Donald Trump del sot para gjykatës/ Ish-prokurori i SHBA-ve: Ish-presidenti e dinte mirë se i humbi zgjedhjet

Ish-prokurori i përgjithshëm i SHBA-ve, Bill Barr, ka folur kundër Donald Trump përpara paraqitjes së këtij të fundit ditën e sotme në gjykatë. Trump akuzohet për komplot dhe për nxitjen e revoltave pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020.
Barr, i cili u emërua nga vetë ish-presidenti, tha se Trump “e dinte mirë se i humbi zgjedhjet”.
Trump akuzohet nga prokurorët federalë se ka gënjyer në mënyrë të përsëritur duke mashtruar masivisht votuesit dhe duke ushtruar presion ndaj zyrtarëve për të ndryshuar rezultatet për ta mbajtur atë në pushtet.
77-vjeçari republikan, i cili kandidon sërish për zgjedhje, pritet të deklarohet i pafajshëm kur të dalë në gjykatë në Uashington në orën 16:00 EDT (20:00 GMT).
Avokati i Trump, John Lauro e ka quajtur aktakuzën një sulm ndaj fjalës së lirë dhe tha se “nuk ka asgjë më të mbrojtur nga Amendamenti i Parë [e drejta për fjalën e lirë] sesa liria e të shprehurit politikisht”.
Por Barr, i cili u emërua në postin e lartë në sistemin ligjor të SHBA nga vetë Trump, tha se ky argument mbrojtës nuk është i vlefshëm.
“Ata nuk po sulmojnë të drejtën e tij të Amendamentit të Parë. Ai mund të thotë çfarë të dojë, madje mund të gënjejë. Ai madje mund t’u thotë njerëzve se zgjedhjet u vodhën kur ai e dinte më mirë” tha Barr për CNN.
“Por kjo nuk ju mbron nga hyrja në një komplot.”
Ai shtoi se veprimet e supozuara të ish-presidentit, siç përshkruhen në aktakuzë, janë “të përzier” dhe “të neveritshme” Në këtë aktakuzë të fundit, zoti Trump përballet me katër akuza, duke përfshirë komplotin për të mashtruar SHBA-në, ndërhyrjen e një dëshmitari dhe komplot kundër të drejtave të qytetarëve.
Ai tashmë është akuzuar në dy raste të tjera: për keqpërdorimin e dosjeve të klasifikuara dhe falsifikimin e të dhënave të biznesit për të mbuluar një pagesë të heshtur ndaj një pornostarjeje.
Në prag të gjykimit, Trump e konsideroi çështjen si provë e “korrupsionit, skandalit dhe dështimit” të SHBA-ve nën presidencën e Joe Biden.
/rtsh.al/