Donin të vrisnin Obamën, arrestohen 2 persona
Një nga dy terroristët e dyshuar (pjestar i Ku Klux Klan-it) kishte ndërtuar një sistem i cili emetonte nga distanca një lloj vdekjeprurës të rrezeve X. “Obama ka sjellë muslimanët në vendin tonë.”
FBI ka arrestuar dy burra të cilët po komplotonin për të vrarë Presidentin amerikan, Barak Obama. Lajmi është transmetuar nga rrjeti ABC. Njëri nga dy të dyshuarit – Glendon Scott Crawford, 49 vjeç nga Galway, në shtetin e Nju Jorkut – kishte ndërtuar një sistem i cili emetonte rrezatim vdekjeprurës dhe që mund të aktivizohej nga distanca.
Crawford u arrestua së bashku me Eric Feight, 54 vjeç, nga Hudson, New York, i rekrutuar për t’ju bashkuar planit – shpjeguan burimet e inteligjencës për ABC – me qëllim që të ndëshkonin Presidentin Obama për politikat e tij. Këto politika konsiderohen përgjegjëse për bombardimin në maratonën në Boston.
Agjentët e FBI-së shtuan se të dy burrat mendohet se donin të fshihnin “armën vdekjeprurëse” në një kamionçinë.
Gjatë marrjes në pyetje, Crawford tha se “vullneti i tij ishte të godiste një figurë politike dhe një organizatë myslimane. Nga burimet e inteligjencës mendohet se kjo figurë ishte presidenti.
Kjo konfirmohet edhe nga mesazhi i tij i 15 prillit, dita e maratonës, në të cilën shkruante: Politikat e Obamës kanë shkaktuar gjithë këtë. Dhe përsëri: Qeveria e tij ka sjellë muslimanët në vendin tonë pa asnjë kontroll.
Crawford punonte si mekanik industrial për General Electric, kompani tek e cila edhe Feight kishte kryer punë si një kontraktues i jashtëm, dhe ishte bashkuar me Ku Klux Klanin. Në qershor 2012, ai e quajti projektin e tij Hiroshima plot dritë, dhe dy muaj më vonë ai i kërkoi një zyrtari të lartë të KKK që të financonte këtë plan. Por ishte vetë zyrtari i cili informoi FBI-në, duke lejuar dy agjentë të fshehtë të infiltroheshin në klan dhe të njiheshin me atentatorët e pretenduar. Me ndihmën e dy agjentëve, Crawford dhe Feight blenë pjesët e nevojshme dhe testuan pajisjen e nevojshme për të shpërthyer armën e tyre me rreze X. Kishin lënë takim të martën e kaluar për të lidhur të gjithë komponentët, por u arrestuan përpara nga agjentët.
General Electric tha në një deklaratë se përjashton që aktivitetet kriminale të dy personave të arrestuar kanë ndodhur brenda strukturës korporative. Drejtori i komunikimit, Jim Healy, deklaroi se Crawford është pezulluar, duke siguruar që kompania është duke bashkëpunuar plotësisht me hetimet. (ANSA)