E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikoi heroinë në Gjermani, dërgohet për gjykim

Abdulla Muka, ishte identifikuar nga policia gjermane si furnizuesi i një të arrestuari në Mynih


TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda në kryeqytet, përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Abdulla Muka, i akuzuar për "trafikim të narkotikëve" në bashkëpunim dhe "falsifikimit dhe përdorimit të pasaportës".


Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurorët Gentian Trenova e Eugen Beçi, i pandehuri Muka në shtator të viti 2008 i ka shitur një "korrieri" gjerman të arrestuar në rajonin e Bavarisë, 1 kg heroinë.


"Nga hetimet e çështjes ka rezultuar se me datë 11 shkurt 2009 autoritetet e shtetit gjerman kanë sjellë në Shqipëri me anë të letër-porosisë materialet hetimore të një shtetasi gjerman, Viktor Nidens, i cili ishte arrestuar nga autoritetet policore gjermane, pasi ka transportuar një sasi lënde narkotike të tipit heroinë nga territori shqiptar,- thuhet në dosjen që ndodhet në Gjykatën e Krimeve të Rënda.


Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se Viktor Nidens, me shtetësi gjermane, ka biseduar nga vendi i tij, në linjë telefonike me Abdulla Muka, gjatë të cilës kanë lënë një takim në pikën kufitare mes Shqipërisë dhe Maqedonisë me qëllim shitjen e një sasie heroine të siguruar nga shqiptari.


"Gjermani Nidens më 6 shtator 2008 ka ardhur në Shqipëri në pikën e kalimit kufitar mes Shqipërisë dhe Maqedonisë dhe është takuar me të pandehurin.


Një ditë më pas, Muka e Nidens kanë kaluar në Maqedoni ku dhe kanë marrë tek një maqedonas një sasi lënde narkotike prej 1 kg heroinë. Pas blerjes së këtij "malli" gjermani Nidens me mjetin e tij është nisur drejt vendit të tij, ndërsa i pandehuri Muka është kthyer në Shqipëri".


Me të mbërritur në Gjermani, autoritetet e policisë e kanë arrestuar Nidensin dhe më pas kanë zbuluar furnizuesin e tij shqiptar, që i ka shitur heroinën, për të cilin është kërkuar arrestimi,- thuhet në dosje.


Me të ardhur letër-porosi Prokuroria e krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë kanë bërë të mundur identifikimin e vendndodhjes së të pandehurit dhe kanë kryer arrestimin e tij më 11 prill 2009 në banesën e tij, ku mësohet se kohë më parë është dënuar në Gjermani me 5 vjet burg, ku pas mbarimit të ditëve të burgut është kthyer në Shqipëri.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›