Drejt përfundimit kopshti i ri në Farkë të Madhe

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Në lagjet dhe njësitë administrative të Tiranës vijon të ketë kërkesë për kopshte dhe çerdhe të reja ndërkohë që edhe mjediset ekzistuese janë përmirësuar dhe pajisur me mjete bashkëkohore.
Kështu, në Farkë të Madhe në Tiranë janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e kopshtit të ri.
Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale pamje nga mjediset e reja që do të mbushen së shpejti me fëmijë.
Kopshti i ri në Farkë të Madhe do të plotësojë kërkesat e komunitetit që janë në rritje.
Rritja e popullsisë në kryeqytet ka shtuar nevojën për mjedise të reja për fëmijët, ndërsa sipas bashkisë së Tiranës janë 109 çerdhe dhe kopshte të reja të hapura në këto 9 vite.
Përveç rritjes së buxhetit të dedikuar vit pas viti, bashkia e Tiranës do të vijojë hapjen e institucioneve të reja arsimore, duke marrë edhe hapësira me qira në ato zona ku nuk ka hapësira publike për t’i shërbyer komunitetit.
Kështu, pritet të plotësohen nevojat sidomos në lagjet e reja në kryeqytet.