E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Partizani”, ish-ministri Pango dëshmon në GJKKO: Isha pro privatizimit, por jo për ndryshimin e destinacionit

Ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango ishte në Gjykatën e Posaçme, ku u pyet si dëshmitar në gjyqin e dosjes “Partizani”.

Akuza e pyeti për ndryshimin e ligjit për terrenet sportive, ku Pango tha se, nuk mban mend detaje pasi asokohe nuk kishte ngjarje në terrenet sportive dhe se prioritet ishte turizmi.

Pango deklaroi, se ishte pro privatizimit, por jo për ndryshimin e destinacionit dhe kundër ndryshimeve ligjore të 2008-s që i hapën rrugë kullave.

Në gjyq dëshmoi edhe ish-Përgjegjësja juridike e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Tetis Lubonja, e cila kreu procesin e privatizimit të ish-klubit shumë-sportësh Partizani. Ajo tha se ka zbatuar ligjin ndërsa më vonë është punësuar në kompaninë “Kontakt”, që më vonë ndërtoi kullat në terrenin e klubit të sportit.

Në GJKKO dëshmoi edhe Altin Ceni, ndërkohë që nuk u paraqit Paro Laçi.

“Dolën dy nga 35 falsitetet e prokurorisë dolën aty, njëra prej të cilave kishte të bënte me faktin që nuk zhvillohej sport, pavarësisht se prokuroria ka gënjyer në dokument zyrtar. Dëshmitarët gjithashtu dëshmuan që dhe sot po të ishin të njëjtat vendime do të ishin, sepse pronarëve u kishin vjedhur tokën shteti komunist hajdut, nuk ua kthente. Për më tepër terrenet ishin pushtuar nga persona të tretë. Pra as sport nuk bëhej asgjë”, u shpreh Jamarbër Malltezi, i cili është një nga personat nën hetim për dosjen “Partizani”.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 6 korrik, ndërsa janë thirrur si dëshmitarë ish-ministri i mbrojtjes, Gazmend Oketa, Elvira Lame, Paro Laçi dhe Isa Tare.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›