E Diel, 1 Nëntor 2026

Dosja “Plumbi i Artë”, dëshmon në GJKKO doktori që e ndihmoi Nuredin Dumanin

Gjatë seancës për dosjen “Plumbi i Artë” ne GJKKO, dëshmoi mjeku që ka ndihmuar te penduarin e drejtësisë Nuredin Dumanin pas atentatit në kthesën e Cërrikut. Ai tha se ishte thirrur nga një numër i panjohur dhe nuk e dinte se po ndihmonte një të kërkuar nga policia.

“Më mori dikush në telefon dhe më tha se një person kishte nevojë për mjekim në shtëpi. Më shoqëroi një person që çalonte dhe më tha se çfarë do shihja aty, nuk kisha punë të flisja jashtë. Në banesë ishte edhe një vajzë. Nuk asistova në ndihmën mjekësore, por i thashë se kishte nevojë të operohej. Kur ika për të marrë makinën tek spitali, pashë se më ndiqte një person nga pas. Nuk mendova se ishte ai që flitej në televizor, pasi pamja nuk përputhej”, tha mjeku.

Në seancë dëshmoi edhe i pandehuri Agim Gjini. Ai rrëfen detaje për vrasjen e Elvis Dedajt në 2012 dhe të nënës së tij, Fatmira Dedaj, një vit më vonë në Durrës.

Agim Gjini ka dëshmuar se kishte punuar në karburantin e Elvis Dedajt dhe Festim Qolit, duke përmendur marrëdhëniet e tyre dhe një mosmarrëveshje që dy të fundit kishin për një vajzë, por deklaroi se nuk dinte kush vrau Elvisin ose nënën e tij, Fatmira Dedaj.

 Ai shtoi se kishte takuar Festimin pas ngjarjes dhe kishte frikë për sigurinë e tij.

Gazetare: Lusi Përgjegji

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›