E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dori, mund të bisedojmë së bashku edhe pas vdekjes

ANASTAS KOSTANDINI

Miku im i mirë, Kur mësova se më 20 gusht të këtij viti mbushje dhjetë vjet që ishe ndarë nga kjo botë, u trishtova shumë, po aq sa atë ditë që nuk do doja ta kujtoja. Sot është vonë të të them që unë miqtë e mi i dua si veten time dhe, kur më ka humbur ndonjë mik, jam ndier jashtë mase keq. Edhe në rastin tënd, Dori. Kaluan ditë dhe, kur mendova se e kisha lënë pas trishtimin për mikun e humbur, ndërsa shikoja siluetën e malit të Dajtit prej dritares së spitalit ku isha shtruar për një vizitë mjekësore, nuk di pse mu shfaq koka jote në ato pjerrësitë e këtij mali. Ajo koka tashmë ikonë që del paksa prerazi nga një bluzë pa jakë, ku shquajnë mbi gjithçka sytë e menduar, flokët e shpupuritur, mustaqet e gjata shumë e njohur për të gjithë. Duket, kishte ardhur momenti që unë ta hidhja në telajo portretin e mikut tim të vjetër. Po si?!… Filloi kështu brenda meje si të thuash, ai procesi i meditimit që lidhej me gjetjen e idesë sa artistike aq dhe poetike, mbi të cilën duhej ta ndërtoja pikturën time. Ditë më pas, ndërsa shihja me kuriozitet ndryshimet në qendër të Tiranës, mu shfaqe përsëri miku im. Këtë radhë mes tri simboleve të saj, kullës së sahatit, xhamisë së Ethem Beut dhe monumentit të Skënderbeut. Ishte buzëmbrëmje dhe gati sa nuk thirra me zë e gjeta!… Por, mu desh të gdhihem e ngrysem afro dy javë me imazhin tënd në kokë, derisa vendosa ta hedh gjetjen time direkt në telajo. E ndieja që nuk kisha nevojë ta skicoja e vizatoja më parë portretin tënd, ndaj i hyra punës me gjithfarë mjetesh dhe ndalova kur e kuptova që duhej ta ktheja telajon nga muri. Pas një jave, i bindur se ajo ishte tharë teknikisht dhe më lejonte të ndërhyja, iu afrova përsëri. Këtë radhë, punova gati-gati në mënyrë inkoshiente. Pas tri orësh vendosa ta kthej përsëri telajon nga muri. Tani isha i sigurt se herën e tretë nuk do ta ngacmoja më. Dhe vërtet, kur e ktheva dhe e pashë, kisha harruar vetëm ta nënshkruaja, kështu që hodha firmën dhe u ula të çmallem me mikun tim.

* * *

E mban mend Dori kur jemi njohur?… Shumë herët, në fillim të viteve 80, atëherë kur ti punoje gazetar në gazetën Drita. Në fakt, pa të njohur fizikisht, kur shihja firmat e autorëve në fund të shkrimeve të kësaj gazete apo dhe të të tjerave, emri dhe mbiemri yt më bënin shumë përshtypje. Emri Teodor më dukej i lashtë e mitik, ndoshta prej adhurimit që kisha për Teodor Kavaljotin e famshëm. Mbiemri Keko më dukej tokësor, edhe pse ishte shumë i famshëm për shkak të prindërve. Më vonë, kur u njohëm nga afër, kuptova që miku im nuk kishte nevojë për famën e prindërve të tij që të bëhej po aq i famshëm. Jo se i shkonte ndesh rrjedhës logjike të destinacionit human të prindërve, por se ai jetoi epokën e tij dhe e jetoi atë në një mënyrë të thellë e origjinale.

Më kujtohet se, gjatë atyre viteve, përveç takimeve miqësore ku ti modeloheshe në shoqëri në mënyrë shumë të natyrshme, madje për ta bërë sa më të afërt atë, më flisje mua në dialektin e zonës, pasi siç më thoshe, ju poradecarët nuk dalloni në të folur nga korçarët, kemi ndërmarrë së bashku edhe ndonjë udhëtim pune, siç ishte ai në fushën e Korçës në gusht të vitit 1983 kur ti si autor reportazhi dhe unë e Ylli Haruni si autorë të skicave shoqëruese kemi kaluar ditë të mrekullueshme në kulmin e fushatës së korrje-shirjeve. Edhe pse kanë kaluar kaq vite, nuk mund ta harroj atë drekë në Maliq ku debatuam mes nesh për disa orë, gjithnjë dhe vetëm për probleme të letërsisë dhe artit. Eh, miku im! Si gjithnjë, edhe atë ditë ti ishe i veçantë. I veçantë në diskutim. I veçantë në debat. I veçantë në ndërhyrje. I veçantë edhe në rikthimin e atmosferës miqësore në tavolinë sa herë debati acarohej e ne të tjerët ngrinim zërin. Dhe, veç këtyre sa thashë, ti ke meritën e madhe që atë ditë çdo gjë ishte në ndërkryerje e sipër. Sot mund të mos i besojnë apo kuptojnë këto që po rrëfej unë, po, pikërisht në këto tavolina të improvizuara, thuheshin të gjitha llojet e të vërtetave në atë kohë.

Sa për takimetMbaj mend që takoheshim me një dashuri të madhe, e cila lexohej qartazi në sytë tanë. Pastaj, uleshim dhe bisedonim me pasion të madh për orë të tëra, shkëmbenim mendime në mirëkuptim për shumë gjëra Tani që rri e kujtoj takimet tona të atëhershme, mendoj se shpirtërisht ne kemi pasur një raport shumë të afërt njëri me tjetrin, pa folur pastaj që, mbi të gjitha, mua më afronte me ty antikonformizmi yt që shfaqej përmes një befasie apo spontaniteti krejt të veçantë. Këto dhe batutat e tua fantastike me kalimtarët e shumtë dhe të rastësishëm gjatë atyre minutave të takimeve tona pasi ti ishe shumë i njohur, më bënin mua të të shihja si një njeri që thoshe, pse jo, edhe teorema. Por jo teorema të menduara. Absolutisht jo. Teoremat e tua kishin një spontanitet të paparë dhe kjo gjë më gëzonte jashtë mase mua pasi, në një kuptim, ato më plotësonin mungesën e atmosferës krijuese që unë përjetoja në Poradec Tarafet dhe aleancat e artistëve që të vlerësojnë në sy apo të shajnë pas krahëve, njerëzit me pushtet që edhe se nuk marrin vesh nga arti, nuk e kanë për gjë të lëshojnë mbi ty një bateri fyerjesh mungesa këto jo të vogla për të motivuar dhe nxitur një artist të krijojë, më mungonin mua atje ku jetoja. Këto ndoshta dhe nostalgjia për atë botën e munguar, janë arsyet që unë, herë pas here vija në Tiranë dhe nxitoja të takoja miqtë e mi të mirë, mes tyre, dhe ty Dori. Ndërsa, kur takoheshim në Lidhjen e Shkrimtarëve, në dy apo tri raste ti më ke tërhequr veçmas dhe atëherë kemi ndenjur e biseduar më gjatë për krijimtarinë dhe problemet e saj në përgjithësi, sigurisht pa harruar t pyesim për planet krijuese dhe duke inkurajuar njëritjetrin Ka qenë një kohë shumë interesante, një kohë që na futi të dyve në listat e njerëzve që u përmendej emri sa herë flitej për gjeneratën e re të artistëve. Ishte një kohë entuziaste dhe krijuese. Megjithatë, ti, unë, dhe të tjerë si ne, në bisedat tona të sinqerta nuk mund të mos ishim kundërshtarë të gjithë atij paradoksi në të cilën ishte futur jeta jonë në atë periudhë. Kjo pasi ne e ndienim epokën e re të ndryshimit që po trokiste edhe në Shqipëri dhe duhej të rendnim. Është koha kur në të gjitha kalimet e tua drejt Korçës apo nga Korça, ti ndaloje në Poradec dhe më kërkoje atje, tek ajo studioja e vogël që kam pasur dikur në qendër të qytetit. Nuk mund ta harroj trokitjen dhe buzëqeshjen tënde te dera e studios. Për ty unë isha Caci, edhe pse mua nuk më pëlqente e të thosha të më thërrisje Taso pasi tingëllonte më mirë Jo, më kundërshtoje ti duke qeshur, mua më tingëllon shumë mirë Caci. Mirë atëherë, të thosha unë, po të toleroj meqë C-ja jote është e veçantë (ndoshta për shkak të dy dhëmbëve të parë pak të hapur e që të bënin shumë simpatik kur qeshje). Pastaj çmalleshim dhe bisedonim për minuta të tëra për letërsinë dhe pikturën duke pirë kafe apo ndonjë kupë verë buti Në një rast, kemi shkuar për vizitë edhe në shtëpinë e Petraq Cicit, kunatit tim mjek, shumë më i madh prej nesh, i cili kishte një pasion të madh e të fshehur për shumë vite ndaj pikturës, këtij bekriu i cili mezi priste ta linte mënjanë bluzën e mjekut, pasi kishte filluar ethshëm të pikturonte. Atë ditë dimri u harruam pas pikturave, pimë verë sa plasëm, por nuk harruam të bënim të tre një fotografi buzë liqenit kur dolëm për të të përcjellë drejt Tiranës. Është një foto tepër prekëse, të cilën unë e dua shumë dhe e ruaj në një nga albumet e mia Sa herë të shoh në atë fotografi miku im, të futur gati të tërin nën atë pallto gub, ngjyrë gri të errët, të madhe e të rëndë, më vinë ndër mend brishtësia e fytyrës së atij djalit me fytyrë qytetare që vinte nga kryeqendra dhe që kishin filluar ti binin flokët, bisedat aq miqësore dhe të hapura, tokësore dhe konfidenciale, shumë larg shtirjes dhe akademizmit të jo pak miqve tanë të përbashkët, e që i mbyllte me shprehjen Caci, mja ndenje këtej, hajde tani andej nga ne se po të presim Në ato vite, ti Dori ishe prototipi i djalit nga qyteti që unë e kam dashur shumë pasi disa nga miqtë e mi më të mirë kanë qenë nga Tirana Pse ta fsheh Teodor

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›