E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dogji një sipërfaqe me bimësi e shkurre, arrestohet 20-vjeçari në Finiq

TIRANË, 19 gusht /ATSH/ Një 20-vjeçar është arrestuar pasi dogji një sipërfaqe me bimësi e shkurre, në fshatin Sopik.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë bëri të ditur sot se, si rezultat i punës hetimore dhe veprimeve të shpejta për identifikimin dhe ndalimin e autorëve të zjarrvënieve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin A. P., 20 vjeç, banues në Sopik, Finiq.

20-vjeçari dyshohet se më datë 18.08.2025, ka ndezur zjarr në fushën e sportit të fshatit Sopik, ku si pasojë është djegur një sipërfaqe toke me bimësi dhe shkurre. Falë ndërhyrjes në kohë të banorëve të zonës, u shua vatra e zjarrit dhe u parandalua përhapja e mëtejshme e flakëve, e cila mund të sillte pasoja më të rënda.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë apelon për të gjithë qytetarët që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin.

Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie tjetër, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të shpejtë.

/gj.m//a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›