E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dokumentacioni, pengesë për subvencionet, mangësitë lënë shumë fermerë jashtë skemave mbështetëse

Shumica e fermerëve në qarkun e Shkodrës që merren me bujqësi vijojnë të mbeten jashtë skemave mbështetëse të qeverisë. Arsyeja kryesore mbetet mungesa e dokumentacionit të pronësisë apo e aktit të marrjes në përdorim të tokës bujqësore. Për bujqësinë interesi ka qenë i pakët, pikërisht për shkak të pamundësisë për të plotësuar dokumentacionin e kërkuar.

“Pothuajse ajo situatë që ishte vite më parë është edhe këtë vit, shumë fermerë nuk përfitojnë nga skemat mbështetëse të investimeve”, u shpreh Sherfi Brahaj, Specialist i AZHBR Shkodër.

Edhe pse procedurat për pajisjen me aktin e marrjes së tokës bujqësore në përdorim janë miratuar prej pesë vitesh, procesi mbetet ende i papërfunduar për mijëra fermerë në këtë zonë. Nga Drejtoria e Zhvillimit Ekonomik në Bashkinë Shkodër bëhet e ditur se një nga prioritetet kryesore për zgjidhjen e këtij ngërçi është ndërmjetësimi me institucionet përkatëse, me qëllim përfshirjen e fermerëve në skemat mbështetëse të qeverisë.

“Është një problematik e trashëguar në vite dhe ne si bashki kemi rolin e ndërmjetësit për të pajisur me certifikata fermerët”, tha Bekim Mema, Drejtor i Zhvillimit Ekonomik, Bashkia Shkodër.

Nga rreth 19 mijë fermerë që numëron qarku i Shkodrës, afro 15 mijë prej tyre prej vitesh nuk janë përfshirë në asnjë skemat e subvencionit. Mungesa e aktit të marrjes në përdorim të tokës apo e certifikatës së pronësisë mbeten pengesa kryesore për të përfituar ndihmë financiare nga shteti.

Gazetar: A. Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›