E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja H. me aurën politike

Lumnije Sopi në azotikun e Fierit gjatë xhirimeve të filmit "Anatema". Aktorja ka përfituar së fundi një rol në dramën "Dosja H" që i përket një personazhi mashkullor. Foto Armand Abazaj

Elsa Demo

Teatri Kombëtar i Kosovës shfaq të dielën në Tiranë Dosja H me regji të Agim Sopit. Drama është prodhimi i parë për këtë sezon i trupës kosovare, fare i ri, vetëm mbrëmë u shfaq premiera në skenën kryesore të Prishtinës.

Thrilleri me pretekst mitin e bardit homerik për të shpalosur prapaskena historike të konflikteve nacionaliste, bazohet në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë botuar më 1981.

Shqipëri, vitet tridhjetë. Dy studiues homeristë, Maks Roth dhe Vili Norton, udhëtojnë në Veri për të regjistruar bardë vendës të eposit të kreshnikëve. Ata kërkojnë të provojnë nëse kjo traditë përmban variacione të mbijetuara prej laboratorit të eposit homerik. Vetë Kadare është bazuar në historinë reale të Milman Perit dhe Albert Lordit, të cilët udhëtuan në Ballkan në vitin 1932, kryen ekspedita dhe regjistruan në Bosnje rapsodë të eposit serbo-kroat.

Pritja nga vendësit, që nga fantazitë dashurore të Dezit, gruaja e nënprefektit, më njërën anë, te konspiracionet e agjenturave të huaja më anë tjetër, janë linja që janë ruajtur në rrëfimin regjisorial të Agim Sopit, që në thelb raportet ndërballkanike nënkuptojnë një kontekst të aktualitetit politik shqiptar (në Kosovë) e ballkanik.

Është herët të flitet për rezultatin që i dha mbrëmë spektatorit Dosja H, edhe sepse regjisori Sopi gjatë gjithë kësaj kohë ka qëndruar gojëkyçur. Ai nuk ka dalë as në konferencën për shtyp dje para premierës, siç raportojnë mediat në Kosovë. Këto të fundit kanë vënë në dukje që në krye të projektit të papriturat që janë shfaqur nga konceptet regjisoriale të Sopit. Konkretisht për ndërrimin e gjinisë së njërit prej personazheve kryesorë, Maks Rothi, rol që ia ka besuar së shoqes, Lumnije Sopi (aktore e TKK-së). Ky personazh tani quhet Meri Roth dhe me gjasë, i referohet gjithnjë Milman Perit.

Ky ndërrim është justifikuar si element regjisorial që ka marrë edhe miratimin e shkrimtarit Ismail Kadare.

Ndërsa autori i dramatizimit, Ag Apolloni është shprehur për shtypin se ai si dramaturg i shfaqjes nuk do ta kishte miratuar një çoroditje të tillë, sepse ai intervenim e dëmton tekstin në dy plane: dramaturgjik dhe historik.

Gjithnjë referuar projektit regjisorial që Agim Sopi ka depozituar në TKK, për nga forma narrative, Dosja H prezantohet e përafërt me llojin e dramaturgjisë fragmentare. Shtrihet në një hapësirë të pjerrtë, në një humbëtirë që shpie askund. Një lloj Golgote e antikitetit të shkatërruar shqiptar. Me vetëm disa skelete druri që sugjerojnë Hanin e Rrashtbullit, apo me një vaskë mermeri që shfaqet reale në shtëpinë e nënprefektit. Me këtë logjikë, krijohet një mishërim i imazhit të magjishëm që vazhdimisht ndeshet me realitetin grotesk. E më tej, Sopi shënon që nga bota e vrazhdë dhe gadi e pashpresë, shfaqja pretendon të krijojë imazhin e bukur dhe shpresën për jetë. Një imazh të shpërlarë me dritën që jep shpirt. Imazhin e shpërlarë me rreze hëne, apo me mugë. Kjo është forma e përzgjedhur dhe atipike e krijimit të shfaqjes Dosja H.

Gjithsesi Udhëheqësi Artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Emin Emini është shprehur në konferencën e djeshme për shtyp se kemi të bëjmë me një spektakël dhe që është projekti më i madh i Teatrit Kombëtar gjatë kësaj sezone. Dosja H. paraqet një shkrirje mes tradicionales dhe modernes. Muzika e kompozuar nga Trimor Dhomi do të jetë live dhe do të interpretohet nga një grup lahutarësh që po ashtu janë pjesë e shfaqjes.

Teatri dhe kinemaja në tërësi është e afektuar nga letërsia e shkrimtarit të shquar. Të shumta janë ekranizimet (edhe ndërkombëtare) qoftë prodhime të Kinostudios Shqipëria e Re, qoftë prodhimet e pavarura të sotme. Vazhdon të luhet e fjalëpërfjalshme në teatër vepra e tij, siç ndodhi më 2010 me Darka e Gabuar, bazuar në romanin me të njëjtin titull.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka inskenuar më parë nga Kadare në vitet dymijë, Pallatin e ëndrrave me regji të Altin Bashës. Ndërsa Dosja H është një propozim për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Drejtoresha e TKK-së, Burbuqe Berisha, ka deklaruar në Tiranë se repertori i 2012-ës të mbahet kryesisht me dramaturgji shqiptare.

Sa për regjisorin Agim Sopi, ai preferon trajtimin e lëndës letrare shqiptare qoftë në kinema, që është fusha e parë e interesave të tij regjisoriale, qoftë në televizion e teatër. Ai ka shkruar histori për film e TV nisur nga proza e Anton Pashkut (Kulla) apo e Fatos Kongolit (me romanin Lëkura e qenit). Në rastin e Kadaresë, Sopi ka punuar mbi dramatizimin që Ag Apolloni i ka bërë romanit, një praktikë të cilën Teatri Kombëtar i Kosovës e vë në punë edhe për vepra mirëfilli dramaturgjike, çka u pa e aplikuar te Nata e dymbëdhjetë e Shekspirit, shfaqur para pak javësh në Tiranë.

Dosja H angazhon 22 aktorë, ndër të të cilët aktorë që nuk kanë luajtur për një kohë të gjatë. Më 18 mars ora 19.00 në Tiranë dalin në skenë: Arben Kastrati (Vili Norton, folklorist irlandez), Lumnie Sopi (Meri Roth, folkloriste irlandeze), Hazir Myftari (Nënprefekti), Anisa Ismajli (Dezi, gruaja e nënprefektit), Ardi Islami (Dullë Baxhaja, spiun me vesh), Ylber Bardhi (Pjetër Prenushi, spiun me sy), Shkëlzen Veseli (Luka, spiun i anglishtes), Çun Lajçi (bujtinari/lahutari, pronar i Hanit të Rrashtbullit), Kushtrim Sheremeti (Cute Arapi, hamall jevg), Basri Lushtaku (Rroku, pronar i fabrikës së sapunëve), Selman Jusufi (Eremiti Frrok), Ismet Azemi (Murg serb), Ramadan Malaj (Pijaneci I), Mehmet Breznica (Pijaneci II), Sylë Kuqi (banakieri), Shpejtim Kastrati (malësori), Liridona Motra-Semira (kamerierja), Kumrie Hoxha (plaka). Marrin pjesë balerinë të Trupës së Baletit të Kosovës. Skenograf: Afrim Gora, kostumografe: Samka Ferri, koreograf: Ahmet Brahimaj, kompozitor: Trimor Dhomi.

Dosja H i kushton 65 mijë euro buxhetit të TKK-së.

Regjisori

Agim Sopi (1956) ka përvojë 30-vjeçare në kinema, teatër, televizion, qysh se kreu studimet për regji filmi në Universitetin e Zagrebit. Është themelues i shtëpisë filmike AS Film Production në Prishtinë. Paralel me punën në film, ka realizuar rreth tridhjetë shfaqje në teatrot e ndryshme profesioniste në Zagreb, Prishtinë, Shkup, Tiranë.

Është regjisor i filmave Njeriu prej dheu 1984, Vjeshta e trëndafilave 2001, Anatema 2006 xhiruar në Shqipëri. Dhe për televizion: Pelerina 1982, Lulepjeshkat e dashurisë 1988, Kulla 1990 etj.

Citat

Me gjithë titullin e përshtatshëm për një triller, Dosja H është më tepër një roman me spekulacione filozofike. Shkruan Galia Valtchinova në punimin Dosja H e Ismail Kadaresë dhe krijimi i vargjeve homerike.

65 mijë euro

I kushton TKK-së vënia në skenë e Dosjes H. Drama është prodhimi i parë për këtë sezon i trupës kosovare. Vetëm mbrëmë u shfaq premiera në skenën kryesore të Prishtinës. Thrilleri me pretekst mitin e bardit homerik për të shpalosur prapaskena historike të konflikteve nacionaliste, bazohet në romanin me të njëjtin titull të Ismail Kadaresë botuar më 1981.

Teatri Kombëtar i Kosovës ka inskenuar më parë nga Kadare në vitet dymijë, Pallatin e ëndrrave me regji të Altin Bashës. Ndërsa Dosja H është një propozim për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Drejtoresha e TKK-së, Burbuqe Berisha, ka deklaruar në Tiranë se repertori i 2012-ës të m

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›