E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dokumente të rralla nga arkivat britanike ekspozohen në Tiranë

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Petrit Selimi, dhe Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, kanë nënshkruar një marrëveshje mirëkuptimi për hapjen e një ekspozitë me një koleksion të rrallë të dokumenteve historike, të grumbulluara nga studiues shqiptarë në arkivat e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas kumtesës së MPJ-së, Selimi dhe Lauka janë pajtuar që kjo ekspozitë e rrallë të hapet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, me rastin e shënimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, transmeton koooha.

Koleksioni i artefakteve të rralla, që do të ekspozohen, përbëhet nga harta të vjetra, artikuj të rëndësishëm të gazetave, dokumente të rralla dhe nota diplomatike të legatave të ndryshme, të cilat janë gjetur nga studiuesit në arkivat e Londrës.

Artefaktet në fjalë janë dokumente të pa ekspozuara më parë për publikun shqiptar dhe pritet të zgjojnë interesimin e studiuesve dhe qytetarëve të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ekspozita e përbashkët është aktivitet në kuadër të festimit të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe ka për qëllim publikimin e të dhënave të rëndësishme historike rreth përpjekjeve të përbashkëta shumëvjeçare të të gjithë shqiptarëve për pavarësimin e shtetit shqiptar.

Ky koleksion i veçantë i dokumenteve të rralla do të ekspozohet edhe në Kosovë, në fillim të vitit 2013./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›