Drejtori i zjarrfikëses së Tiranës: Vatra ishte në katin e parë, fasada e ndihmoi të përhapet

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë pasditen e së martës, 14 prill, një pallat 12-katësh në kompleksin pranë spitalit “Nënë Tereza” (QSUT), ku ndodhen edhe konviktet e studentëve të mjekësisë dhe infermierisë.
Drejtori i zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, deklaroi se shërbimet e emergjencës janë angazhuar me të gjitha mjetet për izolimin e flakëve dhe situata është drejt normalizimit.
“Jemi përqendruar me të gjitha mjetet për të izoluar vatrën e zjarrit. Jemi drejt përfundimit të situatës. Autoshkallat janë në vendin e ngjarjes duke punuar. Janë 3 autoshkalla. Në dy faqet e objektit po punojmë me autoshkalla. Është dhe një grup brenda me të gjitha pajisjet, që është grupi që na mundëson shuarjen e flakëve,” tha Goxhaj.
Ai shtoi se autoshkallat kanë ndihmuar edhe në evakuimin e banorëve, ndërsa dyshohet se vatra e zjarrit ka qenë në katin e parë, në një ambient biznesi.
“Autoshkalla e tejkalon lartësinë e pallatit. Mendoj se zjarri është në katin e parë të pallatit në një biznes. Do bëhet ekspertiza e nevojshme për të përcaktuar vatrën e zjarrit, që e ndihmoi fasada të përhapet. Deri tani nuk kemi informacion për pasoja fatale. Fasada ka ndikuar të përhapet flaka e zjarrit,” u shpreh drejtori i zjarrfikëses.
Ai tha se në vendngjarje janë angazhuar tre autoshkalla dhe grupe të specializuara që po ndërhyjnë si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda objektit.
Deri më tani nuk raportohet për viktima, ndërsa pritet që ekspertiza të përcaktojë shkaqet e sakta të zjarrit.
/rtsh.al/