E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dramën shqipe e birëson Austria

Nis "Konkursi i dramës shqipe 2009". Këtë vit realizohet nga qeveria austriake e cila premton promovim të fituesit në gjithë hapësirën gjermanofolëse


Konkursi i dramës shqipe nisi zyrtarisht dje në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Këtë vit organizimin e ka marrë përsipër Ministria Austriake për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare për vendet e Europës Juglindore.


Viti 2009 është një vit jubile që përkon me 20-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, rënien e kufijve mes vendeve europiane, e jo vetëm kufijve fizikë por edhe atyre kulturorë. Janë pikërisht këta kufij që organizatorët, Ambasada Austriake, Teatri Kombëtar dhe Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë përzgjedhur si temë të konkursit të dramës shqiptare, "Të flasim mbi kufijtë".


Një nga inciatorët e kësaj nisme dhe njëkohësisht përfaqësuesi ligjor dhe artistik i konkursit, regjisori austriak Christian Papke tha se "Konkursi i dramës 2009" ka për qëllim të zbulojë drama të cilat trajtojnë tema të kapërcimit të kufijve.


"Kjo është një temë shumë moderne për Evropën e ditëve të sotme sepse ka të bëjë me të gjithë ne. Aq me tepër që Shqipëria është një vend në ndryshim dhe kjo dramë në një farë mënyre do të shërbejë edhe si dokument i kohës" u shpreh Papke.


Mbështetja që Ministria Austriake për Çështje Europiane dhe Ndërkombëtare jep për këtë rast nuk është thjesht simbolike. Nëse në edicionet paraardhëse dramat fituese nuk kanë mundur të lënë sirtarët e autorëve dhe të ngjiten në skenë këtë vit organizatorët premtojnë më shumë.


Drama fituese veç çmimit prej 3500 eurosh do të ketë mundësinë të botohet në hapësirën gjermanofolëse në 11 mijë kopje. Një pjesë e të cilave do t'u dhurohen teatrove në Gjermani, Austri dhe Zvicër.


Papke, në emër të gjithë organizatorëve premtoi edhe vënien në skenë të dramës fituese në vendet që flasin gjermanisht. Një premtim që e entuziazmoi drejtorin e Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami i cili shtoi se "nëse drama do të jetë në të tilla stade, mendoj se do të vihet edhe në skenën e TK-së".


Kjo do të jetë edhe drama e dytë fituese e këtij konkursi që do të ngjitet në skenë, pas "Alegretto Albania" të Stefan Çapalikut. Sipas drejtorit Skrami "nuk mund të ngjiten të gjitha dramat në skenën e TK-së, ato mund të vihen edhe në skenat e teatrove lokalë. TK-ja është i pari dhe aty luhen pjesët më të mira".


Partneri i tretë në këtë projekt është Ministria e Kulturës e cila do të financojë çmimin e dytë dhe të tretë. Përgjegjësi i Arteve në MTKRS, Gazmend Mullahi tha se "Ministria do të mbështesë me sa të ketë mundësi konkursin e dramës". Ndryshe nga përfaqësuesi austriak i cili bëri të ditur se si dhe sa do të financohet projekti Mullahi nuk dha asnjë shifër.


Por çfarë kriteresh duhet të përmbushin autorët dhe krijimet e tyre, për të qenë pjesëmarrës në këtë konkurs?


Drama duhet t'i përmbahet temës "Të flasim mbi kufijtë", duhet të jetë në gjuhën shqipe apo edhe në atë cigane. Përveç tekstit origjinal duhet të dorëzohet edhe një version në anglisht (përkthimi nuk duhet të jetë domozdoshmërisht profesional). Çdo autor duhet të dorëzojë vetëm një tekst.


Drama nuk duhet të jetë vënë në skenë apo të jetë botuar më parë dhe duhet të luhet nga maksimalisht pesë aktorë. Autorët duhet të kenë nënshtetësinë shqiptare ose të kenë jetuar në Shqipëri së paku 15 vjet. Afati i fundit për dorëzimin e krijimeve është 20 dhjetori i 2009-ës.


Autorët duhet të dorëzojnë, tekstin e dramës në gjuhën origjinale, një përkthim jo profesional të tekstit në gjuhën angleze, informacione paraprake për autoren apo autorin në gjuhën angleze si dhe një konfirmim për njohjen dhe pranimin e kushteve të pjesëmarrjes. Krijimet mund të dërgohen në adresën "P.E.N.- Club Austria, Bankgasse 8, 1010 Ëien, Austria" si dhe nëpërmjet e-mailit në info@penclub.at.


 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›