Drejtësi për 9 janarin!
SOT DITA E TRAGJEDISË
Kur fitoi PD-ja, shumë menduan se diçka do lëvizte në drejtim të zbardhjes së të vërtetës të tragjedisë së 9 janarit, e se zvarritjet e institucioneve për të vënë drejtësinë në vend, do të merrnin fund. Këtë shpresë, në fakt, nuk e ndjenin fort familjarët e viktimave, sipas të cilëve fajtor ishte pikërisht shteti i përfaqësuar nga zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe asaj të Rendit, të cilët refuzuan t’u jepnin ndihmë fatkëqijve në çastin fatal. Shumë pyesnin me dyshim në atë kohë, se si ishte e mundur që 36 qytetarë nga Veriu i Shqipërisë të kishin udhëtuar në mënyrë të organizuar deri në Vlorë e të mos ishin pikasur fare nga shërbimet sekrete?! Si ishte e mundur që çdo shtëpi shqiptare brenda vendit e jashtë saj, mundi të ndiqte minutë pas minute ankthin e viktimave teksa ndodheshin në mes të detit, falë një lidhjeje telefonike me një prej televizioneve kryesore, ndërkohë që, nga ana tjetër, nuk dukej asgjëkundi shenja e përpjekjeve reale të shtetit për t’i shpëtuar?! Si shpjegohet që dëshmitarë që pretendojnë se kanë qenë të përfshira direkt struktura të Ministrisë së Rendit, nuk janë thirrur për të dëshmuar nga asnjë gjykatë?! Ndaj, ishte më se normale që opinioni publik të kapej atëherë, por edhe sot, nga paranoja se, në fakt, asnjërës prej strukturave shtetërore nuk i kishte interesuar ndonjëherë që kjo tragjedi të zbardhej deri në fund. Lind pyetja: mirë socialistëve të atëhershëm, po demokratëve, që aktualisht kanë hyrë në vitin e tyre të katërt të qeverisjes? Vetë Sali Berisha, atëherë lider i opozitës dhe deputetja e Shkodrës Jozefina Topalli, u premtuan familjarëve se, “nëse në zgjedhjet e 2005-s pushtetin e merr PD-ja, s’do lemë gur pa lëvizur që drejtësia të vihet në vend”.
Sot mbushen plot 5 vjet nga ajo tragjedi dhe drejtësia nuk është vënë në vend. Opozita e atëhershme kishte premtuar edhe se do ta ngrinte deri në Kuvend çështjen në fjalë, por që nga fillimi i mandatit, e deri tani që po shkon drejt fundit, nuk e ka bërë këtë gjë asnjëherë! 28 viktimat e Karaburunit lehtësisht janë harruar e janë pasuar nga të tjera viktima, në të tjera tragjedi: njëherë 15 studentë kosovarë që humbën jetën në veri të vendit si pasojë e infrastrukturës se keqe! Në Farkë, pas një gëzimi familjar, 16 njerëz të pafajshëm humbën jetën si pasojë e mungesës totale të sigurisë së jetës në këtë vend! Pak më vonë, 26 fatkëqij mbetën të vrarë nga shpërthimi në Gërdec! Viktima të tjera u regjistruan në Butrint, në një tjetër tentativë trafikimi, m’u para syve të policisë! Në Bulqizë kanë humbur jetën gati-gati para syve të gjithë botës që ka ndjekur problemin e tyre përmes ekranit, plot 8 minatorë, duke lënë jetimë fëmijët e tyre ende të mitur!
Për secilën prej këtyre tragjedive mund të formulosh dhjetëra e qindra “Pse”. Por, që të gjitha kanë vetëm një përgjigje: në këtë vend sundon, si dje, edhe sot, krimi i organizuar dhe papërgjegjshmëria e politikanëve të kapur nga mijëra tentakula të këtij krimi. Jeta, si dhurata më e shtrenjtë e njeriut, këtu nuk ka asnjë vlerë para arrogancës së politikanëve dhe interesave të pak kriminelëve që nuk u hyn asnjë gjemb në këmbë. Në këtë vend, po kaq (as)pak rëndësi, kanë edhe premtimet elektorale.