E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja për përdhunimin e Florije Peçit shkon në Austri, 3 të dyshuar

florie-peciTiranë- Prokuroria shqiptare transferon në Austri procedimin penal të hapur në lidhje me dyshimet për përdhunimin e Florije Peçit, studentes së mbijetuar nga tragjedia e Himarës, e cila u mjekua jashtë vendit për disa muaj me radhë.

Këtë javë, Prokuroria e Tiranës ka përfunduar procedurën e transferimit të procedimit penal në Austri, pasi rezulton se ngjarja apo rrethana të lidhura me objektin e hetimit nuk kanë ndodhur në Shqipëri. Pak ditë pas dërgimit të analizës së ADN-së së vajzës që lindi Florije Peçi në një maternitet në Tiranë, organi i akuzës ka transferuar edhe dosjen e plotë të ngjarjes në drejtim të Austrisë. Nga hetimet e kryera në Shqipëri për më se 6 muaj, rezultoi se ngjarja nuk ka ndodhur në vendin tonë. Edhe personat e dyshuar se kanë pasur marrëdhënie me vajzën e mbijetuar nga aksidenti i Himarës, nuk ndodhen në Shqipëri. Për këtë arsye është vendosur transferimi i procedimit penal në Austri, thanë burimet nga hetimi. Sipas tyre, kjo procedurë do ti lejojë autoritetet austriake që të përdorin në hetimin e tyre provat e mbledhura nga Prokuroria shqiptare gjatë hetimeve që janë kryer në vendin tonë. Pas mbylljes së procedurave të hetimit në Shqipëri, është Prokuroria e qytetit Wels në Austri ajo që po vazhdon të kërkojë të vërtetën në lidhje me ngjarjen. Sipas të dhënave nga Prokuroria shqiptare, analizat e ADN-së së fëmijës që lindi Florije Peçi më 4 qershor 2013 në Tiranë, pritet të krahasohen me tre persona të dyshuar si baballarë të mundshëm në Austri. Të dyshuarit janë persona që kanë pasur kontakt me studenten gjatë mjekimit dhe qëndrimit të saj në Austri.

HETIMET
Edhe pse është provuar se marrëdhënia seksuale nga e cila u ngjiz vajza e Florije Peçit nuk ka ndodhur në Shqipëri, Prokuroria e Tiranës gjatë hetimit të saj siguroi prova të rëndësishme. Me anë të një ekspertize të kryer në Tiranë, u mundësua saktësimi i datave kur ka mbetur shtatzënë studentja e mbijetuar nga tragjedia e Himarës. Sipas mjekëve shqiptarë, shtatzënia e të aksidentuarës në Himarë ka ndodhur mes datave 24- 26 shtator 2012, kohë e cila përkon me qëndrimin e saj në Austri. Është fakt i ditur botërisht se studentja përfundoi mjekimin dhe riaftësimin dhe u kthye në Shqipëri më 11 tetor 2012. Pikërisht pas kthimit në Shqipëri, ajo pati probleme shëndetësore dhe ekzaminimet zbuluan më pas shtatzëninë e saj. Veç përcaktimit të kohës së mbetjes shtatzënë, Prokuroria shqiptare priti lindjen e fëmijës dhe realizoi analizën e ADN-së së vajzës. Krahasimi i personave të dyshuar me këtë ADN konsiderohet si mënyra e vetme për të gjetur babain e fëmijës së studentes së mbijetuar nga aksidenti i Himarës. Në dosjen e dërguar së fundi në Austri nga Prokuroria shqiptare, ndodhen edhe dëshmitë e të afërmve të Florije Peçit, të cilët japin detaje në lidhje me qëndrimin e saj në Austri. Pas hapjes së hetimeve në lidhje me skandalin, zëdhënësi i prokurorisë së Wels-it në Austri, Christian Humber, në shkurt 2013 pati thënë se Ambasada shqiptare në Vjenë ka kërkuar hetim për ngjarjen. Humber pati shprehur dyshimet se përdhunimi i studentes nuk kishte ndodhur në Austri.

/Panorama/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›