E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dr. Lavdosh Ahmetaj: Procesi i funksionalizmit të universiteteve private

Dr.Lavdosh-AhmetajPrej disa kohësh, e tashmë edhe në kuadër të fushatës zgjedhore, një nga problematikat që merr diskutim dhe nxit debatin publik, është funksionimi i universiteteve private. Nga një palë ato konsiderohen si arritje dhe sukses i madh në lëmin e arsimit, nga të tjerë si një mekanizëm i  dëmshëm që rrit fiktivitetin, ul nivelin e mësimdhënies, amplifikon spekullimin me diplomat, e deri dhe si qendra që shfrytëzohen nga partitë për të pajisur militantët me dokumenta fiktivë që mbushin administratën publike me individë të paaftë. Kuptohet, edhe duke u vënë në ballafaqim me universitetet publike. Dhe për fat të keq ky debat më së shumti është zhvilluar në qarqe politike dhe mediatike, pa i lënë shumë vend profesionistëve të arsimit, mjediseve akademike e pedagogjike, që mund të sillnin një mendim dhe gjykim më të kualifikuar për reformimin e gjendjes së paraqitur dhe për vendosjen e këtyre universiteteve në binarë të qëndrueshëm dhe efektivë. Për këtë arsye, për të trajtuar këtë problematikë, i jemi drejtuar titullarit të njërit prej universiteteve private, rektorit të Universitetit Pavarësia në Vlorë, Dr. Lavdosh Ahmetaj.

Nisur nga përvoja shumëvjeçare pedagogjike, por edhe administrative në institucionet e arsimit privat, si e konsideroni debatin e hapur mbi funksionimin e universiteteve private?
Mendoj se debati në parim është një dukuri e vlefshme që duhet stimuluar dhe që i sjell progres shoqërisë në të gjitha fushat. Vetëm se kur debati zhvillohet nisur nga interesa politike të ditës, nga arsye subjektive personale apo të grupit, i shkëputur nga interesi i përgjithshëm publik, dhe për më tepër protagonizmin e debatit e marrin përsipër individë pa njohjen e mjaftueshme të lëndës dhe pa vizionin progresist të ardhmërisë së shoqërisë, debati real shpeshherë me qasjen sipërfaqësore dhe të anësishme të problemit, sjell më së shumti konfuzion dhe më tepër dëm sesa i shërben kauzës së ngritur. Qëndrimet mbrojtëse en bloc apo stigmatizimi a priori i të gjithë sistemit universitar privat, nuk kanë produktivitet dhe nuk shkojnë për kah gjetja e zgjidhjeve të duhura për problematikën që mund të ketë ky sistem. Praktika e absolutizmit pozitiv apo negativ në qasjen ndaj një çështjeje ngjan si një reminishencë e vjetër dhe e tejkaluar në mendimin politik, mediatik apo profesional. Induksioni i  ndonjë incidenti apo skandali, të zbuluar nga mediat dhe të marrë nga politika për interesat e ngushta të luftës mes vedi, mbi të gjithë sistemin privat universitar është një metodë spekullative e papranueshme që dëmton të gjithë strukturën e lartë arsimore dhe nuk shërben për riparimin në themel të saj.
Megjithatë, duket se problematikat e ngritura në lidhje me universitetet private qëndrojnë dhe debati është i përligjur.
Padyshim që ekzistojnë problematika në sistemin arsimor privat, ashtu si dhe në atë publik. Meqenëse në fokus janë vënë universitetet private, kjo nuk do të thotë se universitetet publike janë të imunizuara nga të njëjtët probleme që ngrihen. Vetëm se, sipas gjykimit tim, ndjehet një anashkalim i problematikës reale që ka i gjithë sistemi arsimor shqiptar, duke u theksuar posaçërisht elementët jo pedagogjikë, jo programorë, jo metodikë,  por ato të rrafshit  administrativ. Nëse e gjithë problematika reduktohet në aspektin e dhënies fiktive të diplomave, domethënë pa kryer ciklin mësimor normal disavjeçar, gjykoj se çështja shihet vetëm në një aspekt formal dhe jo në thelbin e saj. Sipas perceptimit tim, një debat më produktiv dhe që vërtet do të kapte demin për brirësh është ai që do të kishte në epiqendër mënyrat dhe mekanizmat që do të fusnin realisht sistemin e lartë arsimor në procesin e funksionalizimit dhe të efektivitetit të njëmendtë. Por këtë debat natyrisht që nuk mund ta zhvillojnë qarqet politike dhe mediatike, por mjediset akademike, profesionistët e arsimit, natyrisht në përqasje me politikat dhe kërkesat e gjithëmbarshme të shoqërisë.
Po ku do të konsistonte debati në këtë rast të aktivizimit të mjediseve akademike e pedagogjike dhe çfarë risie do të sillte në mbarëvajtjen e universiteteve private?
Duket se ka një ndarje fiktive dhe pa sens të sistemit të lartë arsimor, në universitete publike dhe private. Ato dallojnë mes vedi nga modalitete të karakterit administrativ dhe pronësor, ndërkohë që thelbi, përmbajtja dhe misioni i tyre parimor nuk ndryshon. E rëndësishme është që të hidhet vështrimi në brendësi të sistemit, të metodës dhe funksionimit të tij. Çfarë klime dhe çfarë fryme mbizotëron në universitetet tona, mbi çfarë themelesh qëndron e gjithë ngrehina dhe mbi çfarë kriteresh modelohet mësimdhënia. Këtu do të konsistonte edhe debati nëse do të zhvillohej siç thamë, nga mjediset profesioniste. Nëse do të hedhim vështrimin pak më përtej tymnajës së ditës, do të vërejmë përgjithësisht një qëndrim inert të specialistëve në dhënien e opinionit të tyre. Mungon debati profesional, kreativ, thelbësor, qoftë në mjediset e ngushta të universiteteve, qoftë dhe më gjerë në mjetet publike të informimit dhe të ballafaqimit të opinioneve. Duke folur tashmë për funksionimin e brendshëm dhe duke u nisur nga praktika shumëvjeçare pedagogjike, mund të them se ajo çka nevojitet është së pari sprova e stafeve pedagogjike nëpër universitete. Ka një kujdes të tepruar ndaj formaliteteve duke mënjanuar funksionalitetin e këtyre stafeve. Me fjalë të tjera, i vihet rëndësi parësore kurikulumit pasiv të pedagogut dhe nuk kërkohet prej tij kurikulumi aktiv.
Çfarë nënkuptoni me kurikulum aktiv dhe pasiv të pedagogëve dhe çfarë do të sillte vlerësimi invers i tyre?
Kurikulumi pasiv është ai që depozitohet në administratë dhe që dëshmon etapat pregatitore disiplinare nëpër të cilat ka kaluar pedagogu. Kjo është e nevojshme, por jo gjithçka. Ndërsa kurikulumi aktiv është pasqyrimi në realitet i asaj pregatitjeje disiplinare, çka do të sillte një jetë universitare më të gjallë, një komunikim kreativ dhe frytdhënës mes trupës pedagogjike mes vedi dhe më tej me auditoret studentore dhe njëkohësisht do të nxiste debatin disiplinar dhe shkëmbimin e përvojës në mjediset universitare. Kjo klimë aktive së brendshmi universiteteve natyrshëm do të përcillej si frymë edhe në mjedisin jashtë tyre, çka do të krijonte një frymë rrezatuese të dijes disiplinare edhe në opinionin e përgjithshëm të shoqërisë. Pra një vizion më i qartë i misionit të dijes disiplinare do të kapërcente kështu frymën burokratike dhe thjeshtë administrative në mjediset pedagogjike, të nevojshme sigurisht por jo të mjaftueshme, duke ngjallur një frymë të re në mjediset universitare.
Çfarë do të ndryshonte kjo klimë e re në institucionet e larta arsimore, që ju e quani edhe procesi i funksionalizimit të tyre?
Pikësëpari do të hiqte perceptimin e dëmshëm se universitetet janë thjeshtë institucione që japin diploma të cilat më pas do të shërbejnë për të zënë një punë. Ndërkohë që harrohet misioni fisnik i tyre në progresin e vazhdueshëm të shoqërisë nëpërmjet përcjelljes e përhapjes së dijes dhe përvojës më të përparuar e më të kultivuar në vijimësinë e brezave të shoqërisë njerëzore. Duke zgjeruar vizionin dhe kërkesën për to, më tej do të shiheshin në një dritë të re, pra si kudhra të kërkimit dhe avancimit shkencor e disiplinar, duke tejkaluar dhënien thjeshtë pasive të kësaj dijeje dhe përvoje. Por që ato të kthehen në qendra kërkimore shkencore, nevojitet pikërisht ajo klimë aktive e stafeve pedagogjike në raportin e tyre me institucionin, me disiplinën apo lëndën që mbulojnë, me auditoret, e pse jo në një stad më të lartë edhe duke reflektuar në jetën e gjithëmbarshme shoqërore në mënyrë më aktive. Është artikuluar në opinionin publik hera-herës që universitetet duhet të kthehen

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›