E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajtim Bello: "Pakti detar, aventurë dhe verbëri politike e qeverisë"

Intervista, flet ish-zëvendësministri i METE-s. Qëndrimi i qeverisë, mjerues

"Kishim të bënim me interesa territoriale të vendi që rrezikuan nga veprimi i qeverisë, prandaj e quajta aventurë nga që nuk doja ti vija epitetin e shitjes të interesave të vendit dhe druaj se do të më quanin nacionalist të vonuar".

Pajtim Bello, ish-zv.ministër i METE-s, në një intervistë për gazetën "Shekulli" akuzon ashpër kastën qeverisëse në vend e cila ishte e vendosur për ta miratuar në Kuvend marrëveshjen detare me Greqinë, duke shënuar trupin kombëtar të radhës dhe një atentat ndaj interesave të Shqipërisë.

Z. Bello, si e pritët Vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Marrëveshjes së delimitimit të kufirit detar Shqipëri-Greqi?

Pa dyshim, u ndjeva mirë si të gjithë shqiptarët që e prisnin me ankth këtë vendim. E vërteta është se Gjykata Kushtetuese vuri në vend jo vetëm një të drejtë që i takon Shqipërisë, por mbi të gjitha vuri në vend dinjitetin e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, sepse me marrvëshjen e firmosur nga Ministrat e Jashtëm Basha-Bakojanis, në prezencë të dy Kryeministrave Berisha-Karamanlis, dinjiteti ynë ishte nëpërkëmbur. Por ndjehemi mirë sepse kuptojmë që Institucioni i Gjykatës Kushtetuese është i vendosur të mbrojë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

Sipas Jush, ku qëndrojne vlerat e këtij vendimi?

Vlerat e këtij vendimi janë në shumë plane. Unë do të mundohem të përqëndohem në disa prej tyre.

Sic thamë doli se një institucion mjaft i rëndësishëm doli në mbrojtje të Kushtetutës së Shqipërisë. Kjo është vlerë shumë e rëndësishme dhe e pakëmbyeshme, po të kemi parasysh si rrodhën ngjarjet.

Qeveria dhe Parlamenti i Shqipërisë e vunë Gjykatën Kushtetuese para një fakti gati të kryer. U firmos nga të dy qeveritë, kaloi në komisione parlamentare dhe pritej vetëm të zhvillohej seanca plenare, ku deputetet e djathtë do të votonin të vënë në rresht si në shumë raste të tjera.

Më falni tju ndërpres. Ju mendoni se votimi në kuvend do të ishte unanim?!..

As që e vë në dyshim se deputetët nuk do të hezitonin që me votën e tyre të coptonin kufijtë e Shqipërisë, bile pa iu dridhur dora dhe me entusiazëm për të qenë një trup me qeverinë. Kjo u provua në kohën e debatit publik, kur shpura e ministrave, deputetëve dhe nëpunësve të lartë manifestuan një arrogancë të pashoqe duke anatemuar ata që atakuan marrveshjen.

Nëse ju kujtohet nuk munguan edhe ironitë nga disa ministra, aq sa kundërshtarët i etiketuan atavistë, jo dashamirës të Shqipërisë e të fqinjësisë së mirë, apo i cilësuan si injorantë që nuk dinin as tabelën e shumëzimit e kush mban mend çfarë kanë thënë e stërthënë ata mjeranë..

Pra jo vetëm që do ta votonin, por do tiu tregonin vendin "ngaterrëstarëve nacionalistë"!..Por ti lëmë ata në mjerimin e tyre shpirtëror e mendor dhe të vazhdojmë biseden ku e lamë.

Ky vendim i Gjykatës Kushtetuese provoi se gjërat, në vendin tonë, jo gjithmonë mund të bëhen nga një njeri apo një grusht njerëzish me pushtet, duke nëpërkëmbur Kushtetutën dhe ligjet. Sado të pushtetshëm që të jenë kjo kategori pushtetarësh do të jenë të destinuar të dështojnë me turp kur ndërmarrin aventura të tilla...

Më falni edhe një herë. Ju e quani aventurë atë që bëri qeveria deri në daljen e vendimit të Gjykatës kushtetuese, kur kjo gjykatë nuk është hera e parë që i hedh poshtë ligjet e miratuara nga kuvendi?

Ne shqiptarët e dimë se nuk është hera e parë. Për këtë rast jemi të prirur të shohim ndryshe se nuk është si të tjerët. Kishim të bënim me interesa territoriale të vendi që rrezikuan nga veprimi i qeverisë, prandaj e quajta aventurë nga që nuk doja ti vija epitetin e shitjes të interesave të vendit dhe druaj se do të më quanin nacionalist të vonuar.

Duke vijuar du të them se vlera e këtij vendimi është edhe në faktin se doli në pah rëndësia e pushtetit të medias në një shoqëri demokratike. Këtu dua të gjej rastin që të falenderoj ato media që u investuan me kurajo e profesionalizëm në këtë betejë qytetare e patriotike, përfshi pa dyshim edhe gazetën "Shekulli".

Por për fat të keq më duhet të them se verbëria politike rezultoi të ishte shumë e madhe, e fortë dhe në gjendje të bënte aktin e shëmtuar të tradhëtisë. Jo pak media, pushtetarë e qytetarë u pronocuan haptazi në mbështetje të marrveshjes të firmosur nga qeveria vetëm e vetëm për të mbështetur politikisht qeverinë e tyre.

Më ka rastisur të dëgjoj antarë apo simpatizantë të PD-së apo edhe të partive aleate në pushtet dhe më ngjethej mishtë nga frazat patetike të tyre, të cilët nga dashuria për partitë e kishin humbur sensin e interesave të atdheut te tyre.

Kjo duket edhe pas publikimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ku jehona e këtij vendimi në disa media nuk ishte as në nivelin e pasqyrimit. Ky vendim sjell një mundësi reflektimi që ne shqiptarët të jemi aq sa duhet nacionalistë dhe të mos lejojmë të bëhet pazar deri me kufijtë e Shqipërisë!...

Kush mendoni se duhet të jenë hapat e mëtejshme të Qeverisë?

Mendoj se ka shumë vend për të reflektuar institucionalisht, ligjërisht dhe profesionalisht. Por së pari ka vend për të reflektuar ndaj përmasave të këtij skandali. Me këtë dua të them se ka vend që të dorëhiqen negociatorët dhe firmosësit e kësaj marrveshje dhe jo të dalin e të bëjnë të bëjnë karshillëk vendimit.

Ndërkohë vetë Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm duhet tiu kërkojnë ndjesë shqiptarëve dhe të gjithë atyre që u ironizuan dhe u vunë nën presion vetëm e vetëm pse denoncuan e kundërshtuan marrveshjen.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›