E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Doshi pas daljes nga SPAK: U pyeta për zgjedhjet në Rrogozhinë

TIRANË, 24 shkurt/ATSH/ Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Tom Doshi u thirr sot në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ku siç pohoi ai, u pyet në lidhje me zgjedhjet e pjesshme në Rrogozhinë në vitin 2023.

Pas daljes nga SPAK, Doshi tha për gazetarët se ka shpjeguar një takim që ka realizuar në vitin 2023 me një person, për zgjedhjet në Rrogozhinë.

Sipas Doshit, personi me të cilin ai ka zhvilluar një takim elektoral ka qenë në përgjim nga SPAK.

“Është normale që të na thërrasë Prokuroria. U pyeta për zgjedhjet në Rrogozhinë, për Edison Memollën. Kam bërë një takim ne Rrogozhinë, personi që kam takuar ka qenë në përgjim. Po bëhet hetimi për të gjithë ata”, u shpreh Doshi.

Kryetari i PSD-së, tha se ai dhe deputetët e kësaj force politike e kanë mbështetur gjithmonë Reformën në Drejtësi dhe janë kundër shkrirjes së SPAK-ut.

“E kam mbështetur Reformën në Drejtësi dhe deputetët tanë në Parlament do ta mbështesin SPAK”, tha ai. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›