Drafti për Asociacioni, Rama reagon pas komenteve të Kurtit: S’pres të pranohet, por minimalisht duhej parë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj komenteve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në lidhje me draftin e propozuar prej tij për Asociacionin. Në konferencën për shtyp, ku njoftoi anulimin e takimit të përbashkët mes dy qeverive, Kosovë-Shqipëri, Rama tha se nuk priste që propozimi të pranohej, por që “minimalisht” të shikohej nga Kurti.
Kreu i qeverisë shqiptare shtoi se drafti është punuar nga ekspertë të nivelit më të lartë botërorë, teksa nuk la pa përmendur faktin se ka patur reagime pozitive nga ndërkombëtarët.
“Nuk dua t’i imponohem dikujt as të pres që ai draft të merret e të pranohet pa u parë. Nuk pres që Presidenti i Serbisë ta pranojë, por minimalisht kryeministri i Kosovës të thotë në rregull ta shohim, merre shihe njëherë se nuk dihet. Mund të jetë komplet kot, por ju siguroj që është top, se nuk e kam shkruar unë, e kanë bërë ekspertë të nivelit më të lartë botëror. Ata që e kanë marrë në Berlin, Bruksel, Uashington kanë vetëm fjalë të mira. E keqja është që ka një pengese psikologjike të fortët që ka të bëjë me natyrën e gjithë politikës së bërë nga dy”, tha Rama.
Kujtojmë se kryeministri Rama ka propozuar një draft lidhur me asosacionin e komunave serbe, për të cilin Kurti u shpreh në një reagim këtë të martë (13 qershor) se do të ishte një model shumë i mirë për pakicat shqiptare në Serbi.
/rtsh.al/