Zgjedhjet në PD nuk i kapin standardet
Edhe gara brenda Partisë Demokratike nuk i ka shpëtuar virusit të zgjedhjeve problematike që zhvillohen në vendin tonë. Procesi i votimit ka qenë i qetë, por ka pasur probleme të shumta më listat e anëtarëve. Në këtë mënyrë një pjesë e anëtarëve të PD-së nuk kanë arritur dot të votojnë për kandidatin e tyre, pasi emrat e tyre nuk ishin në listat e zgjedhësve.
Problemet në Tiranë
Edhe në Tiranë një pjesë e mirë demokratëve kanë ngelur pa votuar. Sipas anëtarëve të qendrave të votimit mësohet se ky problem ka ardhur pasi shumë anëtar nuk kanë rinovuar kartat e tyre të anëtarësisë, çka ka sjell dhe mos përfshirjen e tyre në listën e zgjedhësve. Një tjetër arsye sipas tyre është dhe transferimi i anëtarëve nga qytete të tjera drejt Tiranës, duke mos bere shpërnguljen në degën përkatëse të Partisë Demokratike.
Durrës
Ashtu si në Tiranë edhe në Durrës ka pasur probleme me listat. Anëtarët e PD-së në këtë qytet kanë akuzuar drejtuesit e degës dhe grupimet që po çojnë në përçarjen brenda anëtarësisë së PD-së. Ne rrethin e Durrësit, përfshirë dhe degën e Shijakut (bastion i Olldashit) duhej të votonin 5100 anëtarë, dhe të paktën 1500 nga këta nuk votuan.
Korçë
Fenomeni i mungesës së emrave në lista është regjistruar edhe në qarkun e Korçës. Anëtarët e PD në këtë qytet kanë deklaruar se kjo ishte e qëllimshme e ndërsa disa pretenduan se kanë deklaruar hapur mbështetjen për njërin prej kandidatëve të tjerë.
Qytetet e tjera
Këto lloj problemesh pothuajse ndodhën në çdo qytet, disa nga anëtarët demokratë kanë ngelur të habitur, ndërsa disa të tjerë kanë lëshuar akuza drejt drejtuesve, por pa dhënë emra konkretë.
Fleta e votimit me numër rendor
Ajo që ka habitur dje procesin zgjedhor në Partinë Demokratike kanë qenë fletët më numër rendor. Pasi në këtë mënyrë çdo votues me fletë votimi me numër rendor, për të cilën firmos me emrin e vet dhe pas kësaj ai e ka të identifikuar votën për kë voton. Në këtë kuadër u dëmtua fshehtësia e votimit. Fleta me numrin rendor ka sjellë edhe reagimin e Olldashit, i cili me ironi e theksoi këtë gjë para mediave.
************
Olldashi: I kërkoj falje kujt nuk gjeti emrin në listë
Revoltohet Olldashi: Falënderoj rivalët e mi në garë!
Sokol Olldashi ka votuar dje vetëm pak minuta para përfundimit të orarit zyrtar të votimit. Ai e nisi me ironi deklaratën e tij para mediave duke treguar edhe numrin rendor të fletës së tij të votimit. “Votova me fletën nr 040213. U shpreh mirënjohjen time të gjithë demokratëve që morën pjesë në votim. Ai më pas ka folur edhe demokratët që nuk morën pjesë në votim. U kërkoj ndjesë atyre mijëra demokratëve që nuk votuan dot, sepse nuk gjeten emrin në listë. Ky është një problem, përmasën e të cilit e kam patur të panjohur, pasi, për asnjë moment nuk pata në dispozicion listën e votuesve. Duke ditur që në Tiranë kishte një shtesë prej rreth 2500 personash, mendova se ishte pikërisht ky kontigjent. Mesa duket paska qenë një kontigjent tjetër, që mbetet për t’u parë ç’është. Këto janë probleme që nuk kanë lidhje me rezultatin, por mbeten probleme edhe nëse nga kutitë raporti i votave del 90 me 10 për Sokol Olldashin, tha ai. Në fund Olldashi lëshoi edhe një silurë tjetër duke thënë se falenderoj rivalët e mi në këtë garë, kur dihet se ai kishte vetëm një rival në këtë garë, Lulzim Bashën.
Basha
Nga ana tjetër pasi votoi në selinë e Partisë Demokratike, për kreun e kësaj force politike, kandidati Lulzim Basha, vlerësoi garën e brendshme si një vlerë të demokracisë. Më tej ai e cilësoi fushatën e zhvilluar për zgjedhjet e kreut të ri të PD-së, si të pashoqe në historinë e pluralizmit shqiptar. Falenderoj militantët dhe anëtarët e Partisë Demokratike për pjesëmarrjen në fushatë dhe për pjesëmarrjen në zgjedhjen e kryetarit të partisë më të madhe në vend. Me këto zgjedhje ne i tregojmë mirë shqiptarëve por edhe kundërshtarëve tanë politik se ne dimë të mbrojmë më mirë vlerat e demokracisë, e gjithëpërfshirës, vlerat e votës dhe të shprehjes me votë të këtij procesi, tha Basha.
Mustafaj: Zgjedhjet për kreun e PD-së, si ndeshje stërvitore
Një prej ish-figurave më të rëndësishme të Partisë Demokratike, Besnik Mustafaj, dhe kritik i kësaj ka partie ka votuar dje si të gjithë anëtarët e PD. Pas votimit, Mustafaj ka thënë se ky votim ka qenë si një ndeshje stërvitore. Ai u shpreh se uron që në zgjedhjet e ardhshme për kryetar të PD-së, të ketë një garë reale dhe parimi një anëtar, një votë, të zbatohet realisht. Sapo e kreva detyrën time si demokrat: votova. Ky rast ishte si një ndeshje stërvitore për ne demokratët. Shpresoj se kryetari i ri do e ketë kuptuar urgjencën e ringritjes së strukturave në mbarë vendin, në mënyrë që herën tjetër të kemi një fushatë të vërtetë për kryetar të PD-së, që do të thotë se edhe votimi një anëtar-një votë të fitojë vlerën e tij të vërtetë, shprehet Mustafaj.
Berisha: Ditë historike për demokratët
Kryetari në detyrë i PD e ka cilësuar garën e djeshme në PD si ditë historike për demokratët. Kjo është një ditë historike për Partinë Demokratike pasi për herë të parë në historinë e saj zgjedh bazuar në parimin më demokratik një anëtar një votë kryetarin e saj të ri. Është një rast i shkëlqyer për tu përcjellë përshëndetjet e përzemërta të gjithë anëtarëve të PD-së për mënyrën e civilizuar me të cilën ndoqën dhe respektuan garën e hapur për kryetar partie. Dua ti siguroj se do të jem njëri prej tyre për të bërë gjithçka për një fillim të ri të fuqishëm të shndërroj garën e saj të parë për një fitore të thellë, theksoi Berisha.
Topalli: Zgjedhjet në PD, proces
emancipues për politikën shqiptare
Nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli u shpreh ndërsa votonte për kreun e ri të partisë se, falënderonte çdo anëtare dhe çdo anëtar të të partisë pasi ata kanë bërë të mundur në momente të vështira në Partinë Demokratike që të realizojnë një proces emancipues për politikën shqiptare. E vërteta është se Sali Berisha edhe pasi ka dhënë dorëheqjen ka vendosur një standard edhe më të lartë në politikën shqiptare dhe pjesëmarrja e anëtarësisë në të gjitha takimet e kandidatëve është shprehje e një civilizimi, e një shpirti të thellë demokratik që do ti japë leksione edhe kundërshtarit politik që ka përdorur paranë, forcën dhe krimin për të marrë pushtetin, u shpreh Topalli.