E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dogjani: Berisha i turpëroi shqiptarët

Deputeti i Partisë Socialiste nga Qarku i Kukësit, Asllan Dogjani, deklaroi dje se Sali Berisha ka turpëruar shqiptarët me fjalorin dhe sulmet ndaj liderit të opozitës. Por më shumë, sipas tij, janë turpëruar banorët e Qarkut të Kukësit, Hasit e Tropojës. "Sali Berisha, me gjuhën e urrejtjes që përdori në një ditë të paqes shpirtërore, i turpëroi të gjithë shqiptarët, por më shumë turpëroi ne, qytetarëve të Qarkut të Kukës, malësorët e mençur të Kukësit, Tropojës dhe Hasit, që gjuhën e urrejtjes e kanë refuzuar jetë e mot", tha Dogjani

Sipas tij, gjuha e urrejtjes që Sali Berisha përdori nuk është gjuha e shqiptarëve. "Turpet që dëgjuam të dilnin nga goja e Sali Berishës nuk përfaqësojnë kulturën e shqiptarëve, as zakonet e malësorëve, as traditën veriore, aq më keq kur nga goja e tij dëgjuam pikërisht në ditën kur flitej për dhunën ndaj grave, të dhunonte nënat dhe motrat shqiptare nga foltorja e Parlamentit", vijoi deputeti socialist. Dy ditë më parë, grupit parlamentar socialist reagoi në një deklaratë të përbashkët, duke i kujtuar Kryeministrit se do mbajë përgjegjësi historike dhe ligjore me qëndrime të tilla. Ligjvënësit socialistë kanë kërkuar ndihmën e Presidentit Topi që të ndërhyjë për të garantuar transparencën e procesit zgjedhor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›