E Diel, 1 Nëntor 2026

Doganat në sesionin e Komitetit të OBT, fokus në modernizim dhe tregtia elektronike ndërkufitare

TIRANË, 11 maj/ATSH/ Administrata Doganore Shqiptare mori pjesë në sesionet e Komitetit të Përhershëm Teknik të Organizatës Botërore të Doganave, të zhvilluara në Bruksel (Belgjikë), me pjesëmarrjen e mbi 280 përfaqësuesve nga administratat doganore, organizatat ndërkombëtare dhe sektori privat.

Takimi u fokusua në modernizimin e operacioneve doganore, zhvillimet teknologjike, tregtinë elektronike ndërkufitare si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar për përballimin e sfidave të reja në fushën doganore.

Gjatë sesioneve u diskutuan dhe u miratuan një sërë instrumentesh dhe mekanizmash të rëndësishëm që mbështesin transformimin modern të administratave doganore, duke përfshirë përditësimin e modelit të të dhënave të OBD-së, raportin mbi teknologjitë inovative dhe transformuese për vitin 2026, udhëzues të përditësuar mbi Zonat e Lira Ekonomike, zhvillimet në kuadër të projektit Smart Customs, si dhe standardet dhe specifikimet teknike për tregtinë elektronike ndërkufitare.

Po ashtu u trajtuan sfidat që lidhen me rritjen e tregtisë elektronike ndërkombëtare, menaxhimin e riskut, përmirësimin e cilësisë së të dhënave dhe përdorimin e teknologjive të avancuara për lehtësimin e tregtisë së ligjshme dhe forcimin e kontrolleve doganore.

Sikurse, sesioni u ndal edhe në çështje që lidhen me tregtinë e qëndrueshme, kufijtë e brishtë, bashkëpunimin doganë-postë dhe zbatimin e Marrëveshjes për Lehtësimin e Tregtisë të Organizatës Botërore të Tregtisë.

Pjesëmarrja e Administratës Doganore Shqiptare në këtë forum të rëndësishëm teknik konfirmon angazhimin e saj për të ndjekur standardet dhe praktikat më të avancuara ndërkombëtare, në funksion të modernizimit të proceseve doganore, lehtësimit të tregtisë dhe forcimit të sigurisë në zinxhirin ndërkombëtar të furnizimit.

1 nga 2

/a.f/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›