Dorëzohet Dinamo, Tomori bën poker
Blutë barazojnë 2-2 me kurbinasit, rënia bëhet çështje kohe.
Beratasit mundin Kamzën 4-1, e parakalojnë në renditje.
Dinamo nuk ka arritur të marrë më shumë se një barazim në ndeshjen e djeshme ndaj Laçit, të luajtur në “Qemal Stafa”, duke i shuar shpresat për një vend në Superiore edhe sezonin e ardhshëm. Pjesa e parë e ndeshjes ka qenë e vakët për sa u përket aksioneve sulmuese dhe ekipet janë përqendruar më shumë në mesfushë. Gjatë fraksionit të dytë të lojës janë blutë ata që do të gjejnë të parët golin e avantazhit me anë të Djarmatit në minutën e 55′, ndërsa më parë Kuli kishte gabuar nga pika e bardhë. Kroati gjuan fluturimthi nga jashtë zone dhe e dërgon topin në trekëndëshin e portierit Vashaku. Miqtë do të kundërpërgjigjen me anë të Dokut në minutën e 71′. I sapofutur në lojë, Doku shfrytëzon më së miri një gabim në mbrojtjen dinamovite dhe barazon shifrat në 1-1. Pas këtij goli, kurbinasit hidhen në sulm dhe në minutën e 86′ shënojnë edhe golin e dytë me anë të Shazivarit, i cili nga një goditje dënimi e dërgon topin në rrjetë. Katër minuta nga fundi i takimit dhe skuadra e Daiut duket se e ka hipotekuar fitoren, ndërsa Dinamo nga ana tjetër përpiqet të mbetet në sulm. Gjyqtari i katërt akordon katër minuta shtesë, në të cilat blutë do të shënojnë edhe golin e barazimit. Pas një krosimi nga këndi, Kapaj gjuan me kokë, por topi përplaset në shtyllë dhe kthehet në zonë, ku është Marku i cili sërish me kokë e dërgon në rrjetë. Barazimi është një rezultat, që nuk i shërben asnjërit prej ekipeve. TOMORI
Tomori është rikthyer me goleadë te fitorja, teksa ka mposhtur në shtëpi Kamzën me shifrat 4-1. Beratasit kanë marrë 3 pikë me vlerë dhe njëherësh kanë parakaluar kamzalinjtë në klasifikim. Trajneri Ernest Gjoka ka bërë një prezantim dinjitoz përpara publikut beratas, i cili edhe këtë herë ishte i shumtë në stadium. Ishte Arbri ai që hapi serinë e golave, duke gjetur rrugën e rrjetës në minutën e nëntë, pas një asisti të marrë nga Hodo. Tri minuta para fundit të pjesës së parë, Çaushaj dyfishoi avantazhin, kur goditi saktë me kokë brenda zonës. Në pjesën e dytë ishin sërish vendësit ata që dominuan në fushën e lojës, ku golat e Bakiut 74′ dhe sërish Çaushaj 84′ zhvleftësuan golin e shënuar nga Capa. Një trepikësh tepër i rëndësishëm për beratasit, të cilët shpresojnë akoma më shumë te mbijetesa. “Patëm disa probleme në lojë, të cilat duhet t’i rregullojmë sa më shpejt. Gjithsesi, ky nuk është momenti i duhur për të folur mbi gabimet, pasi morëm një fitore të rëndësishme”, u shpreh trajneri i Tomorit, Ernest Gjoka.
Partizani, spektakël ndaj Përmetit
Partizani fiton sërish, duke mundur lehtësisht Përmetin me rezultatin 5-1. Të kuqtë e kanë zgjidhur ndeshjen shumë shpejt duke mos hasur vështirësi. Dopietat e Asllanit dhe Sharrës, si dhe një gol i Mahos, i kanë dhënë tri pikët e radhës skuadrës kryeqytetase. Përmetarët nga ana e tyre ishin të pafuqishëm dhe u dorëzuan shumë shpejt. Sfida u ndoq nga rreth 2000 tifozë të Partizanit që mbështetën në çdo moment skuadrën e tyre. Me këtë trepikësh, të kuqtë vazhdojnë të kryesojnë Grupin B në Kategorinë e Dytë. Në ndeshjet e tjera, Delvina fiton me Domosdovën, por lojtarët vendës dhunojnë gjyqtarin. Në Grupin A, Tërbuni ka ngecur pas nëntë fitoresh radhazi, duke barazuar në Luz ndaj skuadrës vendëse. Sukthi i afrohet më shumë vendit të parë.
RENDITJA
Apolonia-Kastrioti 1-0
Gërxho 89′
Skënderbeu-Teuta 0-1
Çota 74′
Bylis-Tirana 1-0
Teqja 11′
Vllaznia-Flamurtari 2-1
Hajdari 39′, Kraja 86′/ Arbri 69′
Tomori-Kamza 4-1
K.Arbri 10′, Çaushaj 41′, 85′, Bakiu 75′/ Capa 78′
Dinamo-Laçi 2-2
Djarmati 55′, Marku 94′/ Doku 71′, Shazivari 86′
Sot
Shkumbini-Pogradeci 15:001 Skënderbeu19 12 5 2 34-12 41
2 Tirana 19 12 4 3 26-15 40
3 Teuta 19 12 4 3 22-12 40
4 Kastrioti 19 9 4 6 31-22 31
5 Flamurtari 19 8 6 5 26-16 30
6 Vllaznia 19 8 3 8 29-24 27
7 Bylisi 19 7 5 7 32-29 26
8 Shkumbini18 6 5 7 24-29 23
9 Laçi 19 7 6 6 18-22 21
10 Tomori 19 6 2 11 24-34 20
11 Kamza 19 5 3 11 14-24 18
12 Apolonia 19 3 5 11 17-32 14
13 Pogradeci18 5 2 11 15-30 14
14 Dinamo 19 2 6 11 14-25 9