E Shtunë, 31 Tetor 2026

Draft për rishikimin e buxhetit, propozohet shkurtimi i pagave

Qeveria rriti pagat në korrik, por parashikon sërish uljen e tyre në dy muajt e ardhshëm

rritja e pagavePagat dhe pensionet pritet të ulen në muajt që do të vijnë. Edhe pse vetëm një javë më parë qeveria miratoi rritjen e pagave dhe pensioneve, Ministria e Financave paralajmëron se mbajtja e buxhetit nën kontroll do të kërkojë shkurtimin e shpenzimeve edhe në këto zëra.
Drafti
Varianti fillestar i draftit që ekspertët e Ministrisë së Financave kanë përgatitur për rishikimin e buxhetit ka rënë në duart e medias, dje parashikon pikërisht shkurtime të shpenzimeve. Ndonëse ende jo zyrtar, në draftin në fjalë vetë Ministria vlerëson se mosrealizimi i të ardhurave buxhetore deri në fund të vitit do të arrijë në 33.5 miliardë lekë, që është sa 9.5 për qind programit vjetor.
Shkurtimi
Ekspertët e financave thonë se mosrealizimi në këto përmasa mund të kompensohet vetëm përmes shkurtimeve të forta në disa zëra të shpenzimeve, përfshirë pagat, fondin e pensioneve, shpenzimet e mirëmbajtjes, por dhe transfertat sociale si ndihma ekonomike apo pagesa e papunësisë.
Borxhi
Sipas llogarive, në total masa e shkurtimeve duhet të jetë të paktën 18.2 miliardë lekë në mënyrë që deficiti dhe borxhi të ruhen brenda kufijve ligjor. Zyrtarisht ligji i buxhetit për këtë vit ka rënë vetëm disa muaj pas miratimit të tij, kur Qeverisë i dolën nga kontrolli të gjithë treguesit e parashikuar, për shkak të rritjes së shpenzimeve por edhe uljes së taksave në prag të zgjedhjeve.
Rotacioni politik
Në kushtet e rrotacionit politik, fati i buxhetit duket se do të mbetet i pavendosur deri në formimin e Qeverisë së re. Por edhe kjo e fundit nuk do të ketë përpara shumë alternativa për të zgjedhur. Rënia e të ardhurave imponon vetëm dy rrugë, ose rritje të borxhit përtej kufirit të përcaktuar në ligj, ose shkurtime drastike të shpenzimeve edhe në zërat më jetik të buxhetit përfshirë transfertat sociale.

Borxhi i brendshëm, 2.8 mld
lekë më shumë se plani
Qeveria pothuajse ka shfrytëzuar të gjitha mundësitë e huamarrjes në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave paraprake nga Ministria e Financave, aktualisht niveli i huamarrjes arrin për 6 muajt e parë të vitit 2013 në vlerën 25.2 miliardë lekë, nga 22.4 miliardë lekë që ishte planifikuar për këtë periudhë. Pra kufiri i përcaktuar është kaluar me 2.8 miliardë lekë më shumë. Për gjithë vitin kufiri i huamarrjes së brendshme, i parashikuar në buxhetin e vitit 2013, është në vlerën 27.4 miliardë lekë, ndërkohë sipas përllogaritjeve, aktualisht kjo hua është konsumuar mbi 90 %. Kjo lidhet dhe me faktin se gjysma e parë e vitit ishte një periudhë zgjedhore dhe investimet publike kanë njohur rritje të dukshme. Këto fonde kanë shkuar kryesisht për shlyerjen e kompanive qe kanë kryer punë publike, por edhe për investime në projekte të rinj. Vitet e fundit qeveria është fokusuar më tepër në marrjen e borxhit në tregun e brendshëm, kjo ndikuar dhe nga kushtet jo të favorshme dhe interesat shumë të larta që ofrojnë tregjet financiare ndërkombëtare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›