Tiranë, arrestohet 61-vjeçari që kishte kthyer shtëpinë në laborator droge

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Në Yzberisht, Tiranë, u zbulua një banesë e përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike kanabis dhe kokainë, në trajta dhe forma të ndryshme, me qëllim shitjen si dhe u arrestua pronari i saj.
Sipas Policisë së Shtetit, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Shape”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. K., 61 vjeç, banues në Yzberisht.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e 61-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë), e ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj kanabisi (të dyja sasitë me vlerë totale rreth 500 000 euro), rreth 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi të mëdha të kanabisit dhe kokainës, i përgatiste në trajta dhe forma të ndryshme dhe i shiste në Yzberisht.
Policia po vijon hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
/k.s//a.f/