E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokle: PD nuk ka vullnet për negociata

Deputeti i PS-së u shpreh se me rrugë ligjore apo me protesta, opozita do ta çojë deri në fund aksionin e saj për hetimin e zgjedhjeve parlamentare

TIRANË- Partia Socialiste është gati për negociata, në prani të Presidentit të Republikës, Bamir Topi.

Duke iu referuar qëndrimit të Këshillit të Europës pas miratimit të rezolutës për Shqipërinë nga Asambleja Parlamentare, deputeti i PS-së, Namik Dokle, citoi se kriza politike rrezikon të marrë përmasa edhe më të rrezikshme me pasoja të rënda për vendin nëse partitë politike neglizhojnë të angazhohen në bisedime.

"Hipokrizia politike dhe mashtrimi mediatik i krerëve të qeverisë, kuvendit dhe Partisë Demokratike, shumë shpejt zuri vendin e fjalëve të tyre përshëndetëse për Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Asambleja konfirmoi krizën politike të shkaktuar nga qeveria, kurse ata gëlltiten për ta mohuar. Asambleja kërkoi hetimin e zgjedhjeve, kurse ata dredhojnë nëpër labirinte pa rrugëdalje. Asambleja do të dërgojë komision monitorimi për zgjidhjen e krizës, kurse ata ngrenë barriera për të fshehur të vërtetën.

Asambleja kërkoi dialog në tryezën politike të presidentit, kurse ata përpiqen ta shumëzojnë me zero e ta bëjnë inekzistent me presione te ndryshme", - tha dje Dokle. Ndaj dhe deputeti i PS-së shtoi se me këtë papërgjegjshmëri, mazhoranca nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon krizën.

"Përmes Kryetarit të PS-së, jemi shprehur të gatshëm për të qenë pjesë e një tryeze negociatore me praninë e Presidentit, por deri me tash ky vullnet nuk është parë nga Partia Demokratike.

Me rrugë ligjore, apo me protesta demokratike, opozita do ta çojë deri në fund aksionin e saj politik dhe emancipues, do ta çojë deri në fund realizimin e kërkesave të saj për hetim dhe transparencë të plotë të procesit zgjedhor: në kuti dhe jashtë kutive, për t'i dhënë fund një herë e përgjithmonë manipulimit dhe vjedhjes së zgjedhjeve që është kthyer në një kancer për demokracinë",- tha Dokle.

Opozita e ka bërë të qartë tashmë që është i gatshëm të negociojë me mazhorancën në prani të Presidentit të Republikës për të gjitha ato çështje që u ngritën në rezolutën e miratuar për Shqipërinë nga Asambleja Parlamentare të Këshillit të Europës.

Por përpos rekomandimeve nga ndërkombëtarët, kutitë e votimit vazhdojnë të mbeten kushti kryesor i opozitës por edhe i mazhorancën nga ana tjetër e cila jo vetëm që nuk kërkon të negocioje për këtë çështje, por përmes qëndrimeve të fundit, këtë kërkesë ia ka imponuar edhe Presidentit të Republikës.

Pak ditë më parë, kryeministri Sali Berisha u shpreh se është i gatshëm që në negociata të merrte pjesë edhe Topi, por në të njëjtën kohë u shpreh se as Presidenti i vendit nuk mund të dilte mbi vendimin e gjykatave për çështjen e kutive të votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›