Borxhet e Dubait, një rast i veçuar, apo majë ajsbergu?
Transparenca e vonuar e Dubait në lidhje me problemin e madh financiar mund të jetë vetëm maja e ajsbergut e një situate që mund të përfshijë edhe vende të tjera. Për shumë analistë që e kanë ndjekur nga afër zhvillimin problematik në këtë vend të Gjirit, fundi i një krize mund të jetë fillimi i një tjetre. Java që shkoi në Dubai u dha të gjithëve një ide se çfarë mund të ndodhë nëse qeveri të ndryshme në të gjithë botën, që kanë qenë deri në një moment të fuqishme e sinonim i rritjes ekonomike befas të shpallin se janë të mbuluara nga borxhet publike dhe nga deficiti fiskal. Mrekullia e Dubait, për ata që e kanë studiuar situatën që në fillim e mandej edhe hap pas hapi, ka qenë për t‘u dyshuar dhe parë me skepticizëm. Ky vend i shndërruar në një eksperiment miliardash për të kënaqur orekset gjigante për famë dhe çudi të Sheikh Mohammed bin Rashid al-Maktoum dukej sikur nga çasti në çast do t‘i ngjante atij momentit të zgjimit nga ëndrra e bukur në realitetin e zhgjëndërr. Në fakt fundi i Dubait mund të kishte qenë shumë më i hershëm, por zgjati deri më tani vetëm falë ndihmës bujare të fqinjit të pasur Abu Dhabit, e cila ndoshta këtë herë nuk do të përsëritet më. Megjithatë pyetja më e rëndësishme që bëhet sot në tregjet e tronditura të të gjithë botës nuk është nëse do t‘ia dalë Dubai dhe sundimtari i tij që t‘i mbijetojnë krizës. Kjo është një çështje pa shumë rëndësi. Borxhi i Dubait është 80 miliardë dollarë, që do të shkaktojë shumë probleme nëpër bankat perëndimore e ndoshta edhe falimentime të mëdha, por sërish nuk është ky problemi më i madh. Çështja e vërtetë është ajo nëse kjo fryrje e kapardisje luksoze e madhështore e një mbretërie në shkretëtirë mund të mos jetë rasti i vetëm në botë. Në rastin më të keq, ajo që i ndodhi Dubait a mund t‘i ndodhë edhe ekonomive të tjera në botë, që deri më sot janë konsideruar të forta dhe solide? A mund të ishin në një situatë pak a shumë të tillë, ta zëmë edhe ekonomi të tilla me probleme fiskale si ajo e Greqisë, Irlandës e më tej Japonisë, Britanisë dhe vetë Shteteve të Bashkuara? Problemet ekzistojnë ndërkohë dhe janë majisur shumë. Në botën e zhvilluar borxhi publik po rritet ndjeshëm. Këto janë kohë të trazuara për financat, madje në atë masë që nuk është aspak normale për një periudhë paqeje. Gjatë viteve të krizës, shumë shtete kanë qenë në prag të falimentimit. Dhe nëse kriza bankare mund të ketë marrë një rrugë rikuperimi, kjo nuk do të thotë se historia merr fund këtu. Dhe ajo që mund të krijojë vazhdimësinë e problemit është fshehja e situatave reale të disa ekonomive që kanë jetuar duke tejkaluar realitetin e financave të tyre e duke shfaqur imazhin e një ekonomie të shëndetshme. Megjithatë do të duhet edhe pak kohë për të parë nëse bëhet fjalë për një rast të veçuar apo për një epidemik.
Për sa i përket Dubait, ai dje ka kërkuar ndihmë nga Abu Dhabi i pasur me naftë. Pikërisht vendimi që mund të marrë Abu Dhabi do të jetë shumë i rëndësishëm për fatin financiar të Dubait që në fakt është i lidhur edhe me ekzistencën e disa bankave të rëndësishme që kanë qenë pjesë e investimeve në shtetin e Gjirit.
Për sa i përket Dubait, ai dje ka kërkuar ndihmë nga Abu Dhabi i pasur me naftë. Pikërisht vendimi që mund të marrë Abu Dhabi do të jetë shumë i rëndësishëm për fatin financiar të Dubait që në fakt është i lidhur edhe me ekzistencën e disa bankave të rëndësishme që kanë qenë pjesë e investimeve në shtetin e Gjirit.