Dosja “Partizani”- Shtyhet për në 23 prill seanca paraprake. Gjokutaj: Ritheksuam mungesën e faktit penal, kërkuam pushimin e çështjes

Është shtyrë sërish seanca paraprake për dosjen “Partizani”. Seanca e radhës do të zhvillohet më 23 prill në orën 13:00. Avokati mbrojtës i kreut demorkat Sali Berisha, ka bërë me dije se ka kërkuar pavlefshmërinë e akteve dhe pushimin e çështjes.
Ai e konsideroi gjithë këtë proces si një maskaradë juridike, ndërsa thekson se shpreson që 23 prilli të shënojë dhe datën e mbylljes së seancës paraprake.
“Keni parë ju procese që kanë prova të plota dhe të sakta që të zgjasë seanca paraprake kaq? Nuk ka asnjë provë. Maskaradë juridike që vazhdon me firma të falsifikuara, me ekspertë që s’kanë njohuritë e posaçme në pavlefshmëri deri në njoftime.
Ne nuk bëjmë gara paralele, pa shteruar mjetet juridike këtu…Ne kemi operuar me mjetin procedural të pavlefshmërisë.
Objekti penal ka kohën e vetë. Ne kemi ndjekur një strategji të tillë, që të merremi me çështjen dhe më pas me aktorët që e ngritën këtë ngrehinë pa hapur themelet.
23 prilli është data që unë mendoj që do përfundojë seanca paraprake. Pastaj unë shpresoj që gjykata të marrë kohën e saj për të dhënë një vendim”, deklaroi Gjokutaj para SPAK.
Sali Berisha është akuzuar për korrupsion pasiv dhe është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, ndërsa Jamarbër Malltezi ndodhet në “arrest shtëpie” për akuzën e korrupsionit pasiv dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Në këtë dosje janë nën akuzë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja dhe Andia Pustina.
/rtsh.al/