E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doris Pak: Klima konsensuale, garancia se reformat do ecin shpejt

Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Doris Pack ka vlerësur ecurinë e reformave në Shqipëri, ndërsa është shprehur optimiste për vazhdimësinë e klimës së konsensusit mes mazhorancës dhe opozitës. Zonja Pack zhvilloi dje në Bruksel një takim me delegacionin e qeverisë shqiptare të përbërë nga Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, gjatë së cilit u interesua në veçanti për ecurinë e projekteve për regjistrin e gjendjes civile, sisemin e adresave dhe dokumenteve të identitetit. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, pasi informoi mbi ecurinë e këtyre projekteve, siguroi edhe njëherë zonjën Pack se gjithçka po ecën sipas parashikimeve dhe në zgjedhjet e vitit 2009 shqiptarët do të shkojnë me dokumente të reja identiteti, karta dhe pasaportë biometrike të standardeve europiane. Nga ana e saj europarlamentarja shprehu vlerësim për ecurinë e këtyre projekteve e po ashtu të reformave në tërësi si dhe e cilësoi shumë premtues dhe pozitiv vullnetin për bashkëpunim nga të gjitha palët për kryerjen e reformave. Po dje tre ministrat zhvilluan një takim edhe me përfaqësues të Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor, e po kështu një takim tjetër me eurodeputetët Ëiersma dhe Demetriu. Në dy ditët e qëndrimit në Bruksel me qëllimin e informimit të përfaqësuesve më të lartë të Komisionit Europian dhe Parlamentit Europian mbi ecurinë e reformave të ndërmarra në kuadër të procesit të integrimit dhe zbatimit të MSA. Në këtë kuadër Nishani, Bregu dhe Alibeaj kanë zhvilluan takimin e parë me Drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Europian, Michael Leigh. Ministri Nishani informoi zotin Leigh për vijimësinë dhe arritjet në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve, korrupsionit e krimit ekonomik si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje dhe marrëveshjet e nënshkruara për të luftuar krimin ndërkufitar. Ministri i Brendshëm paraqiti në takim edhe një informacion të detajuar mbi ecurinë e projekteve të regjistrit elektronik të shtetasve, sistemit të adresave dhe dokumenteve të reja të identitetit. Këto informacione ministri Nishani i paraqiti edhe në takimin që u zhvillua me Raporterin e Parlamentit Europian për Shqipërinë, Libor Ruçek, ku theksoi se në pritje të ftesës për anëtarësim në NATO, në Shqipëri ka një përmirësim të ndjeshëm të klimës politike dhe vullnet të të gjitha palëve për të dhënë kontribut në përshpejtimin e ecurisë së reformave. Takimi më i rëndësishëm i datës ishte ai me zëvendëspresidentin e Komisionit Europian, Franko Frattini, ku ministri Nishani paraqiti arritjet në luftë kundër kriminalitetit, ecurinë e procesit për dokumentet e reja të identitetit, forcimin e bashkëpunimit ndërkufitar me vendet fqinje, e ndërkohë vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer me Interpol-in dhe Europol-n. Frattini nga ana e tij, përgëzoi për këto arritje dhe vlerësoi se kjo tregon që Shqipëria është në rrugë të mbarë. E ndërsa u interesua për ecurinë e zbatimit nga ambasadat të Marrëveshjes së Lehtësimit të Regjimit të Vizave, Frattini deklaroi në takimin me tre ministrat shqiptarë, se së shpejti do të fillojnë bisedimet për liberalizimin e plotë të vizave dhe se në fillim të muajit mars do të bëjë një vizitë në Tiranë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›