E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozita “Shqipëria, Athleta Christi. Rrënjët e lirisë së një populli” në Takimin e Riminit

21-08-2012 / (Radio Vatikani)

Kush më shumë se shqiptarët mund të dëshmojnë sa të vërteta janë fjalët e Papës. Nën komunizmin ateist, u mbyllën vendet e kultit në emër të çlirimit të njeriut nga Zoti, por ai njeri u zhyt në errësirën më të thellë, që kishte parë ndonjëherë, i privuar edhe nga liria për të menduar me mendjen e vet. Takimi i Riminit është rast për të dëshmuar pikërisht këtë përvojë e shqiptarët e Lëvizjes “Bashkim e Çlirim” e kanë shfrytëzuar për të dokumentuar, me ekspozitën e titulluar “Shqipëria, Athleta Christi. Rrënjët e lirisë së një populli”, se liria identifikohet me varësinë e njeriut nga Zoti, i vetmi që i kundërvihet diktaturës së njeriut kundër njeriut. Ekspozita u hap dje në Rimini dhe do të mbyllet të shtunën, më 25 gusht. Grupi përgatitor ka shfrytëzuar përvojën personale dhe dokumentet për një ekspozitë multimediale, menduar me tri ikona historike.
Ikona e parë paraqet Gjergj Kastriotin Skënderbeun, i quajtur nga papët “Athleta Christi”, pasi ndaloi otomanët në dyert e Evropës. Identiteti i popullit shqiptar farkëtohet më tej nga kleri dhe rregulltarët katolikë. Prania e tyre besnike ndër shqiptarët përmblidhet bukur në letrën e hapur të vitit 1932, me të cilën fretërit françeskanë të Shkodrës i përgjigjen Ministrit të Arsimit të mbretit Zog, kur ky propozon të mbyllë shkollat private. Letra është një nga majat e publicistikës polemike shqiptare, shkruar nga atë Gjergj Fishta, me titull “Gabove Hilë” e i kujton Ministrit të atëhershëm të Arsimit, Hil Mosi, me një ironi të hollë, kontributin e françeskanëve e të klerit shqiptar në edukimin e rinisë, në botimin e gazetave e të revistave, në pajtimin e gjaqeve e madje edhe në derdhjen e gjakut për Shqipërinë, ndërsa ju – shkruan Fishta – jeni shëndoshë e mirë.
Në ikonën e dytë të ekspozitës shihen protagonistët kryesorë të Rilindjes shqiptare, e cila çon drejt vitit 1912, shpalljes së Pavarësisë e më pas, viktimat e persekutimit komunist të klerit. Martirë, pranë të cilëve edhe Nënë Tereza, shenjte e madhe e shekullit XX, që dëshmon Krishtin në botë, ndërsa Shqipëria zhytet në errësirën e ateizmit të paskrupullt, i cili, dalëngadalë, i bën varrin vetes, pasi natyra njerëzore nuk mund të jetë thjesht prodhim ideologjik.
Ikona e tretë është Shqipëria pas komunizmit. Shqiptarët përpiqen të rigjejnë identitetin e tyre: janë të lirë, por akoma skllevër të mendimit komunist. Objektivi i grupit, që ka përgatitur ekspozitën, është të vazhdohet debati për ta gjetur këtë identitet edhe me ndihmën e fesë, duke pasur parasysh se kultura e shqiptarëve është pjesë e kulturës perëndimore e se lufta e tyre për liri i përket Perëndimit, që duhet ta njohë e ta vlerësojë e ndoshta edhe të mësojë prej saj.
Kronika nga Takimi i Rimnit- Papa i kërkon njeriut të pranojë se është krijesë e Zotit/Takimi i Riminit, i organizuar si çdo vit, nga Lëvizja kishtare “Bashkim e Çlirim” përfundoi ditën e tij të dytë. Dje, pjesëmarrësit, ndër të cilët edhe ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji dhe një grup shqiptarësh, diskutuan për parimin e lirisë fetare dhe ndikimin në jetën shoqërore e politike të botës, folën për njeriun si qenie fetare dhe për marrëdhëniet me Islamin. Tema e këtij viti “Natyra e njeriut dhe marrëdhëniet e tij me Amshimin” ishte edhe në qendër të mesazhit të Papës Benedikti XVI, dërguar ipeshkvit të qytetit bregdetar italian, imzot Françesko Lambiazi. “Të flasësh për njeriun dhe etjen e tij për amshim – shkruan Papa në mesazh – do të thotë, para së gjithash, të pranosh…se njeriu eshte krijesë e Zotit”. E megjithatë, vërën Ati i Shenjtë, duket se kjo fjalë, “krijesë”, është sot jashtë mode, mendohet se njeriu është protagonisti i vetëm i fatit të tij. Por sado të përpiqet njeriu ta mënjanojë Hyjin, zemra e tij e kërkon amshimin, nganjëherë edhe në drejtime të gabuara, që sjellin kënaqësi aty për aty, por janë në vetvete shumë të rrezikshme. Papa përmend drogën, seksualitetin e shfrenuar, suksesin me çdo kusht e madje, edhe format e rreme fetare. Për ta njohur vërtet vetveten e për të gjetur rrugën drejt Zotit, thekson Benedikti XVI, njeriu duhet të pranojë se është krijesë e Tij e varet prej Hyjit. Këtu e ka bazën liria e vërtetë dhe e plotë e njeriut.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›