Drejtori i ri i AKSHI-t, Igli Tafa: Do jemi lider në fushën e digjitalizimit dhe teknologjive të avancuara

Drejtori i ri i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, Igli Tafa në fjalën e mbajtur pas prezantimit nga kryeministri Edi Rama, shprehu anagazhimin e tij për ta transformuar këtë institucion dhe për ta bërë lider jo vetëm në rajon por edhe më gjerë, në fushën e digjitalizimit dhe teknologjive.
Ai theksoi se drejtimi i AKSHI-t është një përgjegjësi e jashtëzakonshme, pasi ky institucion sikurse tha ai, është “zemra” e transformimit digjital”.
“Përgjegjësi e jashtëzakonshme të drejtoj AKSHI-n. Nuk është vetëm teknologjik, por zemra e transformimit digjital. Institucion që ofron shërbime për gjithë qytetarët e bizneset. Një institucion i cili është hallka kryesore e bashkëpunimit me gjithë institucionet e tjera. Kjo është një përgjegjësi e jashtëzakonshme”, deklaroi ai.
Më tej, Tafa iu drejtua dhe me një mesazh të rëndësishëm punonjësve të AKSHI-t, duke i falënderuar për punën e bërë derimë tani në këtë institucion, ndërsa theksoi se “ata kanë kapacitetin për të çuar edhe më lart vizionin për modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve drejt bizneseve dhe qytetarëve“.
“Ju jeni forca reale dhe fuqia që keni bërë këtë transformim. Ajo që unë them; unë do jem ai i cili do ju jap vetëm energjinë time, përkushtimin tim dhe eksperiencën, por ju keni kapacitetet për ta çuar më lartë vizionin e kryeministrit për modernizimin dhe digjitalizimin e shërbimeve drejt bizneseve dhe qytetarëve. AKSHI do bëjë përkushtimin maksimal për të ofruar shërbime më të qëndrueshëm për të qenë lider më gjerë se rajoni, në fushën e digjitalizimit dhe teknologjive të avancuara siç është AI”, tha ai.
/rtsh.al/