Drejt rehabilitimit hapësirat publike të liruara nga ndërtimet pa leje në Durrës

TIRANË, 17 dhjetor/ATSH/ Në bashkinë e Durrësit po vijon zgjerimi i hartës së hapësirave publike që po u rikthehen komunitetit, pas prishjes së ndërtimeve pa leje.
Ndërkohë, bashkia e Durrësit është angazhuar në rikualifikimin urban të hapësirave të liruara, duke shtuar edhe sipërfaqet e gjelbëruara.
Kryeministri Edi Rama ndau sot momente nga ndërhyrja që po kryhet në një hapësirë të zaptuar në lagjen 4, e cila tashmë është liruar dhe po i nënshtrohet rehabilitimit, për t’u vënë sërish në shërbim të qytetarëve.
Rama siguroi se angazhimi për t’i rikthyer komunitetit hapësirat publike të zëna në mënyrë të paligjshme po vijon, duke garantuar ambiente të hapura, funksionale dhe të aksesueshme për të gjithë.
Nisma për lirimin e hapësirave publike nga ndërtimet pa leje synon të kthejë ligjshmërinë në territor duke sjellë zhvillim për komunitetet.
E nisur në muajin korrik, ajo është konceptuar si ndërhyrje e përhershme dhe mbetet prioritet i pushtetit vendor dhe qendror.
Shumë raste shkeljesh raportohen nga vetë qytetarët në portalin e dedikuar për këtë qëllim “Hapësira ime publike”, ku deri tani rezultojnë 16 920 raste të denoncuara, nga të cilat janë zgjidhur 12 992 raste, ndërsa 3 928 të tjera janë në proces shqyrtimi.
/m.m/r.e/