E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dorjan Teliti: Projektbuxheti 2026 identik me vitin 2025, pa politika lehtësuese për sipërmarrjen

Anëtari i Këshillit Bashkiak të PD në Bashkinë e Tiranës dhe njëkohësisht koordinatori i programit ekonomik në Partinë Demokratike, Dorjan Teliti, ka kritikuar projektbuxhetin e vitit 2026.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë për RTSH24, Teliti u shpreh se buxheti i ri është thjesht një vazhdimësi e atij të vitit 2025, pa asnjë ndryshim thelbësor dhe pa masa konkrete për të fuqizuar rritjen ekonomike.

Teliti tha se projektbuxheti i vitit 2026 nuk sjell asnjë risi krahasuar me vitin aktual.

“Nuk ka asnjë ndryshim në çdo lloj aspekti. Përsa i përket buxhetit si instrument për të fuqizuar rritjen ekonomike, projekti i ri është parashikuar në të njëjtat nivele sikurse është tashmë.”

Ai ngriti shqetësimin se rritja e pagës minimale do të kthehet në barrë për biznesin shqiptar, duke shtuar se, “Rritja e pagës minimale do të kthehet në një barrë për sipërmarrjen shqiptare. Qeveria premtoi kompensim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 9 mujore, por realiteti është se do të kompesohet vetëm muaji i parë. Nga muaji shkurt e më pas, e gjithë barra financiare i bie biznesit.”

Teliti shtoi se projektligji parashikon edhe rritje të taksave të përgjithshme, duke përmendur rritjen e aksizave si pjesë e kalendarit të përvitshëm. Sipas tij, qeveria nuk ka politika lehtësuese për sipërmarrjen, veçanërisht për sektorin prodhues, ndërsa industria dhe bujqësia shqiptare prej tre vitesh ndodhen në recesion.

“Shikoj rritje të aksizave, që është kalendari i përvitshëm i rritjes.”

Sipas tij, qeveria nuk ka politika lehtësuese për sipërmarrjen, veçanërisht për sektorin prodhues  por është thjesht një vazhdimësi e atij të vitit 2025, pa asnjë ndryshim thelbësor dhe pa masa konkrete për të fuqizuar rritjen ekonomike.

“Prej tre vitesh tashmë industria e vendit është në recesion. Bujqësia shqiptare është në recesion.”

Ai akuzoi qeverinë për premtime të shumta në investime, por me pak realizime konkrete.

“Qeveria ka premtuar që vitin e ardhshëm do të rrisë pensionet, por nga shifrat që ka në projektbuxhet, viti 2026 është identik me vitin 2025.”

Eksperti i PD-së ngriti shqetësimin se rritja e pagës minimale do të kthehet në barrë për sipërmarrjen shqiptare, pasi ndryshe nga premtimi i qeverisë për kompensim të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 9 mujore, realiteti është se kompensimi do të bëhet vetëm për muajin e parë, ndërsa nga muaji shkurt e më pas e gjithë barra financiare i bie biznesit.

“Nuk bëhet fjalë për rritje pagash, por është indeksim për shkak të normës së inflacionit dhe që është detyrim ligjor.”

Ai kritikoi politikat e ndjekura nga qeveria, duke thënë se nuk stimulojnë prodhimin vendas.

“Ne na ka bekuar Zoti për të pasur produkt vendas, por ai nuk po stimulohet sepse politikat e ndjekura janë vrastare dhe nuk ushqejnë produktin vendas. Buxheti është një instrument për të siguruar mirëqenien e qytetarëve dhe shëndetin e sipërmarrjes, dhe kur nuk i arrin këto, projektbuxheti meriton notë ngelëse, 4.”

Teliti theksoi se dy shtyllat kryesore të shoqërisë, Shëndetësia dhe Arsimi, mbeten të nënfinancuara.

“Qeveria kishte premtuar një financim prej 5% të PBB-së, por projekti i buxhetit për vitin 2026 parashikon vetëm 2.9% të PBB-së për Shëndetësinë dhe 2.5% të PBB-së për Arsimin. 13 vite premtime të bukura, por realiteti sot flet për spitale pa barna.”

Ai akuzoi qeverinë se fondet publike shpërndahen në mënyrë klienteliste dhe për projekte luksi, ndërsa arsimi dhe shëndetësia mbeten pas. “Premtimet për rritjen e fondeve për arsimin dhe shëndetësinë kanë mbetur vetëm në letër, ndërsa realiteti flet për spitale pa ilaçe, mjekë që largohen dhe shkolla që zbrazen çdo vit.”

Në fund, Teliti sqaroi se indeksimi i pagave është detyrim ligjor, jo vendimmarrje politike, ndërsa për pensionet nuk ka asnjë fond shtesë. “I majtë apo i djathtë, qeveri politike apo teknike qoftë ajo, duhet të bëjë indeksimin me normën e inflacionit të pagave të administratës publike. Përsa i përket rritjes së pagave me ritëm më të lartë sesa norma e inflacionit, pra që të mos humbet fuqia reale blerëse? Jo. Zero para, zero lekë. Po për pensionet? Absolutisht asgjë. E njëjta gjë, identike.”

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›