E Diel, 1 Nëntor 2026

SPAK kërkon 1.6 vite burg për kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar 1 vit e gjysmë burg për Majlinda Bufin, kryetaren e Bashkisë Roskovec, e akuzuar për “përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Me gjykim të shkurtuar, dënimi mund të përkthehet në 2 vjet shërbim prove.

Prokurorja Dorina Bejko kërkoi gjithashtu 5 vjet mosushtrim të funksioneve publike për zyrtaren.

Sipas SPAK, kryebashkiakja socialiste ka ushtruar presion mbi një qytetar për të ndikuar në vullnetin e tij zgjedhor, duke shkelur ligjin për përdorimin e funksionit publik në veprimtari politike.

Nga hetimet e SPAK rezulton se e pandehura Majlinda Bufi, në prag të zgjedhjeve vendore të 14 Majit 2023, i ka kërkuar shtetasit G.B. që të mos merrte pjesë në votime dhe të mos përfshihej në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.

Shtetasi G.B. ishte përfitues i programit social të Bashkisë, “Përmirësimi i kushteve të banimit”. Megjithatë, situata u ndërlikua kur objekti për të cilin ai kishte kërkuar mbështetje u konstatua se ishte një ndërtim i sapo nisur, me mangësi dokumentacioni.

Aksioni i kryebashkiakes dyshohet se erdhi pas publikimit të një audio-përgjimi më 6 Maj 2023, me titullin “Mos guxo të votosh”, ku Bufi shfaqej e revoltuar me qytetarin.

Para takimit final të regjistruar në ambientet e Bashkisë, shtetasi G.B ishte vizituar nga punonjës të IMT-së, të cilët i kishin kërkuar llogari për punimet e kryera pa leje dhe ndalimin e tyre.

Sipas SPAK, në takimin me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi e zhvilloi bisedën nën formën e presionit, duke i përmendur shkeljen e ndërtimit pa leje dhe faktin se ai i kishte dërguar mesazhe ku shprehte mbështetjen për kandidatin e opozitës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›