurtojnë përditë vende pune duke shkuar drejt kolapsit e falimentimit.
Kjo gjendje skandaloze e buxhetit të të gjithë shqiptarëve, të cilët Sali Berisha i ka zhytur në një borxh të përbashkët që rritet çdo vit, përveç borxheve të pafundme në listat e dyqaneve, ka bërë që pushteti t’u turret egërsisht bizneseve të mëdha e të vogla me gjoba e me rritje të papërballueshme detyrimesh.
Sipërmarrësit shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, ata që nuk janë në oborrin e Familjes në pushtet, po futen përditë në tunelin e krizës ekonomike, të cilën duke e fshehur me papërgjegjshmëri për qëllimet e tij elektorale, Sali Berisha e ka rënduar jashtëzakonisht më shumë. Sidomos biznesmenët e vegjël, që me vendimin arbitrar të kalimit në biznes të madh do të detyrohen të paguajnë TVSh e tatim-fitimi që nga janari, i pret një Vit i Ri i pamëshirshëm me thuajse trefishim të barrës fiskale.
Ne jemi sot në krah të biznesmenëve shqiptarë, të mëdhenj e të vegjël, në krah të të gjithë biznesmenëve që nuk janë klientë të Pushtetit të Familjes, të cilët vuajnë zhdukjen e çdo rregulli e parimi të konkurrencës, vuajnë arbitraritetin shpeshherë banditesk të shtetit që i shqep me gjoba e detyrime amorfe, sa herë i duhen lekë, vuajnë regjimin poshtërues të bakshishit për të ulur barrën e gjobës dhe pa diskutim vuajnë mospërfilljen njëzetvjeçare të pushtetit që kujtohet për ta, vetëm kur kërkon vota.
***
Teksa biznesi vuan shtrëngimin e lakut të krizës së gjithanshme, edhe më keq se ç’ishin janë veteranët e luftës, janë të përndjekurit e regjimit të Enverit dhe të Saliut, janë ushtarakët e liruar e minatorët, janë peshkatarët e bujqit.
Janë të gjithë ata shqiptarë që mbijetojnë në radhë të parë falë fëmijëve emigrantë, përballë pamundësisë për të nxjerrë atë që iu duhet për të përballuar faturat, që bëhen vazhdimisht më të shtrenjta, ndërkohë që pas rritjeve të rrogave për ata që e kanë një punë, menjëherë kërcejnë edhe më shumë çmimet e papërballueshme.
Sali Berisha i grabiti zgjedhjet për të grabitur më tej Shqipërinë.
Ne kemi ardhur sot këtu, më të shumtë se kurrë, për të çuar përpara një lëvizjeje të madhe popullore kundër një regjimi korrupsioni që ka vjedhur zgjedhjet, ka uzurpuar parlamentin, ka mbytur drejtësinë, ka deformuar mediet, ka grabitur pronat, ka shkatërruar konkurrencën, ka rrënuar ekonominë, ka goditur shpresën e besimin e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi që jetojnë jashtë mureve të oborrit të pushtetit të familjes.
***
T’i vijë turp Sali Berishës që na akuzon se nuk duam Evropën, nuk duam vizat, nuk duam integrimin.
Ai që deri në moshën time ka qenë një armik i betuar i botës perëndimore, sekretar servil i partisë së diktatorit komunist, nuk mund të hiqet sot sikur ka monopolin e dashurisë për Evropën.
Sali Berisha nuk është përshpejtuesi, po përgjegjësi kryesor për vonesën historike të Shqipërisë në rrugën drejt NATO-s e Bashkimit Evropian.
Ishte pikërisht Sali Berisha që e çoi këtë vend në humnerën e piramidave, duke e nxjerrë totalisht Shqipërinë nga binarët e integrimit drejt NATO-s e BE.
Është përsëri Sali Berisha përgjegjësi kryesor edhe për vonesën e pajustifikueshme të Shqipërisë sot, që kemi mbetur të fundit në Evropë, qoftë për heqjen e vizave, ku na e kaloi edhe Serbia, qoftë për aplikimin për t’u bërë vend kandidat për BE, ku kemi mbetur bashkë me Serbinë - sepse Serbia ka kriminelë lufte të padorëzuar, kurse ne kemi Saliun në krye të një qeverie të kthyer në kompani fitimprurëse për Familjen e vet e për oborrin e shërbëtorëve të saj.
Integrimin nuk e pengon bojkoti ynë, por e pengojnë pikërisht arsyet, të cilat na shtynë ne ta ndërmarrim këtë rrugë të vetme që na la ky regjim i korruptuar, për të shtruar për zgjidhje, njëherë e mirë, një problem të rëndë shqiptar si zgjedhjet e deformuara.
Historia na ka mësuar se nga cenimi i zgjedhjeve fillon cenimi i të gjitha lirive e të drejtave të tjera.
***
E përditshmja jonë na tregon se, po nuk e bëmë votën tonë të paprekshme nga pushteti, pushteti do të na prekë në çdo liri e të drejtë tonën.
Ky problem njëzetvjeçar, që më 28 qershor u shfaq në një formë thuajse mafioze, ku shteti u bë njësh me pushtetin, krimi u vu në shërbim të shtetit dhe paraja e zezë u derdh lumë për riciklimin e pushtetit, është një problem që nuk zgjidhet duke e mbuluar sa herë ka zgjedhje me fjalinë: “Këto zgjedhje ishin më të mira se të tjerat, po prapë s’ishin aq të mira sa duhet për t’u quajtur me standarde”.
Ky problem nuk zgjidhet as duke hyrë ne këtë herë pa kushte në parlament dhe duke e kthyer opozitën e vendit në një dekor demokratik brenda Kuvendit të dalë me vota “të numëruara keq ose shumë keq në një të tretën e tyre”.
Futja e opozitës në parlament në këto kushte të rënda të demokracisë dhe pa asnjë kusht për pakicën në pushtet, do të ishte mbyllja pa kushte e një problemi që jo vetëm nuk do të zgjidhet, por do të rishfaqet në një formë edhe më mafioze në zgjedhjet e ardhshme.
Transparenca dhe vetëm transparenca për atë që ka ndodhur, ndalon përsëritjen e asaj që ndodhi.
***
Hapen kutitë në Afganistan për rinumërim votash, sepse e kërkon opozita, dhe nuk hapen kutitë e votave në Shqipëri, ku opozita kërkon jo rinumërim për efekt mandatesh, po transparencë për të garantuar njëherë e mirë rendin zgjedhor në këtë vend. Turp!
Nuk ka më turp!
Por këtë turp le ta mbajë ai, Sali Berisha, i cili e ka urdhëruar e orkestruar turpin e grabitjes së zgjedhjeve, turpin e manipulimit të procesverbaleve e të listave të votuesve në ditën e votimit, turpin e korruptimit të komisionarëve përmes parasë së zezë dhe të nxjerrjes së vrasësve e të trafikantëve nga burgjet për të dekurajuar daljen në votim të njerëzve të opozitës, turpin e kthimit me pahir në kope mitingjesh të nxënësve e mësuesve edhe në ditë pushimi, turpin e përdorimit të ndihmës ekonomike si ndihmë skllavëruese për varfanjakët e detyruar të votojnë pushtetin, turpin e zbrazjes së arkës së shtetit e të zhytjes në borxh të të gjithë shqiptarëve për të përballuar shpenzimet elektorale të Familjes në pushtet, turpin e hapjes së gënjeshtërt të tunelit të Rrugës së Kombit për të fituar zgjedhjet duke u faturuar shqiptarëve disa qindra miliona euro shtesë nga shembja e tunelit për shkak të marrëzisë së inaugurimit jashtë çdo logjike teknike dhe jashtë çdo lejeje nga vetë ekspertët.
***
Më pyesin shpesh njerëzit: Pse miqtë e partnerët tanë evropianë i tolerojnë këto gjëra që kurrë nuk do t’i pranonin në vendet e tyre?
Miqtë e partnerët tanë evropianë nuk kanë për detyrë të zgjidhin problemet tona, nuk janë këtu as për të qeverisur Shqipërinë as për t’i bërë opozitë qeverisë. Ata e kanë ndihmuar e do ta ndihmojnë Shqipërinë, pavarësisht se kush është në pushtet dhe kush në opozitë.
Por ne kurrë s’do të kemi një Shqipëri Evropiane këtu, në atdheun tonë, në rrugët, shkollat, spitalet e vendit tonë, në gjykatat e në institucionet tona, në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, në qoftë se nuk e ndërtojmë vetë këtë Shqipëri që duam. Ne nuk do të kemi kurrë po ashtu zgjedhje të lira e të ndershme si një vend evropian, në qoftë se nuk luftojmë vetë për lirinë e ndershmërinë e tyre.
Dhe ne do të luftojmë me të gjithë forcën e zemrës, mendjes e trupit tonë, duke u frymëzuar nga shembujt e lavdishëm të betejave për zgjedhje të lira e të ndershme në Evropën ku sot, miqtë e partnerët tanë, jetojnë pa ankthin e manipulimit të zgjedhjeve dhe pa barrën e pushteteve të vjedhura, pikërisht se ato beteja i kanë zhvilluar e fituar me kohë.
Kutitë e votimit nuk na i mbajnë mbyllur miqtë tanë evropianë dhe as nuk do të na i hapin ata.
Kutitë e mbyllura të 28 qershorit i mban mbyllur Sali Berisha dhe duhet t’i hapë Sali Berisha.
***
Thirrja jonë për Sali Berishën, thirrja e të gjithë popullit opozitar dhe e çdo qytetari demokrat që nuk druhet nga e vërteta, nga transparenca, nga hetimi ligjor parlamentar, është: Mos u fshih as pas integrimit, as pas ndërkombëtarëve, as pas atij mikut të huaj që të del në ëndërr dhe të thotë: “Sali, mos hap kutitë, se të ndalon ligji!”, po hapi kutitë përpara sesa populli sovran të të detyrojë të largohesh bashkë me kutitë!
Sepse, në qoftë se parlamenti s’ka forcë të bëjë një ligj për të hapur kutitë, atëherë s’ka as pse vetë parlamenti të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.
Në qoftë se qeveria s’ka kurajë të bëjë bashkë me opozitën transparencën e zgjedhjeve, duke hapur kutitë në sytë e publikut për të marrë të gjitha masat ligjore që çdo shkelës i ligjit në këtë proces zgjedhor të çohet para drejtësisë dhe çdo përmirësim ligjor të bëhet nga parlamenti, atëherë s’ka as arsye që vetë qeveria të qëndrojë mbi kutitë e mbyllura.
Shkurt e troç: Në qoftë se kutitë do të mbahen forcërisht të mbyllura, ne do të kërkojmë me forcë largimin e qeverisë dhe zgjedhje të parakohshme.
Me protesta të pandërprera, kudo, për çdo arsye që lidhet me çdo detyrë të qeverisë, ne do të kërkojmë që qeveria të largohet.